U përpoqën ta mbanin Fjalën e Perëndisë larg njerëzve
U përpoqën ta mbanin Fjalën e Perëndisë larg njerëzve
ME KALIMIN e kohës, u bënë përpjekje për ta përkthyer Biblën në gjuhët e folura nga njerëzit e thjeshtë. Të paktë ishin ata që mund ta lexonin Biblën në hebraisht ose në greqisht, gjuhët në të cilat ishte shkruar. Shumica prej nesh do ta kishin të vështirë ta kuptonin Fjalën e Perëndisë nëse sot do të ekzistonte vetëm në këto gjuhë të lashta.
Pothuajse 300 vjet para se Jezui të vinte në tokë, filloi puna për përkthimin e Shkrimeve Hebraike në gjuhën greke. Ky përkthim njihet si Septuaginta Greke. Rreth 700 vjet më vonë, Jeronimi nxori përkthimin e famshëm që njihet si Vulgata. Ky ishte një përkthim i Shkrimeve Hebraike dhe Greke në gjuhën latine, gjuha që përdorej gjerësisht në perandorinë romake të asaj kohe.
Më vonë, latinishtja filloi të mos përdorej më aq shumë. Vetëm njerëzit e arsimuar vazhduan ta zotëronin mirë latinishten dhe Kisha Katolike luftoi kundër përpjekjeve për ta përkthyer Biblën në gjuhë të tjera. Krerët fetarë arsyetonin se hebraishtja, greqishtja dhe latinishtja ishin të vetmet gjuhë të përshtatshme për Biblën. *
Ndarja e kishës dhe përkthimi i Biblës
Në shekullin e nëntë të e.s., Metodi dhe Cirili, misionarë selanikas që ishin në shërbim të Kishës së Lindjes në Bizant, nxitën përdorimin
e gjuhës sllave si gjuhë të kishës. Qëllimi i tyre ishte t’u jepnin mundësi popujve sllavë të Evropës Lindore, që nuk kuptonin as greqisht e as latinisht, të mësonin për Perëndinë në gjuhën e tyre.Por, këta misionarë hasën një kundërshtim të fortë nga priftërinjtë gjermanë, të cilët kërkonin të impononin gjuhën latine për të penguar përhapjen e ndikimit të krishterimit bizantin. Kuptohet, për ta kishte më shumë rëndësi politika sesa arsimimi fetar i njerëzve. Rritja e tensionit midis degëve perëndimore dhe lindore të krishterimit, në vitin 1054 çoi në ndarjen e katolicizmit romak nga ortodoksia lindore.
Lufta kundër përkthimit të Biblës
Katolicizmi romak me kalimin e kohës filloi ta konsideronte latinishten si gjuhë të shenjtë. Pra, në përgjigje të kërkesës së bërë në vitin 1079 nga Vratislavi, duka i Bohemisë, që kërkonte leje për të përdorur gjuhën sllave në shërbesat e kishave të tyre, Papa Gregori VII shkroi: «Nuk mund ta miratojmë në asnjë mënyrë këtë kërkesë.» Pse jo?
Gregori tha: «Për ata që e shqyrtojnë këtë çështje me vëmendje, është e qartë se jo pa arsye Perëndisë i ka pëlqyer t’i lërë të paqarta Shkrimet e shenjta në disa vende sepse, nëse do të ishin tepër të qarta për të gjithë, mund të vulgarizoheshin dhe të trajtoheshin pa respekt ose të keqkuptoheshin aq shumë nga njerëzit me dije të kufizuara, sa t’i çonin në rrugë të gabuar.»
Njerëzit e thjeshtë nuk ishin të lirë ta lexonin Biblën, dhe kjo nuk duhej të ndryshonte. Kështu kleri kishte pushtet mbi masat. Ata nuk donin që njerëzit e thjeshtë të merreshin me fusha që i konsideronin si territorin e tyre.
Në vitin 1199, papa Inocenti III shkroi për «heretikët» që e kishin përkthyer Biblën në frëngjisht dhe guxonin ta bënin objekt bisedash. Inocenti aplikoi për ta fjalët e Jezuit: «Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë, as margaritarët tuaj mos ua hidhni derrave.» (Mateu 7:6) Pse? «Që asnjë njeri i thjeshtë dhe i pashkolluar të mos merret me madhështinë e Shkrimeve të shenjta ose të mos ua predikojë të tjerëve.» Ata që i bënin rezistencë urdhrit të papës, liheshin në dorë të inkuizitorëve që i torturonin me qëllim që të rrëfeheshin. Kush nuk hiqte dorë, digjej i gjallë.
Në betejën e gjatë për të pasur një Bibël e për ta lexuar, letra e papa Inocentit shpesh përdorej si referim për të ndaluar leximin dhe përkthimin e Biblës në gjuhë të tjera. Shumë shpejt pas dekretit të tij, filloi djegia e Biblave që ishin në gjuhët e njerëzve të thjeshtë, si edhe djegia e disave që e kishin. Në shekujt e mëpasshëm, peshkopët dhe sundimtarët e Evropës katolike përdornin çdo mjet të mundshëm për t’u siguruar që ndalimi i papa Inocentit III të respektohej.
Hierarkia katolike me siguri që e dinte se shumë nga mësimet e saj nuk bazoheshin në Bibël, por në traditat e kishës. Pa dyshim, kjo ishte një nga arsyet pse kleri nuk donte që besimtarët ta kishin Biblën. Duke e lexuar, njerëzit do ta kuptonin se doktrinat e kishës nuk përputheshin me Shkrimet.
Ndikimet e Reformës
Dalja në skenë e protestantizmit ndryshoi atmosferën fetare në Evropë. Përpjekjet e Martin Luterit për të reformuar Kishën Katolike dhe ndarja e tij përfundimtare nga kjo kishë në vitin 1521, bazoheshin kryesisht në kuptueshmërinë e tij për Shkrimet. Prandaj, kur ndarja u finalizua, Luteri, një përkthyes i talentuar, u përpoq që Bibla të ishte e arritshme edhe për masat e gjera.
Përkthimi i Luterit në gjermanisht dhe përhapja e gjerë e këtij versioni tërhoqi vëmendjen e Kishës Katolike Romake, që mendonte se Bibla e Luterit duhej të zëvendësohej nga një tjetër e miratuar nga kisha. Shumë shpejt pas kësaj dolën dy përkthime në gjuhën gjermane. Por pastaj, në vitin 1546, më pak se 25 vjet më vonë, Këshilli Katolik Romak i Trentos vuri nën kontrollin e kishës shtypjen e çdo botimi fetar, përfshirë përkthimet e Biblës.
Këshilli i Trentos dekretoi: «Tani e tutje Shkrimet e shenjta . . . duhet të shtypen sa më saktë; nuk do të jetë e ligjshme që ndokush të shtypë a të financojë shtypjen e çfarëdo libri për gjërat e shenjta pa emrin e autorit dhe në të ardhmen t’i shesë e madje t’i zotërojë pa u shqyrtuar e miratuar më parë nga [peshkopi i vendit].»
Në vitin 1559, papa Pavli IV botoi listën e parë të librave që ndaloheshin nga Kisha Katolike Romake. Ajo i ndalonte njerëzit të kishin përkthime të Biblës në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, holandisht, italisht, spanjisht dhe disa përkthime në latinisht. Kushdo që donte të lexonte Biblën, duhej të merrte leje me shkrim nga peshkopët ose inkuizitorët dhe kjo nuk ishte ndonjë gjë e këndshme për ata që nuk donin të dyshoheshin për herezi.
Ata që guxonin ta kishin ose ta shpërndanin Biblën në gjuhën e njerëzve të thjeshtë të vendit të tyre, duhej të përballeshin me zemërimin e Kishës Katolike. Shumë u arrestuan, u dogjën në shtyllë, u poqën në hell, u dënuan me burgim të përjetshëm ose u dërguan me punë të detyruar në galera. Biblat e konfiskuara digjeshin. Në të vërtetë, priftërinjtë katolikë vazhduan t’i konfiskonin dhe t’i digjnin Biblat deri në shekullin e 20-të.
Kjo nuk do të thotë se protestantizmi ishte mik dhe mbrojtës i vërtetë i Biblës. Në shekujt e 18-të dhe të 19-të, disa teologë protestantë filluan të përdornin një metodë për studimin e Biblës, e njohur si kritika e lartë. Me kalimin e kohës, shumë njerëz pranuan mësimet e ndikuara nga teoritë darviniane se jeta nuk u krijua, por në njëfarë mënyre u shfaq rastësisht dhe evoloi pa një Krijues.
Teologët, e madje shumë klerikë, mësonin se Bibla bazohej kryesisht në legjenda dhe në mite. Si rezultat, sot nuk është e pazakontë t’i dëgjosh klerikët protestantë dhe shumë nga besimtarët e tyre të thonë se Bibla nuk është e saktë nga ana historike.
Ndoshta ju kanë rënë në vesh pikëpamje që vënë në dyshim autenticitetin e Biblës dhe ndoshta habiteni me përpjekjet që janë bërë për ta shkatërruar shekuj më parë. Megjithatë, këto sulme kanë dështuar. Bibla ka mbijetuar.
Pse ka mbijetuar?
Vërtet shumë e kanë dashur Biblën dhe kanë qenë të gatshëm ta mbrojnë me vetë jetën e tyre. Megjithatë, sekreti i mbijetesës së saj qëndron te një forcë më e madhe se dashuria e njerëzve për të. Kjo forcë është fryma e shenjtë e cila frymëzoi të gjithë ata që kontribuan për shkrimet që përbëjnë Biblën.—Isaia 40:8; 1 Pjetrit 1:25.
Leximi dhe zbatimi i mësimeve të Biblës do të na ndihmojë të kemi një jetë, shëndet dhe familje më të mirë. Perëndia do që Bibla të mbijetojë dhe të përkthehet në sa më shumë gjuhë, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të kultivojnë dashurinë ndaj Tij, t’i shërbejnë dhe në fund të gëzojnë bekimet e tij në përjetësi. Sigurisht, këtë duam të gjithë.
Jezui, në lutjen e tij drejtuar Atit qiellor, tha: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Bibla, Shkrimet që Jezui lexoi e u mësoi të tjerëve, është mjeti i Perëndisë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që bëjnë njerëzit e sinqertë.
Ju inkurajojmë me përzemërsi të mësoni më shumë rreth mesazhit të Perëndisë për njerëzimin, që gjendet në Bibël. Dëshmitarët e Jehovait, botuesit e kësaj reviste, do t’ju ndihmojnë me kënaqësi. *
[Shënimet]
^ par. 4 Kjo ide duket se ka ardhur nga dorëshkrimet e Izidorit të Seviljes, një peshkop spanjoll (560-636 të e.s.), i cili thoshte: «Ka tri gjuhë të shenjta, hebraishtja, greqishtja dhe latinishtja, dhe ato janë gjuhët më të larta në të gjithë botën. Sepse pikërisht në këto tri gjuhë u shkrua akuza kundër Zotërisë mbi kryq nga Pilati.» Sigurisht, vendimi për ta vënë akuzën në këto tri gjuhë, u mor nga romakët paganë dhe jo nën drejtimin e Perëndisë.
^ par. 28 Mund t’i kontaktoni në një prej adresave në faqen 5 të kësaj reviste ose në adresën www.watchtower.org.
[Diçitura në faqen 6]
Njerëzit e thjeshtë nuk ishin të lirë ta lexonin Biblën, kështu kleri kishte pushtet mbi masat
[Diçitura në faqen 8]
Kur i kapnin ata që guxonin ta kishin ose ta shpërndanin Biblën, i digjnin në shtyllë ose i dënonin me burgim të përjetshëm
[Kutia në faqen 9]
PËRGJIGJET E BIBLËS
Krijuesi do që ne të marrim përgjigje për këto pyetje thelbësore:
● Pse ekzistojmë?
● Pse ka kaq shumë vuajtje?
● Ku janë të vdekurit?
● Për ku është drejtuar njerëzimi?
Bibla u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe jep këshilla praktike se si të gjejmë lumturi të vërtetë.
[Tabela dhe figurat në faqet 6, 7]
TABELA KRONOLOGJIKE E SULMEVE NDAJ BIBLËS
rr. 636 i e.s.
Izidori i Seviljes pohon se hebraishtja, greqishtja dhe latinishtja janë gjuhë «të shenjta» dhe si rrjedhojë të vetmet gjuhë të përshtatshme për Biblën e Shenjtë
1079
Papa Gregori VII hedh poshtë prerazi kërkesën e Vratislavit për të përdorur gjuhën sllave në kishë, duke u shprehur se ata me «dije të kufizuara» nuk duhet të merren me Shkrimet
1199
Papa Inocenti III e konsideron heretik çdokënd që guxon ta përkthejë Biblën dhe ta bëjë objekt bisede. Ata që sfidojnë urdhrin e papës, shpesh torturohen dhe vriten
1546
Me dekret të Këshillit të Trentos, shtypja e çdo përkthimi të Biblës së pari duhet të miratohet nga Kisha Katolike
1559
Papa Pavli IV ndalon që njerëzit e thjeshtë ta kenë Biblën të përkthyer në gjuhën e tyre. Këto përkthime konfiskohen e digjen dhe shpesh ata që e zotërojnë digjen bashkë me të
[Burimet]
Papa Gregori VII: © Scala/White Images/Art Resource, NY; papa Inocenti III: © Scala/Art Resource, NY; Këshilli i Trentos: © Scala/White Images/Art Resource, NY; papa Pavli IV: © The Print Collector, Great Britain/HIP/Art Resource, NY
[Burimi i figurës në faqen 8]
Marrë nga Libri i Martirëve nga Foksi (anglisht)