Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Presioni për të qenë i pandershëm

Presioni për të qenë i pandershëm

Presioni për të qenë i pandershëm

«Ndershmëria në biznes është relikt i së kaluarës dhe ata që përpiqen të jenë të ndershëm, janë të destinuar të dështojnë.»​—Stivëni, SHBA.

A JENI dakord me këtë pohim të fortë? Duhet pranuar se, të paktën për një periudhë të shkurtër kohe, pandershmëria shpesh sjell përfitime. Prandaj, ata që duan të jenë të ndershëm, hasin një presion të fortë për arsyet e mëposhtme.

Tundimi nga vetja. E kujt nuk do t’i pëlqente të kishte më shumë para e gjëra luksoze?! Kur paraqitet mundësia për të përfituar financiarisht në mënyrë të pandershme, mund të jetë e vështirë të thuash jo.

● «Puna ime përfshin të lidh kontrata për llogari të kompanisë që përfaqësoj. Ryshfetet janë të zakonshme. Tundimi për t’u pasuruar kollaj është i fortë.»​—Franci, Lindja e Mesme.

Presioni për të përfituar sa më shumë. Vitet e fundit në gjithë botën, bizneseve u është dashur të luftojnë për t’i mbijetuar gjendjes së rëndë ekonomike. Gjithashtu, u duhet të përballen me teknologjinë që ndryshon me shpejtësi dhe me rritjen e konkurrencës rajonale e globale. Punonjësit mund të mendojnë se pandershmëria është e vetmja mënyrë për të arritur synimet që vendosin pronarët e menaxherët.

● «Menduam se duhej ta bënim këtë. . . . Ndryshe, do ta çonim kompaninë në falimentim.»​—Rajnhart Sikaçeku, i arrestuar për dhënie ryshfeti.​—Gazeta The New York Times.

Presioni nga të tjerët. Kolegët ose klientët ndonjëherë sugjerojnë ose madje kërkojnë që të bashkohesh me ta në plane të pandershme.

● «Menaxheri i një klienti të rëndësishëm m’u afrua e më tha se do ta humbja si klient nëse nuk i jepja ‘pjesën e tij’, domethënë para nën dorë.»​—Johani, Afrika e Jugut.

Kultura. Në disa kultura është zakon që marrëveshjet tregtare të shoqërohen me një shkëmbim dhuratash. Në varësi të madhësisë së dhuratës dhe rrethanave ku jepet, mund të mos jetë e qartë nëse kjo marrëveshje është e ndershme ose jo. Zyrtarët e korruptuar në shumë vende mund të kërkojnë para për të bërë punën që u takon dhe i pranojnë me kënaqësi ato në këmbim të favoreve.

● «Është gjithmonë e vështirë të dallosh dhuratën nga ryshfeti.»​—Uilliami, Kolumbi.

Ambienti. Njerëzit që jetojnë në varfëri të skajshme ose në shtete ku mungon rendi publik, hasin një presion më të madh për të qenë të pandershëm. Në ambiente të tilla, ata që nuk duan të mashtrojnë ose të vjedhin konsiderohen si të paaftë për të siguruar të mirat materiale për familjet.

● «Pandershmëria konsiderohet normale, e nevojshme dhe e pranueshme për aq kohë sa nuk zbulohet.»​—Tomasi, Kongo (Kinshasë).

Si fillon pandershmëria?

Presioni për të qenë të pandershëm është shumë i madh. Një sondazh në Australi tregonte se 9 në 10 menaxherë e konsideronin ryshfetin dhe korrupsionin «të gabuar por të pashmangshëm». Ata që u pyetën thanë se do të ishin të gatshëm të shpërfillnin normat morale për dobi të kompanisë së tyre ose për të lidhur një kontratë.

Gjithsesi, ata që tregohen të pandershëm shpesh e konsiderojnë veten të ndershëm. Si e pajtojnë sjelljen e tyre me mendimin që kanë për veten? Në Journal of Marketing Research raportohet: «Njerëzit sillen pandershmërisht për të përfituar, por sillen ndershmërisht sa për të gënjyer veten se janë njerëz të drejtë e me parime.» Për të qetësuar ndërgjegjen e përligjin, e minimizojnë ose e justifikojnë pandershmërinë në shumë mënyra.

Për shembull, pandershmëria mund të përkufizohet me terma që tingëllojnë më pak fyes. Gënjeshtra dhe mashtrimi përshkruhen si «rruga më e shkurtër» ose si «pjesë e konkurrencës». Një ryshfet mund të shihet thjesht si një «favor» ose «pagesë për të mbaruar punë shpejt».

Të tjerë e përligjin sjelljen e diskutueshme duke përvetësuar një qëndrim liberal për atë çka është e ndershme. Tomi, i cili punon në fushën e financave, vëren: «Disa konsiderojnë ndershmëri jo atë që është vërtet e drejtë, por atë që arrijnë të bëjnë pa u zbuluar.» Davidi, një ish-drejtues biznesi, thotë: «Edhe pse pandershmëria shihet me sy të keq kur zbulohet, konsiderohet e pranueshme nëse ia hedh pa u lagur. Ata që veprojnë kështu, vlerësohen si të mprehtë sepse kanë ‘aftësi krijuese’.»

Madje shumë mendojnë se pandershmëria është e domosdoshme për të pasur sukses. Një biznesmen me përvojë thotë: «Një qëndrim konkurrues i shtyn njerëzit të thonë se ‘s’duhet të lësh gur pa lëvizur për të zënë atë vend pune’.» Por a është vërtet kështu? Apo ata që e justifikojnë pandershmërinë «gënjejnë veten me arsyetime të rreme»? (Jakovi 1:22) Le të shohim disa avantazhe që ka ndershmëria të cilat do të tregohen në artikullin vijues.

[Diçitura në faqen 5]

«Disa konsiderojnë ndershmëri jo atë që është vërtet e drejtë, por atë që arrijnë të bëjnë pa u zbuluar»

[Figura në faqen 5]

Shumë mendojnë se pandershmëria është e domosdoshme për të pasur sukses