Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Pse e thashë?

Pse e thashë?

Ky artikull do të të ndihmojë të kuptosh:

PSE ndonjëherë thua diçka që s’duhet?

ÇFARË të bësh kur të shket goja?

SI t’i vësh fre gjuhës?

«Zakonisht arrij ta frenoj gjuhën, por ndonjëherë më shket goja dhe më pas më vjen të zhdukem.»​—Çejsi

«Herë-herë them gjëra që ndoshta të gjithë i mendojnë, por që s’duhen thënë me zë të lartë . . . Ups!»​—Eli

Shkrimi kyç: «Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur.» (Jakovi 3:2, Diodati i Ri) Çfarë do të thotë kjo? Që askush nuk arrin ta frenojë plotësisht gjuhën. Shumë vetave mund t’u ndodhë si Anetës, * e cila pranon: «Në trurin tim, ndonjëherë, kur duhet të ndizet drita e kuqe, ndizet jeshilja dhe goja ime lëshohet si një Ferrari.»

Histori reale: «Një shoqeje i pëlqyen disa nga rrobat që po hiqja nga gardëroba ime. Pa u menduar, i thashë: ‘Kam frikë se nuk të bëjnë.’ Ajo ma ktheu: ‘Si? Të dukem e shëndoshë?’»​—Korina.

Për të kuptuar se përse ndonjëherë edhe ti mund të nxitohesh në të folur, përpiqu t’i bësh vetes pyetjet e mëposhtme.

● Cila është dobësia ime?

․․․․․ Kam prirjen të flas në zemërim e sipër

․․․․․ Kam prirjen të flas pa u menduar

․․․․․ Kam prirjen të flas pa dëgjuar

․․․․․ Tjetër ․․․․․

Shembull: «Problemi im është se bëj shumë shaka dhe të tjerët ndonjëherë ma marrin për keq atë që them.»​—Aleksa.

● Me kë më shket më shpesh goja?

․․․․․ Me prindërit

․․․․․ Me vëllanë ose motrën

․․․․․ Me shokët

․․․․․ Tjetër ․․․․․

Shembull: «Është për të ardhur keq, por zakonisht, lëndoj më shpesh ata që dua më shumë,—thotë Kristina 20-vjeçare.—Them se kjo ndodh ngaqë me ta ndihem aq rehat, sa e lëshoj gojën.»

ÇFARË TË BËSH KUR TË SHKET GOJA?

Shkrimi kyç: «Të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes.» (Romakëve 14:19) Një mënyrë për ta bërë këtë është të kërkosh falje.

Histori reale: «Mamaja më vdiq kur isha 10-muajshe dhe babai nuk figuronte fare në jetën time, prandaj më rriti tezja me burrin e saj. Njëherë, kur isha 10 apo 11 vjeçe, ndihesha shumë e vetmuar dhe e inatosur që mamaja kishte vdekur, dhe doja të fajësoja dikë. Prandaj, kur tezja më kërkoi ta ndihmoja me diçka, zura t’i ulërija dhe në fund më dolën fjalët: ‘Të urrej’ dhe ‘Ti nuk je mamaja ime e vërtetë’. Ajo më pa e tronditur. Pastaj shkoi në dhomën e saj, mbylli derën dhe filloi të qante. Nuk e doja veten. Ajo ishte kujdesur dhe kishte bërë gjithçka për mua, kurse unë e trajtova si fundërrinë. Burri i tezes foli me mua për atë që kishte ndodhur dhe më tregoi shkrime që flitnin për frenimin e gjuhës. Më pas, i kërkova ndjesë me gjithë zemër tezes. Më duhej ta pranoja se e kisha gabim.»​—Kerëni.

Më poshtë shkruaj një arsye përse mund ta kesh të vështirë të kërkosh të falur.

․․․․․

Pse mund të ndihesh më mirë kur kërkon të falur?

․․․․․

E dhënë: Shqyrto parimet që gjenden te Proverbat 11:2 dhe te Mateu 5:23, 24.

Sigurisht, është më mirë ta parandalosh një problem, kështu që nuk do të të duhet të kërkosh falje. Si ta bësh këtë?

SI TA FRENOSH GJUHËN?

Shkrimi kyç: ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur e mos u zemëro shpejt.’ (Jakovi 1:19) Më poshtë renditen disa këshilla që do të të ndihmojnë ta zbatosh këtë shkrim.

Lexo shkrimet e mëposhtme dhe lidhe secilin me këshillën përkatëse.

Proverbat 12:16

Proverbat 17:14

Proverbat 26:20

Eklisiastiu 7:9

Filipianëve 2:3

1 «Përpiqu të mos i japësh shumë rëndësi vetes. Kështu nuk do të fyhesh kollaj.»​—Daneta.

2 «Dal për një shëtitje. Kështu kam mundësi të jem vetëm për pak kohë dhe të qetësohem.»​—Briela.

3 «Kur isha më e vogël, mendoja se duhej t’i shkoja deri në fund çdo gjëje dhe gjithçka e bëja të madhe. Por kam mësuar se është më mirë t’i kapërdij ca gjëra.»​—Selja.

4 «Nëse dikush të bërtet dhe nuk ia kthen, në fund do të lodhet. Vetëm ki durim. Mos i hidh benzinë zjarrit.»​—Kerina.

5 «Ka raste kur jam e acaruar me dikë. Më vijnë në mendje shumë gjëra që do të doja t’ia thosha. Por, kur nuk nxitohem, e kuptoj sa pa vend do të ishin ato fjalë. Kam mësuar se nuk duhet të reagosh menjëherë.»​—Çarlsi.

Për më shumë artikuj nga rubrika «Të rinjtë pyesin», mund të shkarkoni numra të tjerë të revistës Zgjohuni! nga adresa e Internetit www.pr418.com

[Shënimi]

^ par. 9 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

Eli​—Para se të them diçka, pyes veten: ‘A do të rregullojë gjë? Si do të ndikojë te tjetri?’ Nëse je në mëdyshje, atëherë më mirë mos e thuaj.

Çejsi​—Kur dua të them diçka, përpiqem të mendoj për ndikimin që do të ketë te të tjerët përreth. Mendoj se, me kalimin e kohës po mësoj ta frenoj më mirë gjuhën. Sigurisht që përvoja bën të vetën.

[Kutia në faqen 23]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Askush nuk është i përsosur. Siç shkroi Jakovi, «të gjithë ne pengohemi shumë herë», prandaj fol me prindërit dhe pyeti se çfarë kanë bërë për t’i vënë fre gjuhës.​—Jakovi 3:2.

[Figura në faqen 22]

«Po e shtrydhe tubetin, s’e kthen dot mbrapsht pastën e dhëmbëve. Njësoj është dhe me fjalët. Po nxorëm nga goja ndonjë fjalë fyese, s’e kthejmë dot mbrapsht.»​—Xhejmsi.