Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të përtypni arrë beteli?

A duhet të përtypni arrë beteli?

A duhet të përtypni arrë beteli?

NË NJË rrugë në Azinë e Jugut, një person miqësor buzëqesh duke nxjerrë dhëmbët e nxirë dhe gojën e mbushur me pështymën të kuqe gjak. Pastaj pështyn dhe lë mbi trotuar një njollë të kuqe të shpifur. Ai po përtyp arrë beteli.

Nga Afrika Lindore, Pakistani e India e deri në Azinë e Jugut, Papua Guinenë e Re dhe Mikronezi, numri i përdoruesve të arrës së betelit arrin në qindra milionë, gati sa 10 për qind e popullsisë botërore. Tregtuesit e arrës së betelit, ndonjëherë bashkë me fëmijët, nxjerrin tavolinat në treg dhe në rrugë. Kurse tregtues të tjerë vënë drita neoni dhe punësojnë vajza gjysmë të zhveshura, «bukuroshet e arrës së betelit», për të tërhequr njerëzit.

Tregtia e arrës së betelit në mbarë botën sjell miliarda dollarë fitime në vit. Po çfarë është arra e betelit? Pse e përtypin kaq shumë njerëz? Si ndikon te shëndeti? Cila është pikëpamja e Biblës për të? Si mund të hiqet ky zakon?

Çfarë është arra e betelit?

Ajo që zakonisht quhet arra e betelit, është fruta e tultë e palmës së arekës (palma e betelit), një bimë tropikale që gjendet në vendet e Azisë Juglindore dhe në vendet aziatike të Paqësorit. Emri betel vjen nga bima e betelit (piper betle) që nuk ka lidhje me palmën e arekës. Përdoruesit e arrës së betelit mbështjellin një pjesë së frutit të arekës me gjethen e betelit, duke futur edhe pak gëlqere. Gëlqerja nxit çlirimin e stimulantëve alkaloidë. Disa shtojnë erëza, duhan ose ëmbëlsues për ta bërë më të shijshme.

Ky kombinim përbërësish stimulon prodhimin e pështymës dhe e bën të kuqe. Prandaj ata që e përtypin, pështyjnë shpesh, madje edhe nga makina, pa pyetur as për kalimtarët.

Përtypen në dëm të tyre

«Arra e arekës është përdorur që nga lashtësia dhe kryesisht për arsye shoqërore kulturore e madje fetare,—thotë revista Oral Health.—Përdoruesit shpesh e konsiderojnë të padëmshme dhe thonë se jep një ndjesi mirëqenieje, euforie [dhe] ngrohtësie në trup . . . Por, provat kanë treguar se vetëm e padëmshme që nuk është.» Pse e themi këtë?

Autoritetet për parandalimin e drogave besojnë se një nga substancat e arrës së betelit të bën të varur ndaj saj. Prandaj, disa përdorues përtypin deri në 50 arra në ditë. Pa kaluar shumë, dhëmbët u bëhen me njolla dhe mund t’u sëmuren mishrat e dhëmbëve. Sipas Oral Health, përdoruesit e rregullt mund të kenë probleme me atë që quhet «mukoza e përtypësve», që është shpesh rrudhosje dhe njollosje në të kuqërremtë e membranës së mukozës që vesh gojën. Ata mund të vuajnë edhe nga një gjendje «kronike, progresive, që lë shenja . . . në mukozën e gojës», dhe kjo quhet fibrozë e nënmukozës së gojës.

Përtypja e arrës së betelit është edhe shkaktar i një forme të kancerit në gojë që quhet karcinoma spinoqelizore e cila mund të shfaqet edhe në pjesën e prapme të fytit. Këtë e vërtetojnë edhe rastet e shumta me kancer të gojës ndër të rriturit në Azinë Juglindore. Në zonën e Tajvanit, ata që përtypin arra beteli, përbëjnë rreth 85 për qind të rasteve me kancer të gojës. Përveç kësaj, siç thotë gazeta The China Post, «në Tajvan, rastet e kancerit të gojës, që është ndër 10 shkaqet kryesore të vdekjeve në këtë ishull, gati janë katërfishuar në 40 vitet e fundit».

Situata është pak a shumë e njëjtë edhe në vende të tjera. Gazeta The Papua New Guinea Post-Courier thotë se «sipas Shoqatës Mjekësore të Papua Guinesë së Re, arra e betelit, një nga gjërat më të pëlqyera në këtë vend, po vret të paktën 2.000 njerëz në vit dhe është shkaktari i shumë problemeve shëndetësore». Sipas një mjeku dhe shkrimtari për mjekësinë, «pasojat e përdorimit të vazhdueshëm të arrës së betelit janë po aq të shumëllojshme sa ato të duhanit» dhe përfshijnë sëmundjet kardiovaskulare.

Cila është pikëpamja e Biblës?

Bibla nuk është një libër mjekësor dhe aty nuk flitet në mënyrë specifike për përtypjen e arrës së betelit. Megjithatë, ajo përmban një sërë parimesh që mund të na ndihmojnë të bëjmë jetë më të pastër, më të shëndetshme dhe më të mirë. Mendoni për vargjet e mëposhtme biblike dhe pyetjet që lindin prej tyre.

«O të dashur, . . . le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, dhe ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) ‘Paraqitini trupat tuaj të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë.’ (Romakëve 12:1) A do të ishim të shenjtë ose të pastër në sytë e Perëndisë nëse do ta ndotnim trupin duke përtypur arrën e betelit?

«Falë [Perëndisë] ne kemi jetë.» (Veprat 17:28) «Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart.» (Jakovi 1:17) Jeta është dhuratë e çmuar nga Perëndia. A tregojmë respekt për këtë dhuratë po të zhytemi në vese që shkaktojnë sëmundje?

«Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve.» (Mateu 6:24) «Nuk do të lejoj asgjë që të më vërë nën pushtetin e saj.» (1 Korintasve 6:12) Ai që do pëlqimin e Perëndisë, a duhet ta lejojë veten të bëhet skllav i një vesi të papastër e ta lërë t’i kontrollojë jetën?

«Duaje të afërmin tënd si veten.» (Marku 12:31) «Dashuria nuk i bën keq të afërmit.» (Romakëve 13:10) A do të tregonim dashuri të vërtetë për të tjerët nëse ndotim rrugët, trotuaret ose vendet e tjera me pështymën e kuqe, të shpifur dhe johigjienike?

Është e pashmangshme, ‘çfarë të mbjellim, do të korrim’. (Galatasve 6:7, 8) Ky është një ligj themelor i natyrës. Pra, nëse mbjellim zakone të dëmshme, do të korrim pasoja të këqija. Ndërsa, kur jetojmë ashtu siç do Perëndia ​—e kjo përfshin edhe të kemi zakone të dobishme—​ jo vetëm do të korrim të mira kur është fjala për shëndetin, por edhe do të gjejmë lumturi të vërtetë e të përhershme. Nëse keni zakon përtypjen e arrës së betelit, por doni të keni një jetë më të mirë e më shpërblyese duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, si mund ta mposhtni këtë ves? Pse të mos luteni dhe të shqyrtoni tre hapat e provuara e të vërtetuara më poshtë?

Tre hapa për të hequr vesin

1. Gjeni një motiv të fortë. Për të lënë një ves, ju duhet një motiv më i fortë sesa vetëm dijenia për rreziqet shëndetësore. Në fund të fundit, shumë njerëz vazhdojnë të përtypin arra beteli, të pinë duhan ose drogë edhe pse e dinë fare mirë se këto vese u vënë në rrezik shëndetin dhe jetën. Për të pasur një motiv më të fortë, pse të mos mësoni për Krijuesin dhe dashurinë e madhe që ka për ju duke shqyrtuar Biblën? «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi»,—thuhet te He­brenjve 4:12.

2. Kërkojini ndihmë Perëndisë. «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet,—tha Jezu Krishti,—vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kush kërkon, merr; kush kërkon, gjen dhe kujt troket, do t’i hapet.» (Luka 11:9, 10) Kur sheh që luteni dhe kërkoni me gjithë zemër mbështetje dhe forcë nga ai, Perëndia i vërtetë, Jehovai, nuk ju shpërfill. «Perëndia është dashuri»,—thuhet te 1 Gjonit 4:8. Një prej atyre që e provuan këtë dashuri ishte Pavli, apostulli i krishterë. Ai shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:13.

3. Kërkoni mbështetjen e të tjerëve. Njerëzit me të cilët shoqëroheni, mund të kenë një ndikim të fuqishëm te ju, qoftë për mirë e qoftë për keq. «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq»,—thuhet te Proverbat 13:20. Prandaj, zgjidhini shokët me mençuri. Ndër Dëshmitarët e Jehovait ka shumë nga ata që më parë përtypnin arra beteli. Por duke u shoqëruar me bashkëbesimtarët dhe duke studiuar Biblën, morën ndihmën e mëtejshme për të cilën kishin nevojë që të mposhtnin vesin e papastër.

[Kutia dhe figurat në faqet 24, 25]

ATA E MPOSHTËN VESIN

Zgjohuni! intervistoi pesë persona që më parë përtypnin arra beteli, por që e kanë lënë prej kohësh. Ja çfarë thonë ata.

Pse filluat të përtypni arra beteli?

Paulina: Prindërit ma mësuan arrën e betelit që kur isha fëmijë. Kështu ishte zakoni në fshatin tim ishullor të Papua Guinesë së Re.

Beti: Babai më dha arrë beteli kur isha dy vjeçe. Në moshën e adoleshencës, mbaja shumë arra beteli me vete, sikur të isha pemë beteli. Isha bërë kaq e varur, sa gjëja e parë që bëja sa hapja sytë në mëngjes, ishte përtypja e arrës së betelit.

Uen-Çangu: Fillova të përtypja arra beteli kur isha 16 vjeç. Nëse përtypje arra beteli, konsideroheshe i kohës e i rritur dhe doja të isha i pranuar nga të tjerët.

Xhiel-Liana: Shisja arra beteli për të mbajtur veten financiarisht. Që të shisja shumë, duhej të sigurohesha që malli ishte i cilësisë më të mirë dhe fillova ta provoja. Kështu m’u kthye në ves.

Si ndikoi ky ves te shëndeti juaj?

Xhiel-Liana: Goja, dhëmbët dhe buzët m’u mbuluan me njolla gjak të kuqe. Më vjen turp kur shoh veten në fotografitë e atyre kohëve. Akoma vuaj nga ulcera në buzë.

Paulina: Vuaja nga ulcera në gojë, të përzierat dhe diarreja.

Beti: Peshoja 35 kilogramë. Isha shumë nën peshë për një të rritur me gjatësinë time. Dhëmbët më ishin shëmtuar dhe shpesh i pastroja e i fërkoja me tel enësh.

Semi: Vuaja nga diarreja dhe kisha probleme me mishrat e dhëmbëve. Tani më ka mbetur vetëm një dhëmb. Me sa duket, teli i enëve nuk më ndihmoi.

Pse e latë?

Paulina: Lexova te 2 Korintasve 7:1 në Bibël se Perëndia do që «të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit». Vendosa të përpiqesha fort që t’i pëlqeja Krijuesit.

Semi: Doja që fryma e shenjtë e Perëndisë të vepronte në jetën time, kështu që iu luta Jehovait të më ndihmonte t’i rezistoja tundimit për t’iu kthyer arrës së betelit. Ai iu përgjigj lutjeve të mia. Nuk kam përdorur më arra beteli prej gati 30 vjetësh.

Xhiel-Liana: Ndërsa lexoja Biblën, gjeta shkrimin: «Pastroni duart tuaja, o mëkatarë.» (Jakovi 4:8) Këto fjalë më prekën jashtë mase. A ishte e drejtë të përdorja dhe të shisja arra beteli duke ditur dëmet që shkaktonte? Sakaq vendosa ‘të pastroja duart e mia’ nga ky ves që ndot trupin dhe prish marrëdhënien me Perëndinë.

Çfarë dobish keni nxjerrë ngaqë e keni lënë?

Uen-Çangu: Fillova të përtypja arra beteli, që të isha i pranuar nga bashkëmoshatarët. Tani kam marrëdhënie shumë më të çmuara, si me Jehovain, ashtu edhe me motrat e vëllezërit e krishterë.

Semi: Tani gëzoj shëndet dhe marrëdhënie më të mirë me Perëndinë. Ngaqë nuk i shpërdoroj paratë me vese të këqija, jam më tepër në gjendje të kujdesem për familjen.

Paulina: Ndihem e lirë dhe e pastër. Dhëmbët i kam të bardhë dhe të fortë. Nëpër shtëpinë dhe kopshtin tim nuk sheh më lëvozhga arre beteli dhe njolla të kuqe të shpifura.

Beti: Kam një ndërgjegje të pastër dhe shëndet shumë më të mirë. Në fakt, jam në gjendje të punoj si mësuese dhe t’i shërbej Perëndisë në kohë të plotë.

[Figurat]

Beti

Paulina

Uen-Çangu

Xhiel-Liana

Semi

[Diagrami dhe figurat në faqen 23]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Përtypja e rregullt e arrës së betelit mund të çojë në sëmundje të rënda

Dhëmbë me njolla dhe sëmundje të mishrave të dhëmbëve

Fibrozë e nënmukozës së gojës

Karcinomë spinoqelizore e gojës

[Figura në faqen 22]

Arra beteli të mbështjella me gjethe beteli