A është projektuar?
Instinkti inxhinierik i grerëzës së letrës
● Grerëzat e letrës janë përshkruar si mjeshtre të inxhinierisë. Pse u shkon për shtat ky përshkrim?
Shqyrtoni faktet: Siç tregon edhe vetë emri, grerëza e letrës e ndërton dhe e mirëmban folenë e saj të përbërë me një lloj letre të veçantë që e prodhon vetë. * Ajo mbledh fibra bimësh dhe drurësh të tharë kudo që të jenë, në trungjet e prera, në hunjtë e gardheve, në shtyllat e telefonit dhe në materialet e ndërtimit. Pastaj i përtyp fibrat e pasura me celulozë duke shtuar pështymën ngjitëse dhe me përmbajtje të lartë proteinike. Pas këtij procesi, brumi i përftuar thahet e kështu formohet një letër e lehtë, e fortë dhe rezistente. Pështyma e saj ka veti të veçanta që e bëjnë letrën të atillë që të thithë nxehtësi dhe ta çlirojë, duke ruajtur kështu brenda hojëzave temperaturën e duhur në ditë të freskëta.
Grerëza e ndërton folenë «kafshatë pas kafshate». Rezultati përfundimtar është një grumbull hojëzash gjashtëkëndore që formojnë një si çadër prej letre ku nuk depërton uji. Forma gjashtëkëndore ndihmon që hojëza të jetë e fortë dhe me hapësirë të bollshme. Grerëzat që jetojnë në vende të lagështa thjesht shtojnë sasinë e pështymës ngaqë ka veti kundër ujit. Megjithatë, ajo zgjedh vende që ofrojnë njëfarë strehe mbrojtëse. Poshtë tyre e var folenë me kokë poshtë në një si bisht. Gjithashtu, ndryshe nga proceset e prodhimit të letrës që ndotin ajrin, ujin e dheun, këto grerëza nuk e ndotin mjedisin.
Kuptohet, arkitektët dhe kërkuesit po studiojnë lëndën që prodhon grerëza me synimin për të krijuar materiale ndërtimi më cilësore që janë të lehta, të forta, më elastike dhe të dekompozueshme.
Si mendoni? A e kuptoi vetë ky insekt me tru as sa dy kokrriza rëre si të bënte letrën dhe arkitekturën e folesë së vet? Apo këto aftësi kimike dhe mekaniko-inxhinierike dëshmojnë për një projektues?
[Shënimi]
^ par. 4 Shumë lloje grerëzash ndërtojnë fole prej letre. Hojëzat shërbejnë si dhomëza për vezët të cilat bëhen larva.