Katër pyetje që duhet të bësh për rrjetet shoqërore
Katër pyetje që duhet të bësh për rrjetet shoqërore
Ashtu si me pothuajse çdo përdorim të Internetit, edhe rrjetet shoqërore kanë rreziqet e veta. * Me këtë në mendje,le të shqyrtojmë pyetjet e mëposhtme.
1 Si ndikojnë rrjetet shoqërore në privacitetin tim?
«Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja, por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.»—Proverbat 10:19.
Çfarë duhet të dish? Nëse nuk tregon kujdes, të tjerët mund të zbulojnë shumë gjëra nga të dhënat në profilin tënd, fotografitë, freskimi i statusit (mesazhe të shkurtra që u dërgon shokëve në listë) dhe komentet (përgjigjet që ti shton në statusin e të tjerëve). Për shembull, mund të kuptojnë gjëra të tilla, si ku banon, kur je ose nuk je në shtëpi, ku punon ose në ç’shkollë shkon. Mjafton adresa dhe një koment yti, si «Nesër nisemi me pushime», për t’u treguar hajdutëve se kur dhe ku të vjedhin.
Hollësi të tjera, si adresa e email-it, data e lindjes ose numri i telefonit, të bëjnë pre më të lehtë të ngacmimeve, prepotencës ose vjedhjes së identitetit. E megjithatë, ka mjaft njerëz që i futin pa problem këto të dhëna në faqen e tyre të rrjetit shoqëror.
Zakonisht njerëzit harrojnë se po fute një të dhënë në Internet, ai bëhet informacion publik. Ndonëse përcaktojnë që statusin e tyre ta lexojnë «Vetëm shokët», prapëseprapë nuk e kontrollojnë dot atë çfarë mund të bëjnë shokët me këto informacione. Po, çdo gjë që fut në një rrjet shoqëror, duhet të konsiderohet si publik ose material që mund të bëhet publik fare lehtë.
Ç’mund të bësh? Informohu mirë për opsionet e ruajtjes së privacitetit në rrjetin tënd shoqëror dhe përdori. Mos lejo që statusin dhe fotografitë e tua t’i shohin njerëz që nuk i njeh dhe nuk u zë besë.
Edhe në këto raste, ki parasysh se ajo që poston, mund të bëhet më publike se ç’mendon. Kontrollo rregullisht faqen dhe pyet veten nëse ndonjë gjë që ke treguar mund të përdoret nga njerëz të paskrupull që të gjejnë vendndodhjen tënde ose të vjedhin identitetin tënd. As midis shokësh, mos posto informacione që mund të dhunojnë privacitetin tënd ose të dikujt tjetër. (Proverbat 11:13) Nëse ke ndonjë informacion delikat për të treguar, përdor një mënyrë tjetër komunikimi. «Telefoni është më personal dhe ruan më mirë konfidencialitetin»,—thotë një vajzë me emrin Kameron.
Përfundimi. Një grua me emrin Kim e përmbledh mjaft mirë këtë. «Nëse tregon kujdes me atë që bën,—thotë ajo,—mund ta ruash deri në njëfarë mase privacitetin në rrjetet shoqërore. Nuk ka pse të kesh telashe nëse nuk e lejon.»
2 Si ndikojnë rrjetet shoqërore te koha ime?
‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.
Ç’duhet të dish? Rrjetet shoqërore të hanë goxha kohë dhe të shpërqendrojnë nga gjëra më të rëndësishme. Siç shprehet një grua me emrin Keji, «sa më shumë shokë të kesh në listë, aq më shumë kohë do të harxhosh në rrjet dhe aq më i varur do të bëhesh». Shih çfarë thonë disa që mendojnë se kishin rënë në këtë grackë.
«Është e vështirë të shkëputesh nga rrjetet shoqërore, edhe nëse nuk të pëlqejnë aq shumë. Gati të bëhen fiksim.»—Eliza.
«Ka kaq shumë gjëra për të parë e për të bërë, lojëra, teste, faqe për fansat e muzikës, pa përmendur shikimin e profilit të të gjithë shokëve.»—Blejni.
«Është si vorbull që të thith dhe nuk e kupton që të ka përpirë, derisa vjen mami në shtëpi dhe të pyet se përse nuk janë larë enët.»—Analisa.
«Në njëfarë pike, kuptova se mezi prisja të kthehesha nga shkolla vetëm për të parë se kush i ishte përgjigjur postës sime. Dhe pastaj më duhej t’u përgjigjesha të gjithëve dhe të shihja të gjitha fotografitë e tyre të fundit. Gjatë kohës që isha në rrjet bëhesha si me nerva dhe e kisha zët kur më ndërpritnin. Disa që njoh, nuk shkëputen një sekondë nga rrjeti, as kur janë të ftuar në shtëpitë e të tjerëve e as në orare të vona.»—Megani.
Ç’mund të bësh? Koha është thesar; nuk mund t’ia lejosh vetes ta shpërdorosh. Prandaj, pse të mos e planifikosh kohën, ashtu siç planifikon harxhimin e parave? Së pari, cakto një sasi kohe që mendon se është e arsyeshme të kalosh në rrjet. Pastaj mbaj shënim për një muaj nëse i je përmbajtur programit. Bëj rregullime nëse ka nevojë.
Nëse je prind dhe fëmijët e tu adoleshentë kalojnë tepër kohë me rrjetet shoqërore, përpiqu të shkosh në rrënjë të problemit. Për shembull, në librin e saj Cyber-Safe Kids, Cyber-Savvy Teens, Nensi E. Uillardi thekson se përdorimi i tepërt i rrjeteve shoqërore mund të ketë lidhje me ankthin, stresin dhe mosvlerësimin e vetes. «Shumë adoleshentë merakosen së tepërmi për pozitën e tyre shoqërore,—shkruan ajo.—Nëse adoleshentët e matin vlerën e tyre në shoqëri me intensitetin e komunikimit elektronik me shokët, mund të bëhen të varur.»
Mos lejo kurrë që rrjetet shoqërore ose çfarëdolloj përdorimi tjetër i Internetit të ndërhyjë në miqësitë që duhet të kultivosh brenda familjes. «Një nga paradokset e Internetit,—shkruan Don Tepskoti në librin e tij Grown Up Digital,—është se, ndërkohë që i ndihmon pjesëtarët e familjes të lidhen kur janë larg, i ndan kur janë në shtëpi.»
Përfundimi. Një vajzë me emrin Emili, thotë: «Mendoj se rrjetet shoqërore janë një mënyrë fantastike për t’u lidhur me njerëzit. Por, ashtu si me çdo gjë tjetër, duhet të dish kur të shkëputesh.»
3 Si ndikojnë rrjetet shoqërore në reputacionin tim?
«Reputacioni i mirë dhe respekti vlejnë shumë më tepër se ari e argjendi.»—Proverbat 22:1, Contemporary English Version.
Ç’duhet të dish? Me atë që fut në rrjetin shoqëror ti skalit një reputacion që vështirë të fshihet. (Proverbat 20:11; Mateu 7:17) Shumë ndoshta nuk i kuptojnë rreziqet e mundshme. «Duket se, kur njerëzit futen në një rrjet shoqëror, humbasin arsyen,—thotë një vajzë me emrin Rakela.—Thonë gjëra që normalisht nuk do t’i thoshin. Disa nuk e kuptojnë se mund ta prishin reputacionin vetëm duke postuar diçka të pahijshme.»
Prishja e reputacionit në një rrjet shoqëror, mund të ketë pasoja afatgjata. Në librin Grown Up Digital thuhet: «Kemi dëgjuar shumë raste për përdorues të rrjeteve shoqërore që kanë humbur punën ose nuk i kanë marrë në punë për shkak të asaj që kanë postuar në rrjet.»
Ç’mund të bësh? Hidhi një sy faqes sate në rrjetin shoqëror dhe përpiqu ta shohësh me syrin që do ta shihnin të tjerët. Bëji vetes këto pyetje: «Vërtet kështu dua që të më shohin? Nëse dikush do të shihte fotot që kam postuar dhe do të përshkruante karakterin tim në bazë të tyre, çfarë epitetesh do t’i vinin në mendje? «Flirtues? Seksi? Qejfli festash?» Nëse po, a dua që të tjerët të më shohin me këtë sy, për shembull kur të kërkoj një punë dhe punëdhënësi im i ardhshëm të shohë faqen time? A janë këto fotografi vërtet në përputhje me parimet që ndjek?»
Nëse je një i ri, pyet veten: «Po sikur të hynin në faqen time prindërit, një mësues ose një i rritur tjetër që e vlerësoj? A do të më vinte turp nga ajo që do të shihnin e lexonin?»
Përfundimi. Kur bëhet fjalë për reputacionin tënd, kujto fjalët e apostullit Pavël: «Çka mbjell, atë do të korrësh!»—Galatasve 6:7, ECM.
4 Si ndikojnë rrjetet shoqërore në miqësitë e mia?
«Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»—Proverbat 13:20.
Ç’duhet të dish? Miqësitë ndikojnë në mënyrën si mendon e si vepron. (1 Korintasve 15:33) Kjo do të thotë se duhet të jesh përzgjedhës me shoqëritë në rrjetet shoqërore. Disa pranojnë në listën e tyre të shokëve dhjetëra e madje qindra njerëz që nuk i njohin mirë ose nuk i njohin fare. Të tjerë zbulojnë se jo të gjithë në listën e shokëve janë shoqëri e mirë. Ja çfarë kanë thënë disa.
«Nëse dikush pranon në listën e miqve çdo Tom, Dik e Heri, herët a vonë do të hyjë në telashe.»—Analisa.
«Shumë veta që njoh, pranojnë kërkesat për shokë edhe nga ata që nuk duan t’i kenë në listë sepse nuk duan t’i fyejnë.»—Liana.
«Është njësoj si të shoqërohesh drejtpërdrejt me ata njerëz. Duhet të bësh kujdes me zgjedhjen e shokëve.»—Aleksa.
Ç’mund të bësh? Vendos «rregulla për miqësinë». Për shembull, disa i kanë vënë kufij vetes në lidhje me zgjedhjen e shokëve:
«I lejoj njerëzit të bëhen shokët e mi vetëm nëse i njoh, domethënë nëse i njoh mirë, jo thjesht u di emrin.»—Xhini.
«Bëhem shok vetëm me ata që i njoh prej kohësh. Nuk pranoj kurrë të panjohur.»—Monika.
«Më pëlqen të shtoj në listë vetëm ata që njoh mirë dhe që e di se kanë të njëjtat norma me mua.»—Rea.
«Nëse marr një kërkesë për të pranuar në listë dikë që nuk e njoh, nuk e pranoj. Është kollaj fare. Të gjithë shokët e mi janë njerëz që i njoh dhe që tashmë i kam pasur shokë edhe jashtë Internetit.»—Maria.
«Nëse një shok fillon të postojë fotografi ose mesazhe që më duken të papërshtatshme, nuk më vjen keq fare ta heq nga lista. Edhe vetëm po të shohësh postën e tyre, është shoqëri e keqe.»—Kimi.
«Kur kisha faqen time në një rrjet shoqëror, kisha vendosur shumë rregulla të forta për privacitetin. Nuk lejoja që shokët e shokëve t’i shihnin fotografitë e mia, por vetëm shokët e mi. E bëja këtë se nuk e dija me siguri nëse shokët e shokëve ishin shoqëri e mirë për mua. Nuk i njihja ose nuk e dija çfarë reputacioni kishin.»—Hedhëri.
Përfundimi. Dr. Guen Shurgin O’Kefe shkruan në librin e saj CyberSafe: «Rregulli më i mirë është të pranosh si shok vetëm njerëz që i njeh dhe me të cilët ke lidhje jashtë Internetit.» *
^ par. 2 Për më shumë informacion për rrjetet shoqërore, shih revistën Zgjohuni! të korrikut 2011, faqet 24-27 dhe të gushtit 2011, faqet 10-13.
^ par. 42 Zgjohuni! as përkrah e as dënon ndonjë rrjet shoqëror në veçanti. Të krishterët duhet të sigurohen që mënyra si e përdorin Internetin, të mos shkelë parimet biblike.—1 Timoteut 1:5, 19.
[Kutia në faqen 8]
MOS HARRO TË KLIKOSH SIGN OUT!
Nëse nuk klikon Sign out (Dilni) kur nuk je i pranishëm, rrezikon që të tjerët të postojnë çfarë të duan në faqen tënde. Sipas avokatit Robert Uilson, kjo është «njësoj si të lësh portofolin ose celularin mbi një tavolinë pikniku në një vend publik. Kushdo mund të ulet dhe të postojë çfarë të dojë në faqen tënde.» Çfarë këshillon ai? «Sigurohu që të klikosh Sign out.»
[Kutia në faqen 8]
A PO I NDJELL TELASHET?
Nga një anketim i revistës Consumer Reports u zbulua se mjaft përdorues të rrjeteve shoqërore «u futen rreziqeve që çojnë në vjedhje shtëpish, vjedhje identiteti dhe gjurmim personi. Pesëmbëdhjetë për qind kishin postuar ku ndodheshin në atë moment ose planet e udhëtimit, 34 për qind datën e plotë të lindjes dhe 21 për qind e atyre me fëmijë në shtëpi kishin postuar emrat dhe fotografitë e fëmijëve.»