Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Komunikimi në kohë

Komunikimi në kohë

Komunikimi në kohë

● Përfytyro këtë situatë imagjinare. Njerëzit e quanin Semin «të prapambetur». Për vite e vite, ai refuzonte të fuste në shtëpi teknologjinë e re, që ishte një mënyrë për të mbajtur lidhje me familjen dhe miqtë. Të gjithë, madje edhe fëmijët e tij adoleshentë, donin ta përdornin atë mjet komunikimi. Një ditë, Semi i tha me qesëndi vajzës së tij 16-vjeçare: «Eh, të merr malli për kohën kur njerëzit flisnin sy më sy.»

Pastaj filloi të mendonte për pikëpamjen e tij. Mendja i shkoi te njerëzit me të cilët nuk kishte folur ose nuk i kishte takuar prej vitesh. Mendoi për familjarët që ishin aq të zënë, sa i dukej se i kishte humbur lidhjet me ta. «Nëse dua t’i mbaj lidhjet me të gjithë këta njerëz,—tha me vete Semi,—mbase duhet të pranoj të renë.» Ishte mesi i shekullit të 20-të në zonat rurale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Semi, «i prapambeturi», më në fund po mësohej me idenë se duhej të fuste telefonin në shtëpi.

Tani të kthehemi në vitin 2012. Nipi i Semit, Nejthëni, sapo ka mbaruar telefonatën me shokët e tij të ngushtë, Roberton dhe Anxhelën, që ishin transferuar në anën tjetër të botës. «Ikën para dhjetë vjetësh»,—mendoi ai, i habitur se si kishte fluturuar koha.

Gjatë viteve, Nejthëni është mjaftuar me ndonjë telefonatë tek⁠-⁠tuk nga familjarët dhe miqtë që jetonin larg. Por tani, duket se të gjithë, madje edhe fëmijët e tij adoleshentë, përdorin rrjetet shoqërore për të mbajtur lidhjet.

Njerëzit e quajnë Nejthënin «të prapambetur» sepse e ka zët teknologjinë e re. «Kam mall për kohën kur flisje në telefon dhe i dëgjoje zërin dikujt»,—thotë ai. Por tani Nejthëni po fillon të ndryshojë mendje. «Nëse dua t’i mbaj lidhjet me të gjithë këta njerëz,—thotë me vete,—mbase duhet të pranoj të renë.»

A ke pasur edhe ti të njëjtën pikëpamje si Nejthëni? Nga natyra, njerëzve u pëlqen të komunikojnë me njëri-tjetrin. (Zanafilla 2:18; Proverbat 17:17) Meqë kaq shumë njerëz po lidhen me anë të rrjeteve shoqërore, atëherë çfarë duhet të dimë për këtë teknologji?