Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Lavdia» e yjeve

«Lavdia» e yjeve

«Lavdia» e yjeve

A JENI mahnitur ndonjëherë duke parë mijëra e mijëra yjet që duken nga toka në një natë të kthjellët? Teksa soditnit me ëndje, mund të keni vënë re se ato pika vezulluese drite ndryshojnë nga njëra-tjetra për nga shkëlqimi, e madje edhe ngjyra. Me të drejtë Bibla thotë: «Ylli ndryshon nga ylli për nga lavdia.»​—1 Korintasve 15:⁠41.

Pse yjet ndryshojnë për nga lavdia ose, siç do të thoshim ne, për nga shkëlqimi? Pse, për shembull, disa duken të bardhë, kurse të tjerë blu, të verdhë ose të kuq? Pse vezullojnë?

Yjet janë si furra gjigante, në brendësi të të cilave ndodhin reaksione bërthamore që çlirojnë sasi të pallogaritshme energjie. Kjo energji zhvendoset në shtresat e jashtme të yllit dhe nga aty rrezatohet në hapësirë, kryesisht në formën e dritës së dukshme dhe të rrezeve infra të kuqe. Mbase ju duket e habitshme, por yjet më të nxehtë janë ata blu, kurse më të ftohtët janë ata të kuq. Pse ndryshon ngjyra?

Drita mund të mendohet si një vërshim grimcash të quajtura fotone, të cilat ­veprojnë edhe si valë të ngarkuara me energji. Yjet me temperaturë më të lartë lëshojnë fotone me energji më të lartë, të cilat kanë gjatësi vale më të shkurtër në skajin blu të spektrit. Kurse yjet më të ftohtë lëshojnë fotone me energji më të ulët, të cilat gjenden drejt skajit të kuq të spektrit. Drita që lëshon Dielli ynë qëndron pak a shumë në mes të spektrit, sepse sasia e madhe e dritës së tij është në rrezen që shtrihet nga e gjelbra tek e verdha. Atëherë pse nuk duket gjelbërosh? Sepse ai lëshon një sasi të madhe drite në të gjitha gjatësitë e valëve të dukshme. Kështu, i parë nga hapësira, dielli ynë duket i bardhë.

Atmosfera e tokës «ngjyros» Diellin

Ne e shohim diellin nëpërmjet filtrit të atmosferës dhe kjo i jep atij pamje të ndryshme në varësi të kohës gjatë ditës. Për shembull, në mesditë dielli zakonisht ka ngjyrë të verdhë të shndritshme. Por gjatë lindjes dhe perëndimit, kur puqet me vijën e horizontit, mund të duket portokalli, e madje i kuq. Ky ndryshim ngjyre ndodh për shkak të molekulave të gazit, avujve të ujit dhe grimcave të ndryshme mikroskopike në atmosferën e tokës.

Falë përbërjes së saj, atmosfera përçon dritën diellore blu dhe ngjyrëvjollcë, duke i dhënë qiellit në një ditë të kthjellët një ngjyrë blu të mrekullueshme. Pa ngjyrën blu dhe vjollcë në zonën e dukshme të spektrit të dritës, drita e drejtpërdrejtë që mbetet në mesditë është në mënyrë mbizotëruese e verdhë. Por kur dielli është shumë poshtë në horizont, para se të arrijë te ne, drita e tij e përshkon atmosferën në një kënd minimal pjerrësie. Si rezultat, drita e diellit përshkon më shumë atmosferë, e cila tani shpërndan edhe më shumë dritë në rrezen blu, si edhe dritë jeshile. Kështu, në perëndim dielli mund të duket si një lëmsh i zjarrtë që kuqëlon e të lë pa mend.

Qielli ngjyra-ngjyra i natës

Ndjeshmëria e syrit tonë përcakton në mënyrë të konsiderueshme se si na duket qielli i natës. Syri ynë e merr dritën nëpërmjet dy sensorëve​—koneve dhe kleçkave. Konet shërbejnë për të dalluar ngjyrat, por në dritë shumë të zbehtë ato nuk funksionojnë. Kurse kleçkat, megjithëse nuk i kapin ngjyrat, janë fotoreceptorë jashtëzakonisht të aftë. Në fakt, në kushte ideale, kleçka mund të shquajë edhe një foton të vetëm. Megjithatë ndjeshmëria e kleçkave ndryshon ndaj gjatësive të valëve më të shkurtra në skajin blu të spektrit. Për pasojë, kur shohim me sy të lirë yje të zbehtë me të njëjtën ndritshmëri, ka të ngjarë që të jemi duke parë yje blu, por jo yje të kuq. E mira është që sot nuk jemi të kufizuar të shohim vetëm me sy të lirë.

Dylbitë dhe teleskopët na e rritin aftësinë për të parë objekte të zbehta në qiellin e natës, si yjet, galaktikat, kometat dhe mjegullnajat. Madje edhe me to, pamja ndikohet disi nga atmosfera. Këtij problemi i ka dhënë ­zgjidhje Teleskopi Hapësinor Habëll ose HST, i cili orbiton rreth tokës. Mrekulli e teknologjisë, HST-ja mund të dallojë objekte që janë 10 miliardë herë më të zbehta se ato që mund të shohim me sy të lirë. Si rrjedhojë, HST-ja ka sjellë pamje të mahnitshme të objekteve në hapësirën kozmike, duke përfshirë galaktika, re pluhuri ndëryjor dhe re gazi të quajtura mjegullnaja.

Sidoqoftë, teleskopët e rinj me bazë në tokë janë po aq, e madje edhe më të aftë se HST-ja në disa aspekte. Për shembull, falë teknikave të zgjuara korrigjuese ndaj efekteve të atmosferës, këta teleskopë të rinj u japin mundësi astronomëve të shohin pamje me rezolucion më të lartë ose më shumë hollësi sesa me ndihmën e HST-së. Një shembull është Observatori U. M. Kek në Havaji, ku është montuar teleskopi Keck I, një nga teleskopët më të mëdhenj optikë në botë. Nëpërmjet tij, astronomi Piter Tëthill i Universitetit të Sidneit, Australi, zbuloi retë e pluhurit që dalin nga sistemet me yje të dyfishtë në yjësinë e Shigjetarit që nga këndvështrimi ynë duket sikur është afër qendrës së galaktikës sonë Udha e Qumështit.

Sa më thellë e vëzhgojnë astronomët kozmosin, aq më shumë yje dhe galaktika zbulojnë. Sa është numri i tyre? Ne vetëm mund të hamendësojmë, kurse Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, e di me saktësi. «Ai numëron yjet dhe i thërret të gjitha me emër»,—thotë Psalmi 147:4.

Profeti Isaia u shpreh në mënyrë të ngjashme. Madje, me një saktësi shkencore për t’u pasur zili, ai tha se universi është vepër e energjisë së pafund të Perëndisë. «Ngrini sytë lart dhe shikoni,—shkroi ai.—Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër. Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.»​—Isaia 40:26.

Si e dinte Isaia, që jetoi rreth 2.700 vjet më parë, se universi është vepër e energjisë së pafund të Perëndisë? Me siguri nuk e tha nga mendja e vet. Përkundrazi, ai shkroi atë që i dha nën frymëzim Jehovai. (2 Timoteut 3:16) Kështu, ai dhe shkrimtarët e tjerë të Biblës bënë diçka që s’mund ta bëjë asnjë tekst shkencor ose teleskop. Ata treguan se kush ishte Ai që ua dha yjeve bukurinë dhe lavdinë.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

PSE VEZULLOJNË YJET?

Yjet vezullojnë ose duken sikur ndryshojnë paksa shkëlqimin dhe vend­ndodhjen për shkak të turbullimeve në atmosferën e tokës. Le ta ilustrojmë me një shembull. Përfytyroni dritëza të vockla në fund të një pishine. Si duken dritat kur uji valëzon? Ato vezullojnë, njësoj si yjet. Kurse dritat më të mëdha ndikohen më pak. Planetët janë si këto drita më të mëdha, jo sepse janë më të mëdhenj sesa yjet, por sepse janë shumë më afër tokës ndaj duken më të mëdhenj.

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

A JANË NATYRALE NGJYRAT E PAMJEVE? NGJYRAT E PAMJEVE?

Falë Teleskopit Hapësinor Habëll (HST) ka të ngjarë të keni parë pamje të mahnitshme e plot ngjyra të galaktikave, mjegullnajave dhe yjeve. Por, a janë të vërteta ngjyrat? E vërteta është se ato janë një riprodhim, një gërshetim i artit me shkencën. Pamjet që vijnë nga HST-ja janë bardhë e zi, por të bëra me filtra me ngjyra. Astronomët dhe specialistët e imazhit përdorin teknologji moderne dhe pro­grame kompjuterike për nxjerrjen e pamjeve përfundimtare, nganjëherë për të riprodhuar sa më afër që të jetë e mundur ato që mendojnë se janë ngjyrat natyrale të objekteve qiellore.* Në raste të tjera, astronomët nxjerrin qëllimisht pamje me ngjyra jo natyrale për të nxjerrë në pah disa gjëra, mbase për qëllime studimi.

[Shënimi]

Kur përdorim teleskopin për të vëzhguar objektet e zbehta në qiellin e natës, qelizat e konit të syrit ia kalojnë detyrën qelizave të kleçkave, të cilat nuk mund t’i dallojnë ngjyrat.

[Figurat]

Bardhë e zi

E kuqe

E gjelbër

Blu

Pamja përfundimtare pas bashkimit të tri ngjyrave

[Burimi]

J. Hester dhe P. Scowen (AZ State Univ.), NASA

[Figura në faqen 16]

Ylli V838 Monocerotis

[Figura në faqen 16]

Galaktika ndërvepruese Arp 273

[Burimi i figurës në faqen 15]

NASA, ESA dhe Hubble Heritage (STScI/AURA) -ESA/Hubble Collaboration

[Burimet e figurave në faqen  16]

V838: NASA, ESA dhe H. Bond (STScI); Arp 273: NASA, ESA dhe Hubble Heritage Team (STScI/AURA