Mençuri për syrin
Mençuri për syrin
● Syri i njeriut është një vepër arti. Por nuk është vetëm i bukur. Ai ka edhe një ndikim të fuqishëm. Një libër thotë se «dyzet për qind e të gjitha fijeve nervore të lidhura me trurin, janë të lidhura me retinën», një ind i hollë dhe i ndërlikuar që vesh pjesën e brendshme të syrit.—Visual Impact, Visual Teaching.
Jezui me të drejtë e quajti syrin «llamba e trupit». Duke shpjeguar ç’donte të thoshte, vazhdoi: «Nëse syri yt është i thjeshtë [i sinqertë, i përqendruar në gjëra të mira], gjithë trupi do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i lig, gjithë trupi do të jetë i errët.» (Mateu 6:22, 23) Me një gjuhë të figurshme, Jezui po theksonte ndikimin e fuqishëm që mund të ketë syri te mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona. Mendimet e mira e ndriçojnë jetën tonë, kurse mendimet e këqija e errësojnë.
Për shembull, shikoni se çfarë thuhet te Mateu 5:28, 29: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe [në kuptim të figurshëm].» Çfarë donte të thoshte ai? Syri që endet sa andej-këtej, mund të ndezë dëshira të gabuara te dikush deri në atë pikë sa, me t’iu dhënë mundësia, të kryejë imoralitet dhe të humbasë miratimin e Perëndisë.—Jakovi 1:14, 15.
Sa mirë është të ushtrojmë vetëkontroll, edhe nëse kjo është aq e vështirë sa mund të krahasohet me heqjen e syrit. Por, a ia vlen të humbasim shpresën për jetën e përhershme vetëm për disa çaste kalimtare kënaqësie seksuale?
Ajo që shohim, mund të ushqejë lakminë. Prandaj, Bibla na paralajmëron se ‘dëshirat [egoiste] të syve nuk vijnë nga Ati, por nga bota. Dhe bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.’—1 Gjonit 2:16, 17.
A është tepër kufizuese Bibla? Kurrsesi. Të shpërfillësh normat e saj, do të thotë t’u lësh shteg problemeve dhe një jete të palumtur. (Galatasve 6:7, 8) T’i vësh veshin Fjalës së Perëndisë, përfshirë edhe këshillave të saj të mençura për syrin, do të thotë të mbjellësh për lumturinë. «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—tha Jezui. (Luka 11:28) Përveç kësaj, ata kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Kurse ata që ushqejnë një sy imoral ose lakmitar, humbasin edhe lumturinë, edhe jetën.