Një qytet unik prej letre
Një qytet unik prej letre
«QYTET prej letre?»—mund të pyesni. Po, por nuk është një qytet i vërtetë, por një maket. Bëhet fjalë për qytetin e Pragës, kryeqytetin e Republikës Çeke dhe ky maket ruhet në Muzeun e Bashkisë së Pragës. Ai që e bëri, ishte Antonin Lengvajli, i cili punoi për këtë model prej letre për 11 vjet, nga viti 1826 deri më 1837, vit në të cilin vdiq. Çfarë e shtyu Lengvajlin të ndërmerrte një projekt kaq të vështirë?
Lengvajli lindi më 1791 në qytetin e Postolopërtit, tani pjesë e Republikës Çeke. Pasi studioi për litografi në Akademinë e Arteve në Vienë, Austri, hapi punishten e parë të litografisë në Pragë. Por, si biznesmen nuk pati sukses dhe falimentoi. Në vitin 1826, gjatë vizitës në një ekspozitë në Pragë, pa një maket prej allçie të qytetit të Parisit, Francë. I frymëzuar nga ajo që pa, Lengvajli vendosi të bënte një maket të Pragës, duke përdorur karton dhe tek-tuk dru.
Por në fillim, për disa vjet Lengvajli regjistroi me kujdes hollësi të Pragës. Përshkoi çdo rrugë, duke bërë skica dhe duke shënuar vendndodhjen e saktë të ndërtesave, stolave në parqe, barakave, statujave dhe pemëve. Madje përfshiu në projekt edhe fuçitë që pa përtokë, xhamat e thyera të dritareve, një shkallë të mbështetur në mur dhe stiva drush. Pastaj filloi të ndërtonte maketin në një shkallë zvogëlimi 1:480. Për të shtuar të ardhurat e pakta, ai bënte edhe makete të shtëpive të fisnikëve.
Në vitin 1837, Lengvajli u sëmur me tuberkuloz dhe vdiq në qershor të po atij viti duke lënë pas gruan e pesë vajzat. Tre vjet më vonë, maketi i tij u bë pjesë e Muzeut Patriotik që tani quhet Muzeu Kombëtar. Si arriti deri atje? Në vitin 1840, e veja e Lengvajlit ia ofroi perandorit Ferdinandi I, i cili e bleu dhe me bujari ia dhuroi atij që sot është muzeu kombëtar i Republikës Çeke. E çuan në muze me nëntë arka. Më vonë, një zëdhënës i Muzeut të Qytetit të Pragës ku tani gjendet maketi, tha: «Maketi i Lengvajlit ekspozohej vetëm me raste në shekullin e 19-të. Në vitin 1891 ishte një nga gjërat e paraqitura në Ekspozitën e Jubileut Kombëtar. Për këtë rast të shënuar, iu nënshtrua një restaurimi të kushtueshëm . . . Që nga viti 1905, maketi u bë pjesë e përhershme e Lapidariumit të Muzeut Kombëtar.»
Magnet për historianët
Maketi prej letre i Lengvajlit është tepër i njohur. Përmasat e tij arrijnë në 5,76 metra i gjatë dhe 3,24 metra i gjerë. Është vendosur brenda një vitrine prej xhami dhe ndriçohet nga një sërë dritëzash të varura brenda saj. Ky «qytet» duket kaq real, sa gati harron që është vetëm një maket. Kjo sepse Lengvajli e ka ndërtuar secilën prej më shumë se dy mijë ndërtesave në miniaturë me merak e mjaft saktësi.
Për shembull, Lengvajli u vuri ndërtesave edhe numër kadastre. Nëpër rrugë vuri fenerë, bëri kanale kullimi dhe i shtroi me kalldrëm. Kurse kishat i solli me imtësi duke përfshirë xhamat e ngjyrosur, si edhe xhamat që mungonin ose që ishin thyer. Në maketin e tij shihen edhe tullat në ato pjesë të shtëpive ku kishte rënë suvaja. Nuk la pa vënë edhe lumin Vëltavë, që vërshon përmes Pragës.
Sot, maketi prej letre i Lengvajlit nuk është vetëm një objekt interesant muzeor, por edhe një magnet për artdashësit dhe historianët që duan të shohin si ka ndryshuar Praga ndër vite. Kuptohet, disa pjesë të qytetit duken krejt ndryshe për shkak të ndërtimeve ose restaurimeve, sidomos lagjja e judenjve dhe një pjesë e Pragës që quhet Qyteti i Vjetër. Falë teknologjisë moderne, maketi i Lengvajlit tani është dixhitalizuar dhe kjo u jep mundësi vizitorëve ta shohin Pragën e vitit 1837 në formën e një modeli kompjuterik ku mund të ndërveprosh.
Në prill të 1837-ës, Lengvajli i sëmurë kërkoi që maketi i tij të vendosej në muzeun që atëherë mbante emrin Muzeu Patriotik, por muzeu nuk ishte i interesuar. Sa i zhgënjyer duhet të jetë ndier! Por, imagjinoni sikur të vizitonte muzeun sot ose «të endej» në rrugët e Pragës së tij të vjetër përmes ekranit të kompjuterit. Pa dyshim do të mendonte se puna e tij gjithë përkushtim nuk ishte e kotë.
[Figura në faqen 10]
Antonin Lengvajli
[Figura në faqen 10]
Maketi prej letre i Pragës nga Lengvajli
[Figurat në faqet 10, 11]
Pamje e zmadhuar e maketit prej letre të Lengvajlit
[Burimet e figurave në faqen 10]
Faqja 10, Lengvajli: S laskavým svolením Národního muzea v Praze; faqet 10 dhe 11, fotografi të maketit: S laskavým svolením Muzea hlavního mesta Prahy