Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Është e çuditshme se si detyra si president të bën t’i lutesh Perëndisë.»—BARAK OBAMA, PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS.
Kur i pyetën se çfarë mënyre do të zgjidhnin për të shprehur krenarinë kombëtare, 56 për qind e të rinjve në Argjentinë të moshave 10 deri 24 vjeç, thanë se do të vishnin fanellën e skuadrës kombëtare të futbollit.—LA NACIÓN, ARGJENTINË.
Rezultatet e një studimi tregojnë se «afro një e treta e ushqimeve që prodhohen për t’u konsumuar nga njerëzit, shkojnë dëm ose shpërdorohen në mbarë botën, dhe kjo shifër arrin deri në 1,3 miliardë tonë ushqime çdo vit.»—ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR USHQIMIN DHE BUJQËSINË, ITALI.
«Sot, luftërat dhe lajmet e luftërave kanë mbushur tokën, prandaj ushtria e atdheut tonë duhet të jetë gjithmonë gati për të mbrojtur popullin e tij dhe gjithë gjërat e tij të shenjta nga çdo rrezik që u kanoset nga një armik i jashtëm.»—PATRIARKU KIRILL, KREU I KISHËS ORTODOKSE RUSE.
Maksimumi i aksidenteve automobilistike të njoftuara nga një kompani sigurimesh në Gjermani në vitin 2010, ndodhte midis orës 7.00 dhe 8.00 të mëngjesit. «Një nga masat parandaluese më të rëndësishme ndaj aksidenteve, është të nisesh herët për në punë»,—thotë një kompani zyrtare.—PRESSEPORTAL, GJERMANI.
Udhëheqësit e rinj në Malajzi
Një konkurs i famshëm televiziv në Malajzi ka për qëllim të zgjedhë një imam të mirë ose udhëheqës fetar të islamizmit. Spektakli me titull «Imam Muda» ose «Udhëheqësi i ri» zhvillohet në Kuala-Lumpur. Konkurruesit e moshave 18 deri 27 vjeç, që vijnë nga formime të ndryshme, eliminohen një nga një derisa mbetet vetëm fituesi. Përveç parave dhe një makine të re, fituesit i ofrohet edhe punësim si imam, një bursë studimi në Arabinë Saudite dhe një udhëtim pelegrinazhi në Mekë. Konkurruesit duhet të jenë të zotë në detyrat e imamit, të dinë të diskutojnë për çështje fetare e aktuale dhe të citojnë përmendsh nga Kurani. Ideatori i spektaklit thotë se qëllimi i tij është «të tërheqë të rinjtë» drejt islamizmit.
Pakujdesia në Internet
Shumë përdorues të rrjeteve shoqërore nuk arrijnë të parashikojnë pasojat e mundshme të futjes së informacioneve personale. Por, pasojat e pakujdesisë mund t’i korrësh vite më vonë. Siç thoshte drejtori i një shkolle, Timëthi Rajti, për gazetën australiane Sydney Morning Herald, «teknologji moderne do të thotë që një fjalë e pamatur, një shpifje, një fotografi e papërshtatshme ose zbulimi i një sekreti të dikujt skalitet përgjithmonë dhe gjendet fare lehtë nga kushdo që mund të hyjë në një rrjet shoqëror». Sipas Rajtit, kjo nënkupton se «gabimet e bëra në moshën 15-vjeçare mund të shihen nga një punëdhënës edhe dhjetë vjet më vonë».