Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse kaq tërheqëse?

Pse kaq tërheqëse?

Pse kaq tërheqëse?

CILËN nga këto mënyra komunikimi ke përdorur ti gjatë muajit të kaluar?

Bisedat ballë për ballë

Letrat ose kartolinat e shkruara me dorë

Telefonatat

Email-et

Mesazhet me celular

Komunikimin online në çast

Chat me video

Rrjetet shoqërore

Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë mundësi për të mbajtur lidhjet me njerëzit. Secila ka të mirat e të këqijat e veta. Le të shohim disa shembuj.

BISEDAT BALLË PËR BALLË

Të mirat: Të japin mundësi të dallosh çdo imtësi të shprehjeve të fytyrës, tonin e zërit dhe gjestet.

Të këqijat: Jo gjithmonë të dyja palët kanë mundësi të takohen.

LETRAT OSE KARTOLINAT E SHKRUARA ME DORË

Të mirat: Të ngrohta dhe personale.

Të këqijat: Duhet kohë t’i shkruash dhe duhen ditë që të shkojnë te marrësi.

EMAIL-ET

Të mirat: Mund të shkruhen dhe të arrijnë shumë shpejt.

Të këqijat: Shpesh, janë të zhveshura nga emocionet ose keqinterpretohen kollaj.

Një tjetër mënyrë komunikimi janë rrjetet shoqërore, të cilat, sipas disave, janë mënyra më e mirë për të ruajtur lidhjet. Ekzistojnë me qindra rrjete shoqërore dhe më i përdoruri, Facebook, ka rreth 800 milionë anëtarë. «Nëse Facebook do të ishte një shtet,—thotë revista Time,—do të renditej i treti për nga madhësia pas Kinës dhe Indisë.» Çfarë janë rrjetet shoqërore dhe pse janë përhapur kaq shumë?

Rrjetet shoqërore janë site në Internet që u lejojnë përdoruesve të shkëmbejnë informacione me një grup shokësh të zgjedhur. «Është një mënyrë komunikimi fantastike,—thotë Xhini 21-vjeçare.—Rrjetet shoqërore janë edhe një mënyrë e mirë për të shkëmbyer fotografi nga udhëtime ose ngjarje të ndryshme.»

Pse të mos shkruash një letër? «Të ha shumë kohë»,—do të përgjigjeshin disa. Dhe t’i lash fotografitë, kushton. Pse të mos përdorësh telefonin? Edhe telefoni të ha mjaft kohë, sidomos ngaqë nuk mund të komunikosh me disa njëherësh, dhe të tjerë nuk i gjen në shtëpi ose nuk kanë mundësi të flasin kur ti ke mundësi. Po sikur të shkruash email? «Askush nuk u përgjigjet më email-eve,—ankohet Daniela 20-vjeçare,—por edhe nëse shkruan, kalojnë javë para se të marrësh përgjigje. Në një rrjet shoqëror, thjesht shkruaj një koment për atë që po bëj dhe shokët e mi shkruajnë komente ku tregojnë si e kanë kaluar ditën. Përditësohemi sapo futemi në rrjet. Kollaj fare.»

Në rrjetet shoqërore nuk bëhen vetëm muhabete të parëndësishme. Për shembull, kur bie një katastrofë, si tërmeti dhe tsunami që shkatërroi pjesë të Japonisë më 11 mars 2011, shumë futen në rrjetet shoqërore që të interesohen për mirëqenien e njerëzve të dashur.

Le të shohim rastin e Benxhaminit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara. «Linjat telefonike ishin shkëputur pas tsunamit në Japoni,—thotë ai.—Një i njohur më tha se i kishte dërguar email një shoqes sonë në Tokio, por nuk kishte marrë lajm prej saj. Sakaq, mora celularin, u futa në Internet dhe hyra në faqen e saj të rrjetit shoqëror. Aty në moment, pashë një mesazh të shkurtër të saj ku thoshte se ishte mirë dhe se do të shkruante më gjatë më vonë.»

Benxhamini vazhdon: «Kurse për t’u lidhur me shokët që e njihnin atë dhe që nuk ishin anëtarësuar në një rrjet shoqëror, m’u desh t’i shkruaja një email secilit prej tyre. M’u desh kohë t’ua gjeja adresat dhe t’u shkruaja një më një. Mora disa përgjigje brenda ca ditësh. Njëri m’u përgjigj pas dy javësh. Ata po merrnin kaq shumë email-e, sa mezi arrinin t’u kthenin përgjigje të gjithëve. Me rrjetet shoqërore do të kursehej mjaft kohë. Brenda pak minutash, të gjithë do të ishin informuar.»

Është e qartë, rrjetet shoqërore kanë disa të mira. Po rreziqe, a kanë? Nëse po, cilat janë dhe si mund t’i shmangim?

[Kutia dhe figura në faqen 5]

SI FUNKSIONON?

1. Shkruan një mesazh (freskon statusin) në faqen tënde.

2. Të gjithë ata që ke në listën e shokëve, e marrin mesazhin tënd kur futen në faqen e tyre dhe ti merr mesazhet e tyre sapo futesh në faqen tënde.