Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

Si duhet t’i lutemi Perëndisë?

Si duhet t’i lutemi Perëndisë?

ËSHTË një privilegj i pashoq t’i drejtohemi të Plotfuqishmit në lutje e t’i shprehim mendimet tona më të thella. E megjithatë shumë njerëz nuk ndihen të sigurt për mënyrën si duhet të luten, kurse të tjerë duan t’i bëjnë më domethënëse lutjet e tyre. Me sa duket, edhe disa nga dishepujt e hershëm të Jezuit ishin në merak për cilësinë e lutjeve të tyre. Një prej tyre i tha: «Zotëri, na mëso si të lutemi.» (Luka 11:1) Jezui u dha lutjen model që shpesh quhet Lutja e Zotërisë ose lutja «Ati ynë». Kjo lutje e bukur, e megjithatë e thjeshtë, jo vetëm na ndihmon t’i drejtohemi Perëndisë në mënyrë të pranueshme, por edhe hedh dritë mbi mesazhin kryesor të Biblës.

Lutja model e Jezuit

Jezui tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë. Na e jep bukën për këtë ditë dhe na i fal mëkatet, sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh. E mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.’»​Mateu 6:9-13.

Vini re se Jezui tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë.» Çfarë donte të thoshte? Ai nuk donte që dishepujt t’i përsëritnin si papagall fjalët e tij ose t’i mësonin përmendsh. Sapo kishte folur kundër kësaj gjëje. (Mateu 6:7) Por, lutja që bëri, na mëson çfarë ka përparësi, pra çfarë është e rëndësishme në sytë e Perëndisë, jo vetëm në sytë tanë. Për të kuptuar cilat gjëra kanë përparësi, duhet të kapim kuptimin e fjalëve të Jezuit. Le t’i analizojmë këto fjalë pikë për pikë.

Shpjegimi i lutjes model

«Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» Me të drejtë, Jezui iu drejtua Perëndisë me fjalën «Atë», pasi Ai na do dhe na mbron tamam si një baba i mirë. Gjithashtu, Ai ka një emër​—Jehova—​i cili nuk duhet ngatërruar me titujt e tij të shumtë, si i Plotfuqishëm, Perëndi dhe Zot. * (Psalmi 83:18) Po atëherë, përse ka nevojë të shenjtërohet ose të bëhet i shenjtë emri i Perëndisë, i cili përfshin edhe reputacionin e tij? Sepse mbi këtë emër është hedhur baltë.

Disa njerëz fajësojnë Perëndinë për vuajtjet që kalojnë kur në të vërtetë shkaku mund të jenë vetë njerëzit ose thjesht fakti që janë gjendur në vendin e gabuar në momentin e gabuar. (Proverbat 19:3; Eklisiastiu 9:11) Të tjerë e kanë akuzuar Perëndinë për katastrofat natyrore. Por Bibla thotë se «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri». (Jakovi 1:13) Kurse shumë njerëz fetarë thonë se Perëndia i ndëshkon të ligjtë duke i torturuar përjetësisht në një ferr të zjarrtë, një mësim ky që patjetër e fyen Perëndinë e dashurisë. (Jeremia 19:5; 1 Gjonit 4:8) Te Romakëve 6:23 thuhet se «paga që paguan mëkati është vdekja», e jo torturat e përjetshme. *

«Ardhtë mbretëria jote.» Mbretëria e Perëndisë është një qeveri mbretërore në duart e Jezu Krishtit, mbretit të saj. Së shpejti, e gjithë toka do të jetë nën sundimin e tij. «Atij iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri»,—thuhet te Danieli 7:14. Mbretëria e Perëndisë ‘do të vijë’ kur të ndërhyjë në çështjet njerëzore duke thërrmuar të gjitha mbretëritë kundërshtare e duke marrë plotësisht nën kontroll tokën.​—Danieli 2:44.

«U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» Nën sundimin e Mbretërisë, njerëzimi do t’i nënshtrohet vullnetit të Perëndisë. Si rrjedhojë, do të mbizotërojë paqja e vërtetë dhe të gjithë njerëzit do të adhurojnë Perëndinë në përputhje me vullnetin e tij. Politika përçarëse dhe feja e rreme nuk do të ekzistojnë më. Duke përdorur një gjuhë të figurshme, Zbulesa 21:3, 4 thotë se «tenda e Perëndisë» do të jetë «me njerëzit» dhe se «ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»

«Na e jep bukën për këtë ditë.» Pasi theksoi përparësinë e emrit të Perëndisë dhe Mbretërisë, Jezui e drejtoi vëmendjen te nevojat tona. Fjalët e tij tregojnë se nuk duhet të rropatemi për të pasur më tepër nga sa na nevojitet «për këtë ditë». Përkundrazi, duhet t’i vëmë veshin këshillës që gjendet te Proverbat 30:8: «Mos më jep as varfëri, as pasuri. Më lër të ha aq sa më nevojitet.»

«Na i fal mëkatet, sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh.» Mëkatet tona janë si borxhe. * Të gjithë ne kemi detyrimin t’i bindemi Perëndisë. Prandaj kur nuk i bindemi, pra kur mëkatojmë ndaj tij, si të thuash, hyjmë në borxh me të. Ky borxh shtohet sa herë nuk i bindemi. Megjithatë, Jehovai është i gatshëm të na e falë këtë borxh kur ne me dashamirësi i falim ata që mëkatojnë ndaj nesh.​—Mateu 18:21-35.

«Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.» «I ligu» është Satana Djalli, që quhet edhe «Tunduesi». (Mateu 4:3) Ngaqë mishi ynë i papërsosur është i dobët, kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë që t’i bëjmë ballë Satanait dhe njerëzve që përdor ai.​—Marku 14:⁠38.

Shpresojmë që lutja e Jezuit t’ju ndihmojë të përmirësoni lutjet tuaja, ndoshta duke u dhënë përparësi gjërave të duhura. Por si hedh dritë lutja model e Jezuit mbi mesazhin kryesor të Biblës? Në përputhje me fjalët e Jezuit, tema kryesore e Biblës është shenjtërimi i emrit të shenjtë të Perëndisë, zhdukja e gjithë ligësisë dhe sundimi paqësor i Mbretërisë së tij mbi gjithë tokën. Çfarë thesaresh që na afrojnë më shumë me Perëndinë, përfshiu Jezui në lutjen model!

[Shënimet]

^ par. 8 Në gjuhët origjinale në të cilat është shkruar Bibla, kryesisht hebraisht dhe greqisht, emri hyjnor shfaqet rreth 7.000 herë. Mjerisht, shumë përkthime të Biblës në kohët tona përdorin tituj në vend të emrit hyjnor.

^ par. 9 Të vdekurit nuk vazhdojnë të jetojnë në një formë tjetër jete, por janë ‘në gjumë’, pra, «s’janë të vetëdijshëm për asgjë» ndërsa presin të ringjallen në të ardhmen.​—Gjoni 5:28, 29; 11:11-13; Eklisiastiu 9:5.

^ par. 13 Shihni shënimin te Mateu 6:12 dhe Luka 11:4.

A DONI TË DINI?

● Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalët «ju lutuni në këtë mënyrë»?​—Mateu 6:⁠9.

● Në përgjithësi, cilat çështje duhet të përmendim të parat në lutjet tona?​—Mateu 6:9, 10.

● Pse duhet t’i falim ata që mëkatojnë ndaj nesh?​—Mateu 6:12.

[Figura në faqen 13]

Lutja model e Jezuit mund t’ju ndihmojë të vini në radhë të parë ato gjëra që kanë rëndësi në sytë e Perëndisë, jo vetëm në sytë tuaj