Si u bë arabishtja gjuha e dijetarëve?
Si u bë arabishtja gjuha e dijetarëve?
PËR shekuj me radhë, arabishtja ishte gjuha kryesore e dijetarëve. Duke filluar në shekullin e tetë të e.s., disa studiues arabishtfolës në qytete të ndryshme të Lindjes së Mesme, përkthyen e korrigjuan tekste shkencore dhe filozofike të shkruara në kohën e Ptolemeut dhe të Aristotelit. Në këtë mënyrë, këta studiues ruajtën dhe pasuruan veprën e mendimtarëve të lashtë.
Një mozaik dijesh
Në shekullin e shtatë e të tetë të erës sonë, u ngritën dy fuqi të reja në Lindjen e Mesme, në fillim dinastia e umajadëve dhe pastaj ajo e abasidëve. Meqë nënshtetasit e tyre në Arabi, Azinë e Vogël, Egjipt, Palestinë, Persi dhe Irak ishin ndikuar nga Greqia dhe India, sundimtarët e rinj kishin në dispozicion një thesar njohurish. Abasidët ndërtuan një kryeqytet të ri, Bagdadin, ku mund të soditje një mozaik dijesh. Atje arabët u përzien me armenët, berberët, koptët, grekët, indianët, judenjtë, persët, turqit, kinezët dhe sogdianët nga përtej lumit Oksus, që tani njihet si lumi Amu-Darja që ndodhet në Azinë Qendrore. Së bashku, studionin e debatonin për shkencën duke shkëmbyer pasuritë e tyre intelektuale.
Sundimtarët abasidë të Bagdadit i nxitnin mendimtarët e aftë, të çfarëdo prejardhjeje, të kontribuonin për zhvillimin intelektual të perandorisë. Bëheshin përpjekje sistematike për të mbledhur e përkthyer në arabisht dhjetëra mijë libra të fushave të ndryshme, përfshirë alkiminë, aritmetikën, gjeometrinë, mjekësinë, muzikën, filozofinë dhe fizikën.
Kalifi Al Mansur, i cili sundoi nga viti 754 deri në vitin 775 të e.s., dërgoi ambasadorë në oborrin mbretëror të Bizantit për të marrë tekste matematikore greke. Kalifi Al Mamun (813-833 të e.s.) eci në gjurmët e tij dhe i dha shtysë një lëvizjeje të përkthimit greko-arab që zgjati për më shumë se dy shekuj. Kështu, në fund të shekullit të dhjetë, pothuajse të gjitha tekstet greke të filozofisë e të shkencës të disponueshme në atë kohë, ishin përkthyer në arabisht. Megjithatë, përkthyesit arabë jo vetëm përkthyen, por dhanë edhe kontributin e tyre në këto fusha.
Kontributi që dhanë arabët
Shumë përkthyes arabë punuan me saktësi të madhe e me shpejtësi marramendëse. Prandaj disa historianë janë të mendimit se përkthyesit duhet të kenë pasur mjaft njohuri për fushat ku përkthenin. Për më tepër, një sërë dijetarësh përdorën tekste tashmë të përkthyera si bazë për kërkimet e tyre.
Për shembull, mjeku dhe përkthyesi Hunejn-ibn-Ishak (808-873 të e.s.), një i krishterë siriak, kontribuoi ndjeshëm për të kuptuar se si funksionon syri. Vepra e tij, e cila përfshinte diagrame të sakta anatomike të syrit, u bë një vepër referimi në oftalmologji si në botën arabe, ashtu edhe në Evropë. Filozofi dhe mjeku Ibn-Sina, i njohur në Perëndim si Avicena (980-1037 të e.s.), shkroi dhjetëra libra mbi një sërë temash, duke filluar nga etika e logjika e deri te mjekësia e metafizika. Përmbledhja e tij madhështore, Traktati i mjekësisë, bazohej te njohuritë mjekësore të disponueshme në atë kohë, përfshirë idetë e mendimtarëve të shquar grekë, Galenit dhe Aristotelit. Traktati mbeti teksti mjekësor bazë për rreth 400 vjet.
Studiuesit arabë përvetësuan metodën eksperimentale që përdoret në shkencë, e cila qëndron në thelb të përparimit shkencor. Kjo bëri që të llogaritnin përsëri perimetrin e tokës dhe të korrigjonin të dhënat gjeografike që kishte nxjerrë Ptolemeu. «Ata guxuan të vinin në dyshim edhe mësimet e Aristotelit»,—thotë historiani Pol Lundi.
Përparimi në dije po pasqyrohej edhe në aspektet praktike të jetës, si në ndërtimin e rezervuarëve, ujësjellësve dhe mullinjve, disa prej të cilëve ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Tekste të reja për bujqësinë, botanikën dhe agronominë i ndihmuan fermerët të përcaktonin se cilat ishin bimët më të përshtatshme për një zonë të caktuar, duke rritur kështu prodhimtarinë.
Në vitin 805 të e.s., kalifi Harun ar Rashid ngriti një spital, të parin në perandorinë e tij të madhe. Pa kaluar shumë, në çdo qytet të madh në territorin e tij u hap një spital.
Qendra të reja arsimimi
Mjaft qytete në botën arabe kishin librari dhe qendra të specializuara arsimimi. Në Bagdad, kalifi Al Mamun themeloi institutin e përkthimeve dhe të kërkimeve Bejt al Hikma, që do të thotë «Shtëpia e Urtësisë». Stafi i saj përbëhej nga studiues me pagesë. Thuhet se biblioteka kryesore në Kajro kishte më tepër se një milion vëllime. Ndërkohë, Kordova, kryeqyteti i Spanjës nën dinastinë umajade, kishte 70 biblioteka të cilat mirëpritnin dijetarë e studentë nga e gjithë bota arabe. Për më shumë se dy shekuj, Kordova ishte një nga qendrat kryesore akademike.
Në Persi, njohuritë e pasura matematikore të grekëve u ndërthurën me ato të Indisë, ku matematikanët kishin zhvilluar një sistem numërimi për përdorimin e numrit zero dhe të sistemit pozicional. Në këtë sistem numërimi, numrat njëshifrorë marrin vlera të ndryshme në varësi të pozicionit të tyre dhe të vendosjes së zeros. Numri një, për shembull, mund të jetë një, dhjetë, njëqind e kështu me radhë. Ky sistem «jo vetëm që thjeshtoi llogaritje të çdo lloji, por ndihmoi edhe për zhvillimin e algjebrës»,—shkruan Lundi. Studiuesit arabë bënë hapa viganë edhe në gjeometri, trigonometri dhe lundrim.
Epoka e artë e shkencës dhe e matematikës arabe binte në kontrast me prapambetjen intelektuale të pjesës tjetër të botës. Përpjekje të ngjashme po bëheshin edhe në Evropën e mesjetës, kryesisht në manastire, për të ruajtur veprat e studiuesve të lashtë. Megjithatë, arritjet e tyre linin për të dëshiruar kur krahasoheshin me përparimin e botës arabe. Por në shekullin e dhjetë, gjërat filluan të ndryshonin kur tekstet e përkthyera të studiuesve arabë depërtuan dalëngadalë në Perëndim. Me kalimin e kohës ky proces u intensifikua dhe kjo çoi në rilindjen e shkencës në Evropë.
Vërtet, tabloja e madhe historike na tregon se asnjë shtet ose individ në veçanti nuk mund të marrë meritën për dijet e sotme në shkencë e në fusha të tjera që lidhen me të. Kulturat më të zhvilluara të kohëve tona i detyrohen shumë kulturave më të hershme që u dhanë shtysë kërkimeve, vunë në dyshim teoritë dogmatike dhe u dhanë zemër mendjeve pjellore.
[Harta në faqen 26]
(Për tekstin e faqosur, shih botitmin)
▪Ndikimi umajad
□Ndikimi abasid
SPANJË
Kordovë
Romë
BIZANT
Kostandinopojë
Lumi Oksus
PERSI
Bagdad
Jerusalem
Kajro
ARABI
[Figura në faqen 27]
Diagram i syrit nga Hunejn-ibn-Ishaku
[Figura në faqen 27]
Një faqe nga «Traktati i mjekësisë» i Avicenës
[Figura në faqen 28]
Studiues arabë në një bibliotekë në qytetin e Basrës, 1237 i e.s.
[Burimi]
© Scala/White Images/Art Resource, NY
[Burimet e figurave në faqen 27]
Diagram i syrit: © SSPL/Science Museum/Art Resource, NY; Traktati i mjekësisë: © The Art Gallery Collection/Alamy