Fortesa e Terezinit—Nuk i ndali dot vuajtjet
Fortesa e Terezinit—Nuk i ndali dot vuajtjet
NË MES të qyteteve të Dresdenit dhe të Pragës në Evropën Qendrore, ndodhet Terezinshtadi (ose Terezini). Ky qytet ka një fortesë të madhe me mure mbrojtëse masive. Ajo u ndërtua për të ndaluar hyrjen e ushtrive armike në vend dhe për të mbrojtur banorët e zonës përreth.
Jozefi II, mbret i Gjermanisë dhe perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake, dha urdhrin për ndërtimin e fortesës dhe ishte i pranishëm kur u përgatit terreni i ndërtimit e kur u hodh guri i parë i themelit aty nga fundi i vitit 1780. Fortesa u ndërtua për nder të nënës së tij, perandoreshës Maria Tereza, dhe prandaj iu vu emri gjerman Terezinshtad, që do të thotë «Qyteti i Terezës». a Thuhet se në ndërtimin e saj morën pjesë deri në 14.000 punëtorë. Pjesa më e madhe e punës përfundoi brenda katër vjetësh.
Kur mbaroi në vitin 1784, Terezini ishte fortesa më e madhe në territorin e Habsburgëve. U përdorën teknikat më të përparuara inxhinierike në historinë e ndërtimit të fortesave deri në atë kohë. Megjithatë, taktikat dhe strategjitë ushtarake kishin pësuar ndryshime drastike që para se ajo të përfundonte.
Kur sulmonin një vend, ushtritë armike nuk rrethonin më kështjellat, por rrethonin dhe plaçkitnin fshatrat përreth. Prandaj në vitin 1888, Terezini nuk konsiderohej më si fortesë ushtarake. Në muret e jashtme dhe në zonën rreth tyre u krijuan parqe të bukura me rrugica e stola.
Fortesa dhe qyteti
Fortesa e Terezinit u ndërtua si qytet i fortifikuar. Pas mureve të saj madhështore, kishte ndërtesa për ushtarët e familjet e tyre dhe për civilë të tjerë.
Ngjitur me fortesën kryesore, u ndërtua një tjetër më e vogël që shërbente si burg ushtarak. Në fillim të viteve 1800, atje burgoseshin kundërshtarët politikë të Perandorisë së Habsburgëve. Rreth njëqind vjet më vonë, ndër të burgosurit ishin edhe të rinjtë që u përfshinë në vrasjen e arkidukës Franc Ferdinand në Sarajevë më 1914. Ngaqë ishin nën 20 vjeç, i shpëtuan dënimit me vdekje. Megjithatë, pak kohë më vonë shumica e tyre vdiqën në burg. Atje i torturonin dhe disa u çmendën. Gavrilo Principi, autori i vrasjes, vdiq në këtë burg ndërsa Lufta I Botërore ende po bënte kërdinë.
Fortesa e Vogël kishte marr nam si një nga burgjet më të këqija në Austro-Hungari.
Shpesh të burgosurit mbaheshin të lidhur me vargonj të rëndë në biruca të ftohta e me lagështirë. Gjatë Luftës II Botërore, fortesa u përdor për qëllime edhe më të tmerrshme.Ç’ishte në të vërtetë «llixha e Terezinit»?
Pasi sulmuan dhe pushtuan atë që sot njihet si Republika Çeke, më 1941 nazistët nisën të çonin hebrenj në fortesën kryesore. Nazistët e shndërruan qytetin e Terezinshtadit në një geto hebrenjsh. Sipas tyre, veçimi racor ishte i domosdoshëm për të shmangur konfliktet mes hebrenjve dhe të tjerëve. Edhe pse Terezinshtadi i paraqitej publikut si një qytet i mbyllur me banja termale ku hebrenjtë mund të kuroheshin, nazistët fshehurazi thurnin plane për t’i shfarosur të gjithë hebrenjtë.
Në pjesën lindore të Evropës, nazistët tashmë kishin ngritur kampet e vdekjes ku vrisnin hebrenjtë që i transferonin pak nga pak nga Terezinshtadi dhe vende të ngjashme. b Edhe pse, që në mes të viteve 30, dihej botërisht se ekzistonin kampe të tilla, propaganda naziste i paraqiste ato thjesht si qendra riedukimi. Megjithatë, kishte gjithnjë e më shumë raporte që flitnin për kushtet në kampe. Si pasojë, autoritetet naziste ishin nën presion që t’u përgjigjeshin akuzave. Kështu nazistët kurdisën një plan për t’i dhënë përgjigje opinionit ndërkombëtar. Çfarë bënë ata?
Në vitet 1944 dhe 1945, gjatë Luftës II Botërore, ata ftuan përfaqësues nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të hetuar fortesën kryesore, që të shihnin me sytë e tyre se çfarë ndodhte atje. Por, që të krijonin përshtypjen se fortesa ishte vetëm një qytet-llixhë, nazistët bënë një punë të jashtëzakonshme për ta zbukuruar.
Numrat e blloqeve u zëvendësuan me emra rrugësh që tingëllonin bukur. Hapën një «bankë», një kopsht fëmijësh dhe dyqane. Madje në qendër të getos ndërtuan një kafene. Restauruan fasadat e shtëpive, shtuan gjelbërimin në parkun qendror dhe ngritën një sallë ku luhej muzikë e lehtë.
Pas kësaj, ftuan përfaqësuesit e Kryqit të Kuq që të bënin një vizitë. I lejuan të flitnin me përfaqësuesit e «qeverisë së pavarur» të hebrenjve. Megjithatë, këta ishin banorë të zgjedhur me kujdes, të cilët u përgjigjeshin
pyetjeve tamam siç i kishin mësuar nazistët gjatë provave. Nazistët arritën t’i mashtronin delegatët e Kryqit të Kuq në dy vizita inspektimi. Në raportet e tyre, delegatët bënë një përshkrim jo të saktë të Terezinshtadit si një qytet i zakonshëm hebre, banorëve të të cilit nuk u mungonte gjë. Kur delegatët e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ikën, për hebrenjtë pas mureve të getos vazhduan vuajtjet, uria dhe vdekja. Pak prej tyre mbetën gjallë deri në fund të Luftës II Botërore.Fortesa e Vogël
Edhe Fortesa e Vogël përdorej nga nazistët si burg. Atje kushtet ishin njësoj si në kampet e përqendrimit. Për shumë nga dhjetëra mijë burra e gra të burgosur atje, Fortesa e Vogël ishte thjesht një ndalesë në rrugën drejt disa prej kampeve më të mëdha në territorin e Rajhut Gjerman.
Të paktën 20 Dëshmitarë të Jehovait nga Praga, Pilseni dhe anë të tjera të vendit u burgosën në Fortesën e Vogël. Ç’krim kishin bërë? Nuk pranonin të mbështetnin nazistët dhe mbanin asnjanësinë politike. Edhe pse vepra e tyre e predikimit ishte e ndaluar, Dëshmitarët vazhduan të flitnin me të tjerët për lajmin e mirë nga Bibla. Ata vuajtën vetëm për shkak të besimit të tyre dhe disa u ekzekutuan ose u torturuan deri në vdekje.
Një mësim për ne sot
Bibla thotë: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim. Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» (Psalmi 146:3, 4) Fortesa e Terezinit është një shembull i gjallë i kësaj të vërtete.
[Shënimet]
a Perandoresha ishte edhe nëna e Maria Antonetës, e cila u bë mbretëreshë e Francës.
b Për më shumë informacion, shih revistën Zgjohuni! të 22 gushtit 1995, faqet 3-15, anglisht, dhe të 8 prillit 1989, faqet 3-20, anglisht.
[Kutia në faqen 20]
DËSHMITARËT E JEHOVAIT NË FORTESËN E VOGËL
Shumica e Dëshmitarëve të Jehovait të burgosur në Terezinshtad, në fillim merreshin në pyetje në zyrat e Gestapos në Pragë. Pas burgimit në Terezinshtad, zakonisht dërgoheshin në kampet e përqendrimit në Gjermani. Si e përballuan izolimin dhe kushtet e tmerrshme të burgut?
Një Dëshmitare e cila ishte e burgosur në Terezinshtad, kujton: «Ngaqë nuk doja t’i harroja mësimet biblike, i përsëritja herë pas here. Në çdo burg që shkoja, kërkoja Dëshmitarët e tjerë dhe pastaj përpiqesha t’i takoja. Në të njëjtën kohë mundohesha t’u predikoja të tjerëve sa më shumë ma lejonin rrethanat.»
Kjo metodë funksionoi, sepse ajo i qëndroi besnike Perëndisë gjatë gjithë kohës që ishte në burg, si edhe gjatë viteve që pasuan.
[Figura në faqen 18]
Pullë që paraqet Terezinin idilik gjatë Luftës II Botërore
[Figura në faqen 19]
Të burgosurit e sapoardhur i çonin në kazerma. Tabela në gjermanisht thotë: «Arbeit Macht Frei» (Puna të bën të lirë)
[Figura në faqen 19]
Krevate me dërrasa te sektori i grave në fortesë
[Figura në faqen 20]
Hyrja kryesore e Fortesës së Vogël
[Burimi i figurës në faqen 19]
Të dyja fotografitë: me mirësjellje nga Memorial Terezín