Fruta e artë e Armenisë
Fruta e artë e Armenisë
● Kajsitë janë kultivuar në Azi dhe Evropë prej mijëra vjetësh. Evropianët mendonin se kjo frutë vinte nga Armenia, prandaj filluan ta quanin molla armene.
Sot në Armeni, rriten rreth 50 varietete të kajsisë që mund t’i shijosh nga mesi i qershorit deri në fund të gushtit. Dheu i pasur vullkanik dhe drita e diellit që derdhet me bollëk në Armeni, u japin kajsive që rriten atje një ëmbëlsi unike, prandaj për disa ato janë ndër kajsitë më të shijshme në botë.
Varietetet e zakonshme janë pak a shumë sa një kumbull dhe ngjyrat e tyre shkojnë nga ngjyrë ari e çelur në portokalli të mbyllur. Kanë lëkurë të kadifenjtë e tul të fortë, nuk janë shumë të lëngshme dhe kanë lloj-lloj shijesh që shkojnë nga e ëmbla tek e athta. Disa thonë për varietet më të përhapura se kanë një shije mes asaj të pjeshkës dhe të kumbullës.
Kultivuesit kanë prodhuar kajsinë «e zezë» që nuk është tamam kajsi, por një shartim i kajsisë me kumbullën. Lëkurën e ka me push ngjyrë vjollce të errët thuajse të zezë dhe tulin të verdhë.
Pema e kajsisë lulëzon para se të dalin gjethet dhe çel lule të bardha vetëpjalmuese erëkëndshme. Lulet e saj janë të ngjashme me ato të pjeshkës, kumbullës dhe qershisë. Kajsitë rriten më mirë në ato vende ku dimri është i ftohtë dhe vera e ngrohtë, sepse kërkojnë periudha me temperatura të ulëta për të çelur lule dhe për të dhënë fryt siç duhet. Ja përse klima e Armenisë është tamam për to.
Kajsitë e freskëta janë shumë të shëndetshme. Për shembull, ato janë një burim i shkëlqyer i beta-karotinës dhe vitaminës C. Mjaft veta përdorin shpesh kajsi të thata. Kjo sepse të freskëtat janë shumë delikate dhe prishen shpejt. Për këtë arsye, në disa vende të botës, kajsitë e thata janë më të përhapura. E mira është që edhe kajsitë e thata janë të ushqyeshme dhe janë të pasura me fibra e hekur. Me kajsitë bëhet edhe liker, lëng dhe reçel.
Gjithashtu, nga druri i kajsisë bëhen gdhendje të bukura si në rastin e dudukut, një instrument frymor tradicional i Armenisë që ndonjëherë quhet fyelli i kajsisë. Në dyqanet dhe pazaret e Jerevanit, kryeqytetit të Armenisë, turistët mund të gjejnë suvenire të lezetshme me dru kajsie të gdhendura me dorë.
Nëse jeton në një vend ku gjen kajsi të freskëta, mos i lër pa i provuar. Pa dyshim, kjo frutë e artë dhe e shijshme nuk do të të zhgënjejë.