Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Numri i martesave në Angli dhe Uells ka rënë në nivelet më të ulëta që kur filluan të regjistroheshin», më 1862.—ZYRA E STATISTIKAVE KOMBËTARE, BRITANI.
Më shumë se gjysma e drejtuesve të kompanive të vogla private në Shtetet e Bashkuara «presin që punonjësit t’i vjedhin diçka me vlerë [kompanisë] brenda vitit të ardhshëm».—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, SHBA.
Më pak se një vit pasi filluan një «operacion» në Internet, autoritetet kineze «mbyllën më tepër se 60.000 site pornografike», deklaronte Zyra Kombëtare kundër Botimeve Pornografike dhe të Jashtëligjshme.—CHINA DAILY, KINË.
«Më tepër se 215 milionë njerëz, ose tre për qind e popullsisë botërore, tani [jetojnë] jashtë vendit të tyre.»—FONDI NDËRKOMBËTAR PËR ZHVILLIMIN E BUJQËSISË I KOMBEVE TË BASHKUARA, ITALI.
«Nga 19 studentët që kryejnë vetëvrasje çdo ditë në Indi, gjashtë [e bëjnë këtë] nga frika se mos ngelin në provim.»—INDIA TODAY INTERNATIONAL, INDI.
Strategjitë e marketingut në industrinë e bixhozit
Në Gjermani, ata që e kanë ves bixhozin, humbasin mesatarisht mbi dhjetë herë më shumë para se ata që luajnë me raste. Kështu, sipas së përditshmes Süddeutsche Zeitung, lojtarët që janë skllevër të bixhozit përbëjnë «themelin e këtij biznesi». Që fitimet të kapin majat, industria e bixhozit shpik lojëra dhe makineri të atilla që ta ushqejnë e ta shfrytëzojnë këtë ves. Sa më të shpejta bëhen makineritë, aq më shpejt humb vetëkontrollin lojtari dhe bëhet rob i lojës. Këto strategji të marketingut po funksionojnë. Në fakt, 56 për qind e të ardhurave nga makineritë e bixhozit, vijnë nga ata që e kanë ves lojën. Nëpër kazino, kjo shifër është 38 për qind dhe në lojërat në Internet është 60 për qind.
Momenti më i mirë për të dalë para gjykatësit?
A mund të ndikojnë në marrjen e vendimeve gjyqësore faktorë që nuk kanë lidhje me çështjen? Sipas një studimi duket se po. Një ekip studiuesish analizoi më shumë se 1.000 vendime për lirim me kusht që dhanë gjykatës me përvojë në Izrael. Nga studimi u zbulua se menjëherë pasi kishin pushuar për të ngrënë drekë ose diçka të lehtë, gjykatësit në 65 për qind të rasteve jepnin vendime të favorshme. Kjo përqindje dalëngadalë binte në pothuajse zero deri në pushimin tjetër. Studiuesit arritën në përfundimin se vendimet nuk bazohen gjithmonë vetëm në fakte dhe ligje, por «mund të ndikohen edhe nga faktorë të jashtëm që nuk duhet të kenë lidhje me vendimet gjyqësore».