Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si thua për ca kërpudha?

Si thua për ca kërpudha?

Si thua për ca kërpudha?

NË EGJIPTIN e lashtë, faraonët i vlerësonin kërpudhat si ushqim i zgjedhur. Ato ishin vetëm për familjen mbretërore. Romakët i quanin kërpudhat ushqim i perëndive dhe i servirnin vetëm në raste të veçanta. Grekët e lashtë bënin gosti me kërpudha dhe besonin se ato u jepnin fuqi për betejë luftëtarëve të tyre.

Mirëpo sot kërpudhat nuk janë veç për një elitë. Anekënd botës, njerëzit kënaqen me shijen e tyre. Po ti? Nëse i ke qejf kërpudhat, a di ndonjë gjë për to? Ç’janë kërpudhat: kafshë, bimë apo diçka tjetër? Si rriten? A janë të ushqyeshme? Nëse sheh kërpudha në natyrë, ç’duhet të bësh?

Për të gjetur përgjigjet, unë dhe ime shoqe udhëtuam nga Sidnei, Australi, për në Mitagong, një qytezë piktoreske në malësinë jugore të Uellsit të Ri Jugor. Cili ishte destinacioni? Ferma e kërpudhave e Noel Aroldit.

Kultivimi i kërpudhave

Noeli, një australian truplidhur, është mikrobiolog dhe njohës i mirë i kërpudhave. Pasi studioi kultivimin e tyre në disa shtete, u kthye në Australi që të rriste kërpudha për t’i tregtuar. Ai shpjegon: «Kërpudhat bëjnë pjesë në një grup organizmash ku futen edhe vrugu e myku. Dikur biologët mendonin se këto ishin bimë, por sot e dimë se ndryshojnë shumë nga bimët.

«Për shembull, kërpudhat nuk e prodhojnë ushqimin me anë të fotosintezës, si shumica e bimëve. Ato mund të rriten në errësirë. Trupi i tyre sekreton enzima të fuqishme që shndërrojnë materialin organik në lëndë ushqyese bazë, të cilat i thithin si ushqim. Ky proces tretës unik i dallon kërpudhat edhe nga kafshët. Meqë kërpudhat nuk janë as bimë e as kafshë, tani biologët i klasifikojnë në një mbretëri më vete: mbretëria e kërpudhave.»

Më tej Noeli tregon: «Në natyrë, kërpudhat e pjekura lëshojnë miliona spore të vockla që përzihen me sporet e kërpudhave të tjera dhe mbijnë. Po të bien në një vend të ftohtë, të lagësht e plot lëndë ushqyese, sporet . . . mund të rriten e të japin kërpudha të reja. Synimi i atyre që kultivojnë kërpudha për tregti është ta përsëritin këtë proces duke krijuar kushtet e duhura, që të përmirësojnë kështu prodhimin dhe cilësinë.»

Ndërsa vazhdojmë vizitën, Noeli shpjegon se varietetet e ndryshme të kërpudhave duan kushte të ndryshme për t’u rritur. Për shembull, kërpudhat e bardha, champignon, varieteti më i përhapur në botë, rriten më mirë në pleh pjesërisht të sterilizuar. Varietete të tjera rriten për bukuri në trasta me mbetje bimësh, në shishe me drithëra, në trungje të plota a të mbushura me tallash të ngjeshur. Nga mijëra llojet e kërpudhave që njihen, vetëm nja 60 kultivohen për t’u shitur.

Noeli i lë kërpudhat e veta të rriten e të piqen në një tunel të vjetër e të braktisur hekurudhor afër Mitagongut. «Është një vend i freskët, i lagësht dhe i përsosur për të rritur kërpudha»,—na thotë ai. Atje na zë syri sa e sa torba, saksi e shishe ku kanë mbirë mijëra kërpudha me gjithfarë formash e madhësish. Disa na sjellin ndër mend trëndafilat e lulëzuar, të tjera ngjajnë si zambakë të bardhë, si buqeta lulesh ose si çadra të vogla. Mbetemi pa fjalë nga ai spektakël shumëngjyrësh.

Të shijshme dhe të gjithanshme

«Shumë njerëzve u kënaqet syri kur shohin kërpudha ekzotike, por ndoshta nuk dinë si t’i përgatitin,—shpjegon Noeli.—Megjithatë, ato gatuhen kollaj. Disa i presin në copa dhe i përdorin për supa e sallata ose i pjekin të plota në skarë. Mua për vete më lezetojnë kërpudhat-molusk të lyera me thërrime e të fërguara. Kurse me kërpudhat shitake, që kanë shije si të mishit, bëhet një omëletë për të lëpirë gishtat.»

Kërpudhat e ngrënshme janë goxha të ushqyeshme dhe një burim i çmuar fibrash, proteinash, mineralesh e vitaminash. Afro 2.000 varietete njihen edhe për vetitë kuruese. Sipas një reviste mjekësore, ekstraktet e kërpudhave kanë mbi 100 përdorime në mjekësi, si në luftimin e kancerit, hepatitit, SIDA-s, sëmundjes së Alcajmerit dhe kolesterolit të lartë.

Gjithsesi, mund të jetë tepër e rrezikshme të mbledhësh kërpudha në natyrë. Për shembull, kësula e vdekjes (Amanita phalloides), ngjan shumë me varietet e ngrënshme, por është vdekjeprurëse. Prandaj ndiq këtë rregull: kurrë mos ha kërpudha të mbledhura në natyrë nëse nuk të thotë një specialist kërpudhash se mund t’i hash pa problem. Natyrisht, varietetet që kultivohen për t’u tregtuar nuk janë të rrezikshme. Në fakt, ato janë ushqime të shijshme që dikur i hanin vetëm pjesëtarët e oborrit mbretëror.

[Kutia në faqen 22]

KËRPUDHAT NË NATYRË

Kërpudhat e egra rriten kryesisht në pyje të freskëta, të lagështa e të errëta, ku i shndërrojnë bimët e pemët e thara dhe jashtëqitjet e kafshëve, në lëndë organike që e bëjnë tokën pjellore. Disa kërpudha jetojnë në simbiozë me pemët. Ato ushqehen me përbërjet organike që gjenden në rrënjët e pemëve, ndërsa pemët marrin substancat ushqyese që thithin kërpudhat.

[Kutia në faqen 23]

DISA KËSHILLA

• Kërpudhat e freskëta mbaji në frigorifer, në një qese letre ose cope. Mos i vër afër ushqimeve kundërmuese pasi thithin erërat e forta.

• Nëse do t’i hash të pagatuara, pastroji me një copë të njomë ose shpëlaji shpejt e shpejt dhe pastaj thaji lehtë me një pecetë. Mos i zhyt në ujë.

• Nëse do t’i gatuash, përdor thjesht një furçë të butë për të hequr papastërtitë.

• Mos i qëro—lëkura e tyre është e shijshme dhe e ushqyeshme.

[Figura në faqen 21]

Kërpudhat rriten në këtë inkubator ku temperaturat mbahen nën kontroll

[Figura në faqen 22]

Disa kërpudha ngjajnë si lule të bukura

[Figura në faqen 23]

Kërpudha të pjekura në skarë me salcë qiqrash, spinaq, hudhra dhe presh

[Burimi i figurës në faqen 21]

Me mirësjellje nga Mushroom Information Center

[Burimet e figurave në faqen 23]

Lart: me mirësjellje nga Mushroom Information Center; poshtë: me mirësjellje nga Australian Mushroom Growers Association