Sipërfaqja e krahut të fluturës
A është projektuar?
Sipërfaqja e krahut të fluturës
● Ngjyrat e bukura metalike mbi krahët e disa fluturave ndryshojnë në varësi të këndit të shikimit. Ngjyra e krahut te një lloj fluture është kaq e qartë dhe e fortë, sa mund të shihet nga 805 metra larg. Çfarë e bën krahun e fluturës kaq të jashtëzakonshëm?
Shqyrtoni faktet: Krahu i fluturës bishtdallëndyshe (Papilio blumei) përbëhet nga shumë rreshta me pjesëza të lugëta të cilat e reflektojnë dritën në mënyra të ndryshme. Për shembull, në qendër të çdo pjesëze të lugët drita reflektohet në ngjyrë të verdhë në të gjelbërt, kurse në pjesët anësore reflektohet në ngjyrë blu. Gjithashtu, drita në qendër të sipërfaqes së lugët reflektohet drejtpërdrejt, kurse drita që bie në pjesët anësore, në fillim kalon përmes një sipërfaqeje prej shumë shtresash që i amplifikon dhe pjesërisht i polarizon ose rrotullon valët e dritës. Përzierja përfundimtare quhet ngjyrë strukturore për shkak të mënyrës komplekse në të cilën prodhohet.
Studiuesve iu deshën dhjetë vjet që të bënin një kopje të thjeshtuar të sipërfaqes së krahut të fluturës. Ata shpresojnë se kjo teknologji do të çojë në prodhimin e kartëmonedhave dhe të kartave të kreditit të vështira për t’u falsifikuar dhe të paneleve diellore më të efektshme në grumbullimin e energjisë diellore. Por, kopjimi i sipërfaqes së krahut të një fluture është mjaft i vështirë. «Me gjithë kuptueshmërinë e detajuar shkencore të optikës,—shkruan profesori Ulrik Shtajner i Qendrës Nanoshkencore të Universitetit të Kembrixhit,—shumëllojshmëria marramendëse e ngjyrave që gjenden në natyrë, shpesh ua kalon efekteve optike që mund të prodhojë teknologjia.»
Si mendoni? A erdhi rastësisht në ekzistencë sipërfaqja e krahut të fluturës apo është projektuar?
[Figura në faqen 24]
Flutura e gjelbër bishtdallëndyshe
[Figura në faqen 24]
Pamje mikroskopike e krahut të fluturës
[Burimet e figurave në faqen 24]
Flutura: Faunia, Madrid; pamje mikroskopike: © Eye of Science/Photo Researchers, Inc