A mund t’i shpëtojmë nga zhdukja?
A mund t’i shpëtojmë nga zhdukja?
NË VITIN 2002, Kombet e Bashkuara shpallën synimin se në fund të dekadës do të zvogëlohej ritmi me të cilin po zhdukeshin llojet dhe po dëmtoheshin ekosistemet. Në përputhje me atë synim, 2010-a do të ishte Viti Ndërkombëtar i Biodiversitetit.
Mjerisht, kur erdhi ai vit, plotësimi i synimit as që dukej në horizont. BBC-ja raportonte: «Si pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit njerëzor, llojet po zhduken me një shpejtësi 1.000 herë më të madhe se mesatarja natyrore.» Gazeta New Zealand Herald ishte edhe më specifike: «Tani në mbarë botën rrezikojnë të zhduken një në pesë lloje bimësh, një në pesë lloje gjitarësh, një në shtatë lloje zogjsh dhe një në tri lloje zvarranikësh.» Një anë e problemit del në pah kur vërejmë ç’ka ndodhur në Zelandën e Re në rrjedhën e shekujve.
Biodiversiteti në Zelandën e Re
Para se Zelanda e Re të popullohej, ekosistemi i saj lulëzonte. Mirëpo banorët e parë sollën lloje që patën efekte shkatërrimtare te flora dhe fauna vendëse. Për shembull, maorët sollën qen nga matanë Paqësorit, e ndoshta edhe kioren (ose miun polinezian) që u shërbente si ushqim.
Pastaj, në shekujt e 17-të e të 18-të, mbërritën evropianët që sollën me vete minj të anijeve, minj shtëpie dhe mace—këto të fundit shpejt u kthyen në mace të egra. Gjithashtu, evropianët
lanë të lirë në natyrë dhi, derra e drerë që t’i përdornin si ushqim. Gjatë shekullit të 19-të, ata futën në vend posumin bishtfurçë dhe lepurin—për mishin e gëzofin—pa e vrarë mendjen fare se si do të ndikonin ato krijesa te pemët, zogjtë e bimësia.Në vitet 1860, popullata e lepujve kishte dalë jashtë kontrollit, prandaj u sollën nuselalat. Veçse nuselalat preferuan zogjtë vendës, që ishin shumë më të ngadaltë dhe një pre më e lehtë. Për pasojë, popullata e lepujve vazhdoi të shumohej.
Sot, si rrjedhojë e ndikimit gjithnjë e më të madh të gjitarëve të dëmshëm, Ministria e Mbrojtjes së Natyrës në Zelandën e Re raporton se 9 në 10 zogj kivi të kafenjtë që lindin në natyrë, ngordhin pa mbushur një vjeç. Tanimë shumë lloje janë zhdukur njëherë e mirë: mbi 40 lloje zogjsh, 3 lloje bretkosash, 1 lloj lakuriqi nate dhe të paktën 3 lloje hardhucash, pa zënë në gojë llojet e panumërta të insekteve. Më shumë se gjysma e 5.819 bimëve e kafshëve vendëse të Zelandës së Re klasifikohen si të rrezikuara, kështu që gjallesat e këtij vendi janë ndër më të rrezikuarat në planet.
Përpjekje frytdhënëse
Sot agjencitë qeveritare janë syhapur që të mos lejojnë të futen në Zelandën e Re lloje të dëmshme bimësh e kafshësh. Veç kësaj, Ministria e Mbrojtjes së Natyrës ka vënë në zbatim një sërë programesh për eliminimin e llojeve të dëmshme, sidomos nëpër ishuj, dhe ka krijuar rezervate natyrore.
Një nga këta ishuj të përtërirë është Tiritiri Matangi, afër brigjeve të Gadishullit Uangaparaoa të Oklendit. Pasi u spastrua nga minjtë në vitin 1993 dhe u mboll sërish me 280.000 pemë vendëse, sot kjo zonë është një rezervat i hapët që mbahet
nën mbikëqyrje. Atje vizitorët mund të dëgjojnë e të shohin lloje të rralla zogjsh vendës që i kanë kthyer në habitatin e tyre, si: zogu me samar, takahe, kokako, titipounamu dhe hihi. Këto krijesa të bukura që po rriten mbarë në një mjedis pa grabitqarë, shpesh i lejojnë vizitorët t’i soditin nga afër.Më 2003, u shpall se ishulli subantarktik Kembëll ishte spastruar nga minjtë pas një programi dyvjeçar për eliminimin e tyre. Qysh atëherë, flora vendëse po gjallërohet dhe zogjtë detarë po kthehen. Madje kanë kthyer në shtëpinë e vet edhe një lloj rose të rrallë—rosën e ishullit Kembëll.
Para pak kohësh, ka nisur një projekt madhështor përtëritjeje në ishujt Rangitoto e Motutapu, si edhe në Gjirin e Haurakit në Oklend. Synimi i tij është të mbrojë pyllin më të madh në botë me pemë pohudukaua dhe të ndihmojë gjallesat vendëse që janë kthyer në habitatin e tyre. Pasi u eliminuan një sërë llojesh të dëmshme—lepujt, nuselalat, iriqët, macet e egra, minjtë e murrmë, minjtë e anijeve dhe minjtë e shtëpisë—në ishuj u zbuluan papagaj me kurorë të kuqe dhe zogj-zile pas një mungese njëshekullore.
Këta shembuj tregojnë ç’mund të bëhet që ta marrin veten llojet e rrezikuara dhe të ndreqen gabimet dritëshkurtra të së shkuarës në lidhje me mjedisin. Dashuruesit e natyrës anekënd globit mund ta presin me gëzim plotësimin e premtimit të Biblës se Perëndia Jehova, ‘Bërësi i qiellit dhe i tokës’, do t’u japë fund praktikave të dëmshme që vënë në rrezik natyrën me gjithë botën e gjallë.—Psalmi 115:15; Zbulesa 21:5.
[Diçitura në faqen 25]
Sot, 9 në 10 zogj kivi nuk arrijnë të mbushin një vjeç
[Kutia në faqen 26]
PËRDORIMI I MENÇUR I TË ARDHURAVE
Një vështirësi për mbrojtësit e natyrës në mbarë botën është lista në rritje e llojeve në prag të zhdukjes kundrejt të ardhurave të kufizuara për të përballuar problemin. Ata përdorin një metodë përzgjedhjeje ekologjike, e ngjashme me atë që praktikohet në urgjencat e spitaleve kudo në botë ku zbatohet parimi i përparësisë. Kjo metodë përpiqet t’i administrojë të ardhurat në atë mënyrë që jep rezultatet më të mira, duke marrë parasysh faktorë, si: (1) vlera që mendohet se ka një lloj a një habitat, (2) mundësitë që një veprim i propozuar të ketë sukses dhe (3) kostoja. Ndonëse jo të gjithë janë dakord me këtë metodë, përkrahësit e saj thonë se ajo ndihmon që të shfrytëzohen sa më mirë të ardhurat e kufizuara, duke e drejtuar vëmendjen atje ku do të arrihen rezultatet më të mira.
[Hartat në faqen 26]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
ZELANDA E RE
Gjiri i Haurakit
Ishulli Tiritiri Matangi
Rangitoto dhe Motutapu
Ishulli Kembëll
[Figura në faqen 25]
Kivi i kafenjtë
[Burimi]
© S Sailer/A Sailer/age fotostock
[Figura në faqen 27]
Një takahe i rritur në ishullin Tiritiri Matangi
[Figura në faqen 27]
Ishulli Kembëll
[Burimet e figurave në faqen 27]
Fotografia e takahes: © FLPA/Terry Whittaker/age fotostock; Ishulli Kembëll: © Frans Lanting/CORBIS