Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Krijesat interesante të Tasmanisë

Krijesat interesante të Tasmanisë

Krijesat interesante të Tasmanisë

GJATË ditës, natyra është e qetë dhe asgjë nuk pipëtin. Por kur vjen nata, në pyll jehojnë ulërimat dhe piskamat që të rrëqethin mishin. Nga vijnë? Nga një kafshë e lezetshme e familjes së marsupialëve me emër jo dhe aq të këndshëm: djalli i Tasmanisë. Kur i sheh dhe i dëgjon, këto kafshë trupngjeshura mund të duken shumë të egra, sidomos kur janë duke ngrënë një kafshë të ngordhur. Por kjo egërsi s’është veçse një blof.

Mund ta pastrojnë pyllin nga kërmat me një shpejtësi marramendëse. Me nofullat dhe dhëmbët e fortë mund të përlajnë çdo pjesë të kërmës: lëkurën, kockat dhe gjithçka tjetër. Në fakt, djalli i Tasmanisë mund të hajë një sasi ushqimi sa 40 për qind e peshës së tij trupore për gjysmë ore, që do të ishte sikur një njeri të hante një copë mishi prej 25 kilogramësh në një vakt.

Akoma më i këndshëm është vombati, një kafshë e butë e ledhatare me trup të shkurtër e të ngjeshur. Si të gjithë marsupialët, edhe vombatët femra kanë xhep dhe i ushqejnë të vegjlit e tyre me qumësht. Por ndryshe nga kushërirat e tyre, ato i kanë xhepat me kokë poshtë. Sigurisht, kjo shërben që këlyshët të mos bëhen pis ndërsa mamaja gërmon strofullën. Gjithashtu, vombatët kanë dhëmbë që rriten vazhdimisht—një avantazh për ta pasi i përdorin për të brejtur çdo gjë që u del përpara kur gërmojnë nën dhé. Edhe pse në pamje të parë duken sikur mezi lëvizin, çuditërisht vombatët janë të shkathët dhe me delikatesë mund të këpusin bimë me këmbët e para dhe t’i futin në gojë.

Një tjetër krijesë e çuditshme është ornitorinku. Kjo krijesë ka sqep dhe këmbë me membranë si të rosës, trup dhe gëzof si të lundrës dhe bisht si të kastorit. Ajo bën vezë si pula, gërmon strofullën si vombati dhe i ushqen të vegjlit e saj me qumësht si arusha. Ja përse shkencëtari i parë që e studioi, mendoi se ishte një trillim i natyrës.

Pse na falin kaq shumë kënaqësi kafshë të tilla? Sepse, pa dyshim, Krijuesi ynë do që të na falin kënaqësi. Bibla na tregon se Ai i tha çiftit të parë njerëzor ‘të mbante të nënshtruar çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë’. (Zanafilla 1:28) Sipas këtij urdhri, të mbajmë të nënshtruara kafshët do të thotë edhe të kujdesemi për to. A nuk na lind dëshira ta përmbushim këtë detyrë kur shohim kafshë të tilla në natyrë?

[Kutia dhe figura në faqen 11]

NËN HIJEN E GJIGANTËVE

Kur bëhet fjalë për përmasat, pak gjëra në natyrë janë aq mbresëlënëse sa pemët e mëdha të Tasmanisë. Më e larta ndër to është frashëri i malit (Eucalyptus regnans), pemë që çel lule dhe rritet mesatarisht deri në 75 metra. Më e larta e këtij lloji është 99,6 metra, vetëm 16 metra më e shkurtër se pema më e gjatë në botë, një sekuo në Kaliforni, SHBA.

Një tjetër pemë vendëse, pisha e Huonit, është e lartë sa gjysma e një frashëri mali me gjatësi mesatare, por ama jeton gjashtë herë më gjatë. Sipas llogaritjeve të disa shkencëtarëve, pisha e Huonit mund të jetojë më shumë se 3.000 vjet. Ja pse cilësohet si pema më jetëgjatë në tokë. Mobilierët dhe ndërtuesit e varkave e vlerësojnë shumë këtë «princ» të drurëve të Tasmanisë. Druri i tij ngjyrë kremi është i lehtë për t’u punuar dhe përmban një vaj të rëndësishëm që shërben si konservues natyror dhe si ilaç kundër insekteve. Disa trungje të prera që kanë mbetur në pyll, mund të përdoren edhe pas qindra vjetësh.

[Figura në faqen 10]

Djalli i Tasmanisë

[Burimi]

© J & C Sohns/​age fotostock

[Figura në faqen 11]

Vombati

[Figura në faqen 11]

Ornitorinku

[Burimet e figurave në faqen 11]

Vombati dhe ornitorinku: Tourism Tasmania; pema gjigante: Tourism Tasmania and George Apostolidis