Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjeshtrat e mesjetës në astronomi

Mjeshtrat e mesjetës në astronomi

Mjeshtrat e mesjetës në astronomi

GJATË gjithë historisë, njerëzit janë mahnitur kur kanë vrojtuar diellin, hënën dhe yjet. Duke studiuar pozicionin dhe lëvizjet e këtyre trupave qiellorë, njeriu ka arritur të llogaritë ditët, muajt dhe vitet.

Arabët ishin një prej shumë popujve që kanë studiuar qiellin e natës. Epoka e artë e shkencës në Lindjen e Mesme filloi në shekullin e nëntë të e.s. dhe astronomët arabishtfolës të asaj kohe konsideroheshin si mjeshtra të astronomisë. Arritjet e tyre luajtën një rol kyç në zhvillimin e kësaj shkence magjepsëse. Le të shohim se si.

Pionierët e astronomisë

Gjatë shekullit të shtatë dhe të tetë të e.s., nga Arabia, islamizmi u përhap drejt perëndimit përmes Afrikës së Veriut e deri në Spanjë dhe drejt lindjes deri në Afganistan. Studiuesit në këtë territor të gjerë u bazuan në studimet shkencore të persëve dhe grekëve, të cilët ishin ndikuar jashtë mase nga babilonasit dhe egjiptianët.

Pastaj, gjatë shekullit të nëntë, tekste shkencore të rëndësishme u përkthyen në arabisht, përfshirë veprat e Ptolemeut, astronomit grek. * Abasidët, dinastia e të cilëve shtrihej nga Afganistani e deri në Oqeanin Atlantik, shtinë në dorë tekste në sanskritisht nga India që përmbanin një thesar njohurish për matematikën, astronominë dhe shkenca të tjera.

Islamizmi i çmonte njohuritë në astronomi. Pse? Një arsye lidhej me fenë e tyre. Myslimanët besonin se duhej të ishin me fytyrë nga Meka kur faleshin dhe astronomët arrinin të përcaktonin drejtimin e Mekës kudo që të ishin. Aty nga shekulli i 13-të, disa xhami punësuan madje një astronom profesionist, ose muakit, që i ndihmonte besimtarët të faleshin në kohën e duhur. Me të dhënat që kishin, astronomët mund të përcaktonin datat e ngjarjeve dhe të praktikave fetare, si për shembull periudhën e agjërimit gjatë muajit të Ramazanit. Përveç këtyre, mund t’i ndihmonin pelegrinët për në Mekë të kuptonin sa i gjatë do të ishte udhëtimi dhe të zgjidhnin rrugën më të përshtatshme.

Financimi qeveritar

Në Bagdad, në fillim të shekullit të nëntë, studimi i astronomisë ishte pjesë e arsimimit të çdo dijetari. Kalifi Al Mamun ngriti atje një observator dhe pastaj një tjetër afër Damaskut. Grupi i tij i gjeografëve dhe i matematikanëve analizonin, krahasonin dhe pajtonin informacionet e marra nga persët, indianët dhe grekët për astronominë. U ndërtuan observatorë edhe në një sërë qytetesh të Lindjes së Mesme. *

Studiuesit që punonin në këto qendra, arritën rezultate të jashtëzakonshme për atë kohë. Për shembull, që në vitin 1031, Abu-Reihan al Biruni hodhi hipotezën se planetët rrotullohen në orbita eliptike dhe jo rrethore.

Matja e Tokës

Përhapja e islamizmit nxiti interesin për përpilimin e hartave dhe për lundrimin. Hartografët dhe gjeografët përpiqeshin fort të ishin të saktë në matjet e tyre dhe shpesh ia arrinin. Duke synuar saktësinë dhe për të përcaktuar gradët e gjerësisë gjeografike për hartën e botës që po bënte, kalifi Al Mamun dërgoi dy skuadra studiuesish në shkretëtirën e Sirisë. Të pajisur me astrolabë, shufra dhe litarë matës, skuadrat shkuan në drejtime të kundërta derisa panë se Ylli Polar ishte një gradë më lart. Ata arritën në përfundimin se distanca që kishin përshkuar përkonte me një gradë gjerësi gjeografike ose 1/​360 e perimetrit të tokës. Atyre u doli perimetri polar 37.369 kilometra, një shifër mjaft e përafërt me llogaritjen e sotme prej 40.008 kilometrash.

Observatorët e Lindjes së Mesme kishin një shumëllojshmëri mjetesh të sofistikuara: astrolabë, kuadrantë, sekstantë, orë diellore dhe mjete të tjera që përdoreshin për të studiuar trupat qiellorë dhe për të vrojtuar lëvizjen e tyre. Disa prej këtyre mjeteve ishin të stërmëdha. Ndërtuesit e tyre, arsyetonin se sa më të mëdha, aq më të sakta do të ishin.

Trashëgimia e astronomëve të mesjetës

Arritjet e këtyre mjeshtrave të astronomisë në mesjetë ishin mbresëlënëse. Ata bënë katalogë dhe ilustrime të yjësive, emërtuan yjet, përpiluan kalendarë më të saktë, llogaritën eklipset dhe vazhduan të përmirësonin tabelat e lëvizjes së trupave qiellorë. Ata mund të gjenin pozicionin e diellit, hënës dhe pesë planetëve të dukshëm në çdo moment të ditës dhe të natës, dhe kjo ishte një ndihmë e çmuar në lundrim. Mund të përcaktonin edhe orën e të mbanin një kalendar duke vëzhguar pozicionin e trupave qiellorë.

Teoritë që astronomët arabishtfolës nxorën për të shpjeguar lëvizjen e planetëve, gati zgjidhën papajtueshmëritë që gjetën në modelin e universit të Ptolemeut. Ajo që nuk kuptonin është se në qendër të orbitave të planetëve është dielli e jo toka. Sidoqoftë, dokumentuan lëvizjen e yjeve me saktësi të pashoqe dhe zbulimet e tyre dolën më se të çmuara për brezat e mëpasshëm të astronomëve në mbarë botën.

[Shënimet]

^ par. 6 Grekët tashmë kishin përcaktuar se toka është sferike. Përndryshe, arsyetonin ata, Ylli Polar nuk do të shfaqej gjithnjë e më poshtë në qiell ndërsa njeriu udhëton drejt jugut?

^ par. 9 Themelimi i këtyre observatorëve shpesh vinte nga interesi që kishte një sundimtar për astrologjinë.

[Diçitura në faqen 17]

Astronomët dokumentuan lëvizjen e planetëve në gjithnjë e më shumë almanakë të përpiluar në mbarë vendet islamike

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

NJË «KOMPJUTER XHEPI» I LASHTË

Astrolabi, paraardhësi i sekstantit, është quajtur «pajisja më e rëndësishme astronomike para teleskopit». Shkencëtarët e mesjetës në Lindjen e Mesme e përdorën për të zgjidhur probleme në lidhje me kohën dhe pozicionin e trupave qiellorë.

Astrolabi ishte një model qielli i stampuar bukur mbi një pllakë metalike të lëmuar. Anës buzës së kësaj pllake shënoheshin gradët ose ndonjëherë orët e ditës. Një shigjetë rrotulluese (alidadi) përdorej për të shënjuar një yll dhe kështu për të përcaktuar lartësinë e yllit duke e mbajtur astrolabin lart, të varur me krahun të shtrirë para. Pastaj rezultatet përcaktoheshin duke lexuar shkallën e shënuar, ashtu siç lexohet një vizore logaritmike.

Astrolabi me shumë përdorime mundësoi identifikimin e yjeve, parashikimin e kohës së lindjes dhe perëndimit të diellit, përcaktimin e drejtimit të Mekës, vrojtimin e terrenit, llogaritjen e lartësisë së objekteve dhe lundrimin. Ishte një «kompjuter xhepi» i atyre kohëve.

[Figurat]

Një astrolab i shekullit të 13-të

Një kuadrant astrolab i shekullit të 14-të

[Burimet]

Astrolabi: Erich Lessing/​Art Resource, NY; kuadrant astrolab: © New York Public Library/​Photo Researchers, Inc.

[Figura në faqen 16]

Një ilustrim i shekullit të 16-të ku astronomë osmanë përdorin metoda të përcaktuara nga studiuesit arabë

[Figura në faqen 18]

Sfera qiellore, 1285 i e.s.

[Figura në faqen 18]

Faqe nga një dorëshkrim arab i yjësive, shkruar nga astronomi Abd al Rahman al Sufi rreth vitit 965 të e.s.

[Burimi i figurës në faqen 17]

Faqet 16 dhe 17: Art Resource, NY

[Burimet e figurave në faqen 18]

Dorëshkrimi: me lejen e Bibliotekës Britanike; sfera: © The Bridgeman Art Library