Pikëpamja e Biblës
Pse t’i lavdërosh të tjerët?
SHUMË njerëz ndihen sikur askush nuk i vëren përpjekjet e tyre. Për shembull, punonjësve u duket se punëdhënësit nuk i vlerësojnë. Shumë të martuar ndihen sikur bashkëshorti nuk i çmon. Gjithashtu, disa fëmijë mendojnë se s’mund t’i arrijnë kurrë ato që presin prindërit prej tyre. Patjetër që këto ndjenja mund të lehtësohen nëse të gjithë jemi të gatshëm ta lavdërojmë njëri-tjetrin herë pas here.
Lavdërimet nga zemra janë gjë e rrallë në botën e sotme. E s’është për t’u çuditur, sepse në Bibël ishte parathënë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, . . . mosmirënjohës, të pabesë.»—2 Timoteut 3:1, 2.
A ke marrë ndonjëherë lavdërime të sinqerta? Atëherë e di se ato ta ngrohin zemrën e të bëjnë me flatra. «Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»—thuhet në Bibël. (Proverbat 15:23) Shkrimet e Shenjta na ndihmojnë ta trajtojmë njëri-tjetrin me mirëdashje.
Kërko cilësitë e mira te të tjerët
Ngaqë interesohet shumë për ne, Perëndia i vëren cilësitë e veprat tona të mira dhe i çmon. Bibla na siguron: «Sytë [e Perëndisë] enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.» (2 Kronikave 16:9) Kur tregojmë dashuri për Perëndinë duke iu bindur ligjeve të tij, s’ka dyshim se ai e vëren.
Perëndia Jehova nuk kërkon të metat tona. Sikur ta bënte këtë, asnjë nga ne nuk do të mbetej në këmbë. (Psalmi 130:3) Në të vërtetë, Jehovai është si një minator që shoshit me durim pirgje zhavorri në kërkim të gurëve të çmuar. Kur gjen një gur të çmuar, minatori gëzon. Mbase guri i papërpunuar nuk duket i çmuar, por ai e dallon ç’vlerë mund të ketë. Po njësoj, kur Perëndia heton zemrën tonë, është në kërkim të cilësive të vyera, jo të të metave. Kur i gjen, gëzohet. Jehovai e di se, po të modelohen e lëmohen, këto cilësi mund të na ndihmojmë të transformohemi në diçka vërtet me vlerë: në një adhurues besnik dhe të përkushtuar të Tij.
Mund të mësojmë nga shembulli i Perëndisë. Kur shohim të tjerët, ndoshta kemi prirjen të ndalemi te të metat. Por nëse i shohim ashtu siç i sheh Jehovai, do të kërkojmë vetitë e mira. (Psalmi 103:8-11, 17, 18) E kur t’i gjejmë cilësitë e tyre të vyera, mund t’i lavdërojmë. Cilat do të jenë rezultatet? Fjalët tona patjetër që do t’i përtërijnë dhe mund të përpiqen edhe më fort të bëjnë atë që është e drejtë. Kurse ne vetë do të provojmë gëzimin që vjen kur u jep të tjerëve.—Veprat 20:35.
Shprehe vlerësimin për veprat e mira
Jezui shpesh i vërente veprat e mira të të tjerëve dhe ua thoshte këtë. Një herë, kur një grua e trembur dhe e sëmurë i preku me druajtje rrobën që të shërohej, Jezui e lavdëroi me këto fjalë: «Bijë, besimi yt të shëroi.»—Marku 5:34.
Në një rast tjetër, kur po mësonte popullin në tempullin e Jerusalemit, Jezui pa shumë të pasur që hidhnin pará në arkat e thesarit. Pastaj i zunë sytë një vejushë nevojtare që hodhi «dy qindarka». Të tjerët kishin dhuruar Luka 21:1-4.
më tepër se ajo. Megjithatë, Jezui e lavdëroi në sy të të gjithëve sinqeritetin e vejushës me fjalët: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë, edhe pse e varfër, hodhi më shumë se të gjithë ata. Sepse ata të gjithë hodhën dhurata nga ato që u tepruan, kurse ajo grua, në skamjen e saj, hodhi gjithçka që kishte për të jetuar.»—Si mund ta imitojmë Jezuin? Bibla thotë: «Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon, kur e ke në dorë ta bësh.»—Proverbat 3:27.
Fuqia e lavdërimeve
Në botën e sotme mosmirënjohëse, të gjithë kemi nevojë të ndiejmë se na vlerësojnë e na duan. Kur i lavdërojmë të tjerët nga zemra, ata çelen e marrin forcë. Lëvdimet tona të sinqerta i shtyjnë të vazhdojnë të bëjnë më të mirën.—Proverbat 31:28, 29.
Bibla i inkurajon gjithë të krishterët: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera.» (Hebrenjve 10:24) Sa ndryshe do të ishte bota sikur gjithkush të interesohej për të tjerët, të kërkonte cilësitë e tyre të mira dhe t’ua shprehte vlerësimin për veprat e shkëlqyera! Vërtet, lavdërimet kanë forcë.
A DONI TË DINI?
● Pse duhet t’i lavdërojmë të tjerët për veprat e mira?—Proverbat 15:23.
● Kur Jehovai na shqyrton, çfarë kërkon te ne?—2 Kronikave 16:9.
● Kur duhet t’i lavdërojmë të tjerët?—Proverbat 3:27.
[Figura në faqen 29]
A i vëren veprat e mira të të tjerëve dhe a ua shpreh vlerësimin?