Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

«E vërteta do t’ju lirojë»​—Si?

«E vërteta do t’ju lirojë»​—Si?

MILIONA njerëz mendojnë se janë të lirë, kur në fakt nuk janë. Për shembull, shumë janë robër të besëtytnive. Të tjerë kanë frikë nga të vdekurit e përpiqen t’i qetësojnë me dhurata të shtrenjta. Të tjerë akoma, të pasigurt se çfarë i ndodh njeriut kur vdes, kanë një frikë të ekzagjeruar nga vdekja. A mund të lirohen nga këto barra mendore, emocionale e madje financiare? Po! Siç tregojnë fjalët e Jezu Krishtit të cituara më lart, vetëm e vërteta mund t’i lirojë. Por, cila e vërtetë? E vërteta në përgjithësi apo një e vërtetë e veçantë?

Jezui na e tregoi qartë përgjigjen. Ai tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, . . . do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) ‘Fjala’ e Jezuit, domethënë mësimet e tij, gjendet në Bibël.

Kur tha «e vërteta do t’ju lirojë», Jezui po i referohej së pari lirisë nga mëkati dhe vdekja. Megjithatë, e vërteta që gjendet në Fjalën e Perëndisë na liron edhe nga gjëra të tilla, si: besëtytnitë, frika nga të vdekurit dhe frika e ekzagjeruar nga vdekja. Si?

1. Liri nga besëtytnitë. Shumë njerëz besojnë se disa objekte ose numra sjellin ters. Të tjerë stepen të marrin vendime të rëndësishme nëse nuk kërkojnë më parë një shenjë ogurbardhë, nëse nuk shohin horoskopin ose nuk këshillohen me një medium që i lidh me botën e përtejme.

Si liron e vërteta e Biblës? Në kohët biblike, disa nga populli i Perëndisë u bënë besëtytë deri në pikën sa arritën të adhuronin «perëndinë e Fatit të Mirë» dhe «perëndinë e Riskut». Si e shihte këtë Perëndia Jehova? «Ju bënit atë që ishte e keqe në sytë e mi»,​—tha ai. (Isaia 65:11, 12) Të njëjtën gjë mendonte edhe për ata që këshilloheshin me mediumet: «[Kush] këshillohet me një medium . . . [është i] pështirë për Jehovain.»​—Ligji i përtërirë 18:11, 12.

Besëtytnitë dhe mediumet janë të dëmshme, sepse janë «intriga të Djallit», të cilin Jezui e quajti «ati i gënjeshtrës». (Efesianëve 6:11; Gjoni 8:44) Nëse do të doje një këshillë për ndonjë çështje të rëndësishme, a do t’ia kërkoje një gënjeshtari? S’do mend që jo! Po njësoj, është e mençur që të shmangësh çdo gjë që të lidh me ‘atin e gënjeshtrës’.

Çelësi për të marrë vendime të mira në jetë është mençuria e bazuar në njohurinë e saktë për parimet biblike dhe qëllimin e Perëndisë për njerëzimin. Te Proverbat 2:6 thuhet: «Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese.»

2. Liri nga frika prej të vdekurve. Shumë besojnë se «shpirti» i të vdekurit është në gjendje të ndikojë tek të gjallët. Sipas tyre, ky «shpirt» duhet qetësuar me dhurata të ndryshme, përndryshe zemërohet. Nga kjo, disa njerëz zhyten deri në fyt në borxhe që t’u bëjnë të vdekurve blatime dhe ceremoni të kushtueshme.

Si liron e vërteta e Biblës? Bibla na tregon të vërtetën për gjendjen e të vdekurve. Për shembull, Jezui tha se të vdekurit janë në ‘gjumë’. (Gjoni 11:11, 14) Çfarë donte të thoshte? Përgjigjja gjendet tek Eklisiastiu 9:5: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» Po, të vdekurit janë si në gjumë të thellë, plotësisht të pavetëdijshëm. Në fakt, ata nuk ekzistojnë më, prandaj s’mund të na bëjnë as mirë, as keq.

Gjithsesi, disa njerëz thonë se kanë komunikuar me të vdekurit. Si është e mundur kjo? Përgjigjen na e jep përsëri Bibla. Ajo na tregon se shumë herët në historinë njerëzore, disa engjëj u rebeluan kundër Perëndisë. (2 Pjetrit 2:4) Këto qenie frymore të liga, që u quajtën demonë, përpiqen të mashtrojnë njerëzit. (1 Timoteut 4:1) Një mënyrë është duke u shtirur si të vdekur, që të përforcojnë gënjeshtrën se të vdekurit janë gjallë në një formë ose botë tjetër.

3. Liri nga frika e ekzagjeruar për vdekjen. Siç thotë edhe Bibla, vdekja është vërtet një armike. (1 Korintasve 15:26) Prandaj, me të drejtë e kemi frikë dhe s’duam të vdesim. Megjithatë, s’ka pse të kemi frikë të tepruar nga vdekja.

Si liron e vërteta e Biblës? Përveçse na tregon të vërtetën për gjendjen e të vdekurve, Bibla na thotë edhe se Perëndia ka si qëllim t’i kthejë në jetë të vdekurit me anë të ringjalljes. Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [të Krishtit] dhe do të dalin.»​—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

Në ç’formë «do të dalin»? Përgjigjen na e dha Jezui me ringjalljet që bëri. Të gjithë i ktheu në jetë si njerëz​—si kishin qenë më parë. (Marku 5:35-42; Luka 7:11-17; Gjoni 11:43, 44) Kjo është në përputhje me fjalën greke për «ringjallje» që do të thotë «të çohesh; të ngrihesh». Kur foli me shërbëtorin e tij të moshuar Daniel, Perëndia tha: «Do të prehesh [ose do të biesh në gjumin e vdekjes], por do të çohesh për të marrë pjesën tënde në fund të ditëve.» (Danieli 12:13) Sa duhet ta kenë ngushëlluar Danielin këto fjalë, duke i dhënë forcë ta përballonte vdekjen me guxim e dinjitet!

Një nga arsyet pse Jezui erdhi në tokë ishte ‘t’u predikonte çlirimin robërve’, atyre që ishin skllevër të bindjeve të rreme. (Luka 4:18) Mësimet e tij që gjenden në Bibël vazhdojnë t’u sjellin liri njerëzve çdo ditë. Ne shpresojmë sinqerisht që e vërteta e Biblës të të sjellë liri të përhershme.

A DONI TË DINI?

Si na liron e vërteta e Biblës nga

● besëtytnitë?​—Isaia 8:19, 20; 65:11, 12.

● frika nga të vdekurit?​—Eklisiastiu 9:5; Gjoni 11:11, 14.

● frika nga vdekja?​—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

[Diçitura në faqen 11]

E vërteta e Biblës i liron njerëzit nga besëtytnitë, frika nga të vdekurit dhe frika e ekzagjeruar nga vdekja