Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Qyteti i Nju-Jorkut nxori një ligj që ndalon pirjen e duhanit në plazhe, parqe dhe sheshe kalimtarësh. Shkelësit do të gjobiten me 50 dollarë. Autoritetet shpresojnë që ky ndalim të jetë «vetëzbatues».​—THE WALL STREET JOURNAL, SHBA.

«Në Indi u rrit ndjeshëm aborti përzgjedhës i vajzave [foshnjave femër], sidomos kur gratë shtatzëna e kishin fëmijën e parë vajzë.» Në familjet ku fëmija i parë ishte vajzë, numri i vajzave që lindin për 1.000 djem ra nga 906 në vitin 1990 në 836 në vitin 2005.​—THE LANCET, BRITANI.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikon «ndoshta kancerogjene për njerëzit» fushat e valëve elektromagnetike, «siç janë ato që krijojnë pajisjet e komunikimit me valë».​—AGJENCIA NDËRKOMBËTARE E KËRKIMEVE PËR KANCERIN, FRANCË.

Kombet e Bashkuara kanë festuar fitoren mbi murtajën e gjedhëve, të shkaktuar nga virusi Rinderpest. Kjo është «sëmundja e parë e kafshëve që është zhdukur falë përpjekjeve të njeriut në ato raste kur shfaqet natyrshëm . . . dhe, pas lisë së njerëzve, është sëmundja e dytë e çrrënjosur nga gjithë sëmundjet».​—ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR USHQIMIN DHE BUJQËSINË, ITALI.

Gati për Apokalipsin?

«Manual ligjor për një Nju-Jork apokaliptik». Ky është titulli i një artikulli në gazetën New York Times. Në të njoftohet botimi i një manuali zyrtar për t’i ndihmuar gjyqtarët dhe avokatët të trajtojnë çështje ligjore të mprehta që mund të lindin pas «një sulmi tjetër terrorist, një ndotjeje të rëndë radiologjike a kimike ose një epidemie në masë». Ky manual, i botuar nga sistemi gjyqësor dhe nga shoqata e avokatëve të shtetit të Nju-Jorkut, jep referime të shpejta se si i trajtojnë ligjet në fuqi çështje, si karantina, evakuimi në masë, bastisjet pa mandat, vrasja e kafshëve të infektuara dhe pezullimi i ligjeve.

Brenda jastëkëve të vjetër

Këllëfët e pastër mund «të mbështjellin diçka vërtet të pështirë», thotë Art Takëri, shkencëtari kryesor në Spitalin Shën Barts, Londër. Gazeta The Times e Londrës, që fliste për studimin e tij, thoshte se pas dy vite përdorimi, më shumë se një e treta e peshës së jastëkut «përbëhet nga këpusha pluhuri të gjalla e të ngordhura, nga jashtëqitjet e tyre, nga lëkurë e vdekur dhe nga baktere». Jastëkët janë inkubatorë të mirë për alergjenët, mikrobet dhe këpushat. Si i bëhet hallit? The Times thotë: «Këpushat . . . thahen dhe ngordhin kur ekspozohen në dritën e diellit, që do të thotë se praktika e vjetër e ajrosjes së shtresave ndihmon që ato të eliminohen.» Sapunët nuk i vrasin këpushat, por larja e jastëkëve në mbi 60 gradë celsius vret dhe largon shumicën e tyre.