Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të bëhemi më të drejtë?

Si të bëhemi më të drejtë?

Si të bëhemi më të drejtë?

KRIJUESI ynë dëshiron të jemi të lumtur, të kemi paqe të brendshme dhe t’ua shtojmë lumturinë të tjerëve. Prandaj kërkon nga ne ‘të tregojmë drejtësi e të duam mirëdashjen’. (Mikea 6:8) Si mund ta bëjmë këtë? Duke kultivuar cilësi që do të luftojnë tiparet që ushqejnë padrejtësitë. Të shohim si na ndihmon Bibla për këtë.

TË MPOSHTIM LAKMINË. Arma më e fuqishme kundër lakmisë është dashuria, jo thjesht sentimentalizmi ose tërheqja romantike, por dashuria vetëmohuese për të tjerët. Siç tregon 1 Korintasve 13:4, 5, kjo dashuri është «mirëdashëse» dhe «nuk kërkon interesat e veta». Për më tepër, një dashuri e tillë nuk kufizohet vetëm te familjarët dhe te miqtë. «Nëse doni ata që ju duan, çfarë shpërblimi keni?»​—pyeti Jezui. Pastaj shtoi se edhe njerëzit që s’e respektojnë Perëndinë tregojnë dashuri për ata që u tregojnë dashuri.​—Mateu 5:46.

TË MPOSHTIM PARAGJYKIMET. Te Veprat 10:34, 35 lexojmë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» Perëndia nuk i gjykon njerëzit duke u nisur nga raca, shtresa shoqërore ose gjinia. Në sytë e tij «nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav, as të lirë, nuk ka as mashkull, as femër». (Galatasve 3:28) Kur imitojmë Perëndinë, kapërcejmë paragjykimet. Le të shohim rastin e Dorotisë, që jetonte në Shtetet e Bashkuara.

Dorotinë e acaronin aq shumë paragjykimet raciale, sa donte të merrte pjesë në një revoltë të armatosur për të lehtësuar vuajtjet e zezakëve të shtypur. Mirëpo, në atë periudhë ndoqi një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait dhe u prek thellë nga mikpritja e ngrohtë që i treguan qoftë zezakët, qoftë të bardhët. Shpejt kuptoi se vetëm Perëndia mund t’i ndryshojë njerëzit nga brenda. Kur përjetoi dashurinë e sinqertë të Dëshmitarëve të bardhë​—të atyre njerëzve që, siç tha, «do t’i kishte vrarë pa pikë ngurrimi për të çuar para kauzën e revolucionit»—​«iu ngroh» aq shumë zemra, sa qau me dënesë.

TË MPOSHTIM QËNDRIMET ANTISHOQËRORE. Para se të bëheshin të krishterë, disa nga dishepujt e hershëm të Jezuit ishin pijanecë, zhvatës, sharës dhe njerëz që jepeshin pas argëtimeve të shfrenuara. Prapëseprapë, me ndihmën e Perëndisë i zëvendësuan ato tipare negative me dashurinë, mirëdashjen dhe mirësinë. (1 Korintasve 5:11; 6:9-11; Galatasve 5: 22) Edhe sot, miliona njerëz e kanë ndryshuar për mirë jetën, falë besimit te Perëndia. Le të shohim shembullin e Firodinit, i cili jeton në Azerbajxhan.

Ai e kaloi fëmijërinë në jetimore, ku shpesh zihej me çunat e tjerë. Kur u rrit, u bë instruktor i luftimit trup më trup. Firodini tregon: «Isha harbut, mizor dhe i dhunshëm. Nëse ime shoqe, Zara, harronte ndonjë gjë kur hanim, qoftë edhe një kruajtëse dhëmbësh, e rrihja. Po ashtu, rrihja këdo që i hidhte sytë asaj kur dilnim bashkë.»

Një ditë mësoi se Jezui i kërkoi Perëndisë t’i falte ushtarët që e vunë në shtyllë, dhe kjo e preku në shpirt. (Luka 23:34) «Vetëm Biri i Perëndisë mund të vepronte kështu»,—tha me vete. Pas kësaj, donte të mësonte më tepër për Perëndinë. Kur Dëshmitarët e Jehovait u treguan të gatshëm ta ndihmonin, pranoi menjëherë një studim biblik falas. S’kaloi shumë dhe personaliteti i tij nisi të përmirësohej. Në fakt, tregohej kaq i përzemërt me Zarën, sa edhe ajo filloi të studionte Biblën. Sot jetojnë në paqe, të bashkuar në adhurimin e vërtetë.

Natyrisht, ndryshimet që bëjmë te vetja nuk do të revolucionarizojnë botën mbarë. Po ç’të themi nëse Perëndia ka si qëllim të sjellë një botë të re, vërtet të drejtë? Tekefundit, s’diskutohet se ai e ka fuqinë për ta bërë këtë. Gjithashtu, të mendojmë pak: te 2 Timoteut 3:1-4, që u citua në fillim të artikullit të kaluar, pamë se Bibla e parathoshte qartë si do të ishin njerëzit në përgjithësi në kohën tonë. Ai parashikim është plotësuar një më një, ashtu si edhe shumë profeci të tjera të Biblës. Prandaj, nuk tregohemi naivë kur e marrim seriozisht premtimin e Perëndisë se do t’u japë fund tërë padrejtësive. Faktikisht, Perëndia do ta plotësojë këtë qëllim. Si?

[Kutia dhe figura në faqen 7]

ETJA E HAJDIT PËR DREJTËSI

Hajdi, që jeton në Shtetet e Bashkuara, kujton: «Më kishin ardhur në majë të hundës racizmi, luftërat, varfëria e padrejtësi të tjera, dhe kërkoja një zgjidhje. U përpoqa të punoja me lëvizjen e të drejtave civile dhe më vonë u futa në një parti politike, por këto nuk sillnin dot ndonjë ndryshim për të qenë.

Mendoja se duhej një ndryshim më rrënjësor, dhe lëvizja e hipive dukej premtuese. Mirëpo, edhe ajo më zhgënjeu. Vura re se shumë hipive u interesonte më tepër seksi, droga dhe muzika rok sesa të ndryshonin sistemin, e nga kjo u zhyta në depresion. Më pas takova një Dëshmitare të Jehovait që më tregoi nga Bibla çfarë ndryshimesh ka si qëllim të sjellë Perëndia. Për shembull, më lexoi shkrime, si Zbulesa 21:3, 4, ku thuhet se Perëndia do të fshijë çdo lot dhe do të zhdukë vajtimet, klithmat e dhembjet, që shpesh vijnë si pasojë e padrejtësisë. ‘A thua të jenë të vërteta këto premtime?’—pyesja veten.

Dyshimet m’u zhdukën kur lexova çfarë thonë Shkrimet për fuqinë e dashurinë e Perëndisë dhe kur ndjeva dashurinë e Dëshmitarëve të Jehovait. Tani mezi pres plotësimin e premtimeve të Perëndisë.»

[Figura në faqen 6]

Kur imitojmë dashurinë e Perëndisë, mposhtim paragjykimet

[Figura në faqen 6]

Firodini me të shoqen, Zarën