Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Uaaa, ça hunde!»

«Uaaa, ça hunde!»

«Uaaa, ça hunde!»

KY REAGIM vjen natyrshëm kur sheh për herë të parë hundën mishtore e të lëvarur të mashkullit të majmunit me feçkë. * Te disa meshkuj ky zgjatim mund të arrijë deri në rreth 18 cm​—gati një e katërta e gjatësisë së trupit. Meqenëse feçka i bie mbi gojë dhe mjekër, kur ha i duhet ta heqë mënjanë! Nëse hunda jonë do të kishte po këtë raport me trupin, do të na varej deri afër gjysmës së gjoksit.

Ku e ka të mirën kjo hundë? * Ka shumë teori. Mbase ajo çliron nxehtësinë e tepërt të trupit ose i shton kumbimin zërit të majmunit. Ose mund të shërbejë si një shenjë e dukshme për të paralajmëruar meshkujt e tjerë. Faktikisht, hunda e tij e spikatshme fryhet dhe skuqet kur acarohet ose entuziazmohet. Një mundësi tjetër është se hunda shërben si tërheqje seksuale dhe e bën të fërgëllojë zemrën e femrës! Sidoqoftë, mundësia më e madhe është që feçka të përmbushë më shumë se një funksion, mbase edhe ndonjë për të cilin dimë pak ose aspak.

Majmunë barkkacekë

Majmunët me feçkë​—mashkulli dhe femra—​kanë edhe një bark të madh që bie në sy. Faktikisht, stomaku mund të nxërë deri në një të katërtën e peshës së tyre trupore. Prandaj, si meshkujt, ashtu edhe femrat, duken sikur janë gjithnjë shtatzënë! Por, pse e kanë barkun aq të fryrë?

Stomaku i majmunëve me feçkë, njëlloj si ai i lopës, është i mbushur me një përzierje të lëngët bimësie dhe bakteresh. Bakteret fermentojnë ushqimin dhe shpërbëjnë celulozën, si dhe disa toksina bimore që do t’i vritnin kafshët e tjera. Falë sistemit tretës mahnitës këta majmunë mund të rriten mirë me gjethe, fruta jo të ëmbla, fryte bishtajash, palma dhe bimë të tjera​—ushqime me të cilat primatët me një lloj tjetër stomaku nuk do të mund të mbijetonin.

Megjithatë, sistemi i fortë tretës i majmunëve me feçkë e ka një të keqe. Këto kafshë nuk duhet të hanë fruta të ëmbla, sepse fermentohen shpejt. Ato do t’ua frynin barkun, ndoshta deri në atë pikë sa të ngordhin me dhimbje.

Për shkak të dietës së pasur me celulozë dhe stomakut kompleks, majmunëve me feçkë u duhet shumë kohë që ta tretin ushqimin. Prandaj, pas një mëngjesi të bollshëm, para se të hanë përsëri bëjnë pushim, disa herë shumë orë.

Kafshë e shoqërueshme

Edhe kur hanë ose pushojnë, majmunët me feçkë rrallëherë janë vetëm. Meshkujt mbizotërues kryesojnë hareme me deri tetë femra dhe pasardhësit e tyre. Meshkujt që lindin brenda grupit, kur rriten aq sa mund t’i dalin zot vetes, i dëbojnë. Këta majmunë të rinj bashkohen me meshkuj të tjerë si vetja dhe formojnë grupe që kanë gjithashtu një ose dy meshkuj më të rritur. Një syri të pastërvitur grupe të tilla do t’i dukeshin tamam si harem.

Majmunët me feçkë kanë një tipar shoqëror të pazakontë​—shpesh haremet përzihen me njëra-tjetrën, sidomos në mbrëmje kur mblidhen te lumenjtë. Në një rast të tillë, nëse një mashkull sheh një mashkull tjetër që po interesohet për femrat e tij, fillon të bëjë shfaqje për të treguar forcën e tij. Zakonisht mashkulli mbrojtës​—i cili mund të peshojë rreth 20 kg—​përkulet përpara me të katër gjymtyrët, shqyen gojën dhe ia ngul sytë rivalit. Në librin Majmunët me feçkë të Borneos (anglisht) thuhet: «Nëse kjo nuk funksionon, atëherë mashkulli fillon befas e në mënyrë të paparashikuar të kërcejë nëpër pemë, shpesh herë duke ulëritur fort dhe duke u ulur në degë të thara të cilat thyhen e lëshojnë një krismë të mprehtë, duke e shtuar edhe më shumë shamatën.» Ndodhin edhe zënka, por janë të rralla.

«Majmunët me feçkë nuk kanë të pazakontë vetëm pamjen; ata lëshojnë edhe lloj-lloj zhurmash nga më të çuditshmet»,—thuhet në librin e cituar më lart. Këto kafshë hungërijnë, këlthasin, ulërijnë dhe piskatin, sidomos mbrëmjeve kur mblidhen buzë lumenjve. Në mes të kësaj gurguleje që të vret veshin, nënat e kanë mendjen të ushqejnë e të krehin qetësisht të vegjlit e tyre turikaltër. Në fund, kur mugëtira ka mbështjellë pyllin, ata janë rehatuar nëpër pemë​—zakonisht pemë të larta buzë një lumi—​ku sistemohen për të fjetur.

Majmunë «këmbërosë»!

Përveç hundës, majmunët me feçkë kanë edhe një gjë tjetër të çuditshme​—gishtat e këmbës i kanë të ngjitur pjesërisht me një membranë, si të rosave. Falë saj, ata jo vetëm notojnë mirë, por edhe arrijnë të ecin nëpër moçalishtet me pemë mangrove. Natyrisht kur mendon për mangrovat tropikale, ka të ngjarë të të vijnë ndër mend edhe krokodilët. Në habitatin e majmunëve me feçkë ka krokodilë me bollëk. Si ia bëjnë këta majmunë që jetojnë kaq afër lumenjve t’u shpëtojnë dhëmbëve të tyre?

Një nga taktikat e tyre është që hyjnë pa u ndier në ujë dhe kalojnë në rresht për një me not qeni, gati-gati pa krijuar as edhe një valëz. Por, kur lumi është i ngushtë, përdorin një taktikë tjetër. Ata ngjiten lart në pemë, marrin vrull nga një degë, deri rreth 9 m mbi ujë, bien me bark në lumë dhe notojnë me sa fuqi që kanë për të kaluar pjesën e mbetur. Këtë taktikë e përdorin edhe nënat që mbartin të vegjlit. Nganjëherë një ortek majmunësh hidhet në ujë dhe të tërë turren si të çmendur drejt bregut tjetër! Megjithatë, armiku i tyre më i keq nuk është krokodili.

Specie në rrezik

Të përfshirë zyrtarisht në listën e specieve në rrezik, majmunët me feçkë arrijnë veç në pak mijëra, dhe ky numër vazhdon të zvogëlohet, kryesisht për shkak të njeriut. Ndër shkaqet ku ka gisht njeriu hyjnë zjarret, prerja e drurëve, turizmi i pakontrolluar dhe shpyllëzimi për të shtuar plantacionet për prodhimin e vajit të palmës. Një faktor tjetër është gjuetia. Ka nga ata që i vrasin majmunët me feçkë thjesht për sport. Të tjerë i vrasin për ushqim ose për t’i përdorur në mjekësinë tradicionale. Meqenëse shpesh flenë nëpër pemët buzë lumenjve ku duken menjëherë, këto kafshë janë veçanërisht të pambrojtura. Faktikisht, në një zonë që frekuentohej nga gjuetarët me motobarka të shpejta, numri i majmunëve ra 50 për qind brenda pesë vjetëve!

Mbrojtësit e natyrës po përpiqen t’i ndërgjegjësojnë njerëzit për gjendjen e vështirë të majmunëve me feçkë dhe në Borneo ata mbrohen me ligj. Por, a do të mjaftojnë këto masa? Koha do ta tregojë. Nëse kjo krijesë do të zhdukej nga bota e egër, do të ishte vërtet tragjedi, sepse majmuni me feçkë është plot çudira që ia vlen të studiohen! Për më tepër, ai nuk është bërë për të jetuar në kafaz.

Natyrisht, majmuni me feçkë është vetëm një nga krijesat e shumta që duket se e kanë të ardhmen të zymtë. Specie të tjera të panumërta tashmë janë zhdukur. Megjithatë, Perëndia ka për qëllim të marrë nën kontroll gjithë tokën, të zhdukë të ligjtë dhe ta mësojë popullin e tij se si të kujdeset për shtëpinë e vet tokësore. (Proverbat 2:21, 22) Perëndia Jehova premton: «Në tërë malin tim të shenjtë askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë, sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»​—Isaia 11:9.

[Shënimet]

^ par. 2 Ishulli i Borneos është shtëpia e majmunit me feçkë. Vendësit e quajnë këtë kafshë orang belanda ose «holandezi».

^ par. 3 Edhe femrat kanë hundë të madhe, ndonëse jo aq sa mashkulli.

[Figura në faqen 12]

Majmunët me feçkë kanë një hundë dhe një bark që bie në sy

[Burimi]

© Peter Lilja/​age fotostock

[Figura në faqen 13]

Hunda e mashkullit bie mbi gojë. Ai duhet ta heqë mënjanë kur ha

[Burimi]

© Juniors Bildarchiv/​Alamy

[Figura në faqen 14]

Edhe kur hanë ose pushojnë, majmunët me feçkë rrallëherë janë vetëm

[Burimi]

© Peter Lilja/​age fotostock