Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1. Tregohu i mençur kur blen

1. Tregohu i mençur kur blen

1. Tregohu i mençur kur blen

NËSE nuk i merr nga bahçja jote, ushqimet që do të hash, ka të ngjarë t’i shohësh për herë të parë në treg ose në dyqan. Si të zgjedhësh ushqime të shëndetshme kur psonis?

Planifiko radhën e blerjes.

Një ent shëndetësor në Australi këshillon: «Në fillim bli ushqimet që s’prishen. [Artikujt që mbahen në] frigorifer ose në ngrirje lëri për në fund të pazarit.» (Food Safety Information Council) Gjithashtu, nëse do të blesh ushqime të ngrohta, merri tamam para se të kthehesh në shtëpi.

Kërko ushqime të freskëta.

Po të jetë e mundur, përpiqu të blesh ushqime të freskëta. * Rutha nga Nigeria, një nënë me dy fëmijë, thotë: «Zakonisht shkoj në treg shumë herët në mëngjes kur ushqimi është më i freskët.» Edhe Elizabeta nga Meksika psonis në një treg të hapur. Ajo tregon: «Atje mund të blej fruta e zarzavate të freskëta dhe mund t’i zgjedh me dorën time. Marr gjithmonë mish të freskët, të therur po atë ditë. Nëse nuk e përdor të gjithin, e ruaj në ngrirje.»

Kontrolloji ushqimet.

Pyet veten: «A e kanë lëkurën të padëmtuar frutat ose zarzavatet? A mban erë të çuditshme mishi?» Nëse ushqimet janë të paketuara, kontrollo paketimin. Po të jetë i dëmtuar, në ushqim mund të depërtojnë baktere helmuese.

Çeng Fai, i cili i blen ushqimet në një supermarket në Hong-Kong, thotë: «Duhet të kontrollosh edhe datën e skadencës në ushqimet e paketuara.» Pse? Specialistët paralajmërojnë se, edhe sikur ushqimet «e skaduara» të kenë pamje, aromë ose shije të mirë, prapëseprapë mund të të sëmurin.

Paketoji me kujdes.

Nëse përdor për pazar një çantë ose një shportë plastike, laje shpesh me ujë të nxehtë e sapun. Mishin dhe peshkun mbaji në çantë ose shportë të veçantë, që të mos ndotin ushqimet e tjera.

Enrikoja dhe Loredana, një çift në Itali, e bëjnë pazarin afër shtëpisë. «Kështu nuk na duhet ta sjellim nga larg ushqimin dhe të rrezikojmë të prishet»,—shpjegojnë ata. Nëse të duhen më shumë se 30 minuta për t’u kthyer në shtëpi, ushqimet e ftohta a të ngrira vëri në qese izoluese ose mbaji të freskëta në ndonjë mënyrë tjetër.

Në artikullin vijues, shiko si mund të sigurohesh që ushqimet të mbeten të pandotura pasi futen në shtëpi.

[Shënimi]

^ par. 6 Shih artikullin «Hapi 1​—Zgjidheni ushqimin me mençuri», në Zgjohuni! të marsit 2011.

[Kutia në faqen 4]

STËRVITI FËMIJËT: «I mësoj fëmijët të kontrollojnë datën e skadencës para se të blejnë ndonjë ushqim të paketuar, si për shembull patatina.»​—Rutha, Nigeri