Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

2. Mbaj pastër çdo gjë

2. Mbaj pastër çdo gjë

2. Mbaj pastër çdo gjë

ASHTU si një kirurg i mbron pacientët duke larë duart, duke sterilizuar pajisjet dhe duke mbajtur pastër sallën e operacionit, edhe ti mund ta mbrosh familjen duke mbajtur pastër veten, kuzhinën dhe ushqimin.

Laj duart.

Agjencia e Shëndetit Publik në Kanada thotë se «duart përhapin afro 80 për qind të sëmundjeve të zakonshme infektive, si ftohja dhe gripi». Prandaj, laji duart mirë me ujë e sapun para se të hash, pasi shkon në banjë dhe kur përgatit një vakt.

Mbaj pastër kuzhinën.

Një studim nxori në pah se, në përgjithësi, vendi më i pastër në shtëpi ishte banja, kurse gjërat «më të ndotura me baktere fekale ishin në kuzhinë: sfungjerët a gjithçka tjetër që përdorej për të larë enët».

Ndaj ndërro shpesh çdo gjë që përdor për të larë enët, dhe pastroji me ujë të nxehtë e sapun ose me dezinfektues sipërfaqet e kuzhinës. Kuptohet, kjo s’është gjithnjë e lehtë. Një grua që quhet Bola, nuk ka ujë të rrjedhshëm në shtëpi. Ajo thotë: «Është goxha e vështirë. Por s’i kursejmë kurrë ujin e sapunin për të mbajtur pastër kuzhinën e gjithë shtëpinë. Sigurohemi t’i kemi në çdo çast.»

Shpëlaji frutat e perimet.

Para se të shiten, frutat e perimet mund të jenë infektuar nga uji i papastër, kafshët, lëndët fekale dhe ushqime të tjera të pagatuara. Kështu, edhe nëse ke ndër mend t’i qërosh frutat a zarzavatet, shpëlaji mirë e mirë që t’u hiqen bakteret e dëmshme. Për këtë duhet kohë. Dajana, një nënë në Brazil, thotë: «Sa herë bëj një sallatë, përpiqem të mos ngutem, që të sigurohem se jeshillëqet janë larë për merak.»

Mbaje veç mishin e pagatuar.

Që të mos përhapen bakteret, vëri në enë hermetike a mbështilli me kujdes mishin, frutat e detit ose peshkun e pagatuar, dhe mbaji veç ushqimeve të tjera. Mbaj një dërrasë dhe thikë të veçantë për të prerë këto ushqime ose laji mirë e mirë me ujë të nxehtë e sapun para dhe pasi i ke përdorur për mishin, frutat e detit a peshkun e pagatuar.

Tani që je i pastër ti vetë, pajisjet dhe përbërësit, si të tregosh kujdes kur përgatit ushqimin?

[Kutia në faqen 5]

STËRVITI FËMIJËT: «U mësojmë fëmijëve të lajnë duart para buke, dhe t’i lajnë ose t’i hedhin ushqimet që bien përdhe.»​—Hoi, Hong-Kong