Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A je i sigurt për ushqimin që ha?

A je i sigurt për ushqimin që ha?

A je i sigurt për ushqimin që ha?

«Gjermania mbyll shkollën nga frika e bakterit E. Coli.»​—AGJENCIA E LAJMEVE ROJTERS, GJERMANI.

«Në pesë shtete, epidemia që vjen nga salmonela lidhet me filizat e bishtajoreve.»​—USA TODAY.

«Mishi i 6 lopëve të ushqyera me tagji të ndotur me radioaktivitet futet në 9 prefektura.»​—THE MAINICHI DAILY NEWS, JAPONI.

TITUJT e mësipërm të lajmeve dolën gjatë një periudhe dyjavore vitin e shkuar. Sipas studiuesve, çdo vit rreth 30 për qind e popullsisë në vendet e zhvilluara vuan prej sëmundjeve që shkaktohen nga ushqimet e ndotura.

Si ndihesh kur dëgjon a lexon lajme të tilla? Hoi, një baba në Hong-Kong, pranon: «Shqetësohem, e madje zemërohem. Kam dy fëmijë dhe më bren meraku se si dhe ku bëhen ushqimet që hanë.»

Në vendet më të varfra, sëmundjet e shkaktuara nga ushqimet ose nga uji i ndotur vrasin çdo vit miliona veta, kryesisht fëmijë. Bola, e cila jeton në Nigeri, thotë: «Në pazaret tona, artikujt ushqimorë shiten mes mizave, shiut, erës dhe pluhurit. Sa herë lexoj a dëgjoj për sëmundjet që vijnë nga ushqimet, më zë frika. Dua ta mbroj familjen time.»

A është e mundur ta mbrosh familjen nga ushqimet e ndotura? Agjencia e Kontrollimit të Ushqimit në Kanada thotë: «Nëse në një dyqan ushqimor gjendet ushqim i rrezikshëm, bën bujë. E me të drejtë. Por ushqimi i rrezikshëm që shkakton sëmundje mund të vijë edhe nga ajo që bëjmë​—ose nuk bëjmë—​në kuzhinat tona.»

Si mund ta mbrosh familjen prej sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimet? Do të shohim katër mënyra si të sigurohesh që ushqimi yt të jetë sa më i shëndetshëm.

[Kutia në faqen 3]

CILËT JANË NË RREZIK?

Disa grupe njerëzish preken më kollaj nga sëmundjet e shkaktuara prej ushqimeve. Këtu futen:

● Fëmijët nën pesë vjeç

● Gratë shtatzëna

● Njerëzit mbi 70 vjeç

● Njerëzit me sistem imunitar të dëmtuar

Nëse ti ose dikush që ha me ty është në ndonjë nga këto kategori, duhet të jesh akoma më i kujdesshëm për ushqimin që përgatit, servir dhe ha.

[Burimi]

Burimi: New South Wales Food Authority, Australi.