Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

A munden të vdekurit të ndihmojnë të gjallët?

A munden të vdekurit të ndihmojnë të gjallët?

QË NË lashtësi, njerëzit kanë besuar se të vdekurit janë të aftë të drejtojnë të gjallët. Një histori e moçme që flet për këtë besim është ajo e Odiseut, i quajtur edhe Uliks, të cilën e shkroi poeti grek Homeri. Heroi legjendar i Homerit, që donte të dinte me çdo kusht si të kthehej në atdhe, në ishullin e Itakës, guxoi të futej në botën e nëndheshme që të këshillohej me një parashikues të vdekur.

Me shpresë se të vdekurit do t’u përgjigjen pyetjeve që i mundojnë, shumë njerëz këshillohen me mediume, flenë në varret e të parëve ose bëjnë rite spiritiste. A mund të japin vërtet ndonjë drejtim të mbinatyrshëm të vdekurit?

Një praktikë e përhapur

Shumë nga fetë kryesore të botës mësojnë se është e mundur të komunikohet me të vdekurit. Një enciklopedi (Encyclopedia of Religion) thotë se «nekromancia, pra zanati ose praktika e ndjelljes së shpirtrave të të vdekurve për magji, në thelb është një lloj falli». Më tej shton se kjo është një praktikë «e përhapur». Një enciklopedi tjetër fetare (New Catholic Encyclopedia) e mbështet këtë duke pohuar se «nekromancia, në forma të ndryshme, është shtrirë anembanë botës». Pra, s’është çudi që disa besimtarë të shumë feve janë orvatur të marrin informacione nga bota e përtejme.

Ndonëse ky komunikim me të vdekurit «dënohej rreptësisht nga Kisha», siç tregon New Catholic Encyclopedia, «ka referime të shpeshta se kjo praktikë ekzistonte gjatë mesjetës dhe Rilindjes». Ç’thotë Bibla për këto çështje?

A duhen pyetur të vdekurit?

Në kohët e lashta, Perëndia Jehova e urdhëroi popullin e tij: «Mes teje të mos gjendet . . . ndonjë që pyet të vdekurit.» (Ligji i përtërirë 18:9-13) Pse e ndaloi Jehovai këtë? A nuk do të ishte gjë e dashur nga ana e Perëndisë ta lejonte komunikimin mes të gjallëve e të vdekurve, nëse kjo do të ishte e mundur? Por, e thënë thjesht, ky komunikim është i pamundur. Nga e dimë këtë?

Në Shkrime ka shumë vargje që tregojnë se të vdekurit janë të pavetëdijshëm. Për shembull, tek Eklisiastiu 9:5 lexojmë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» Psalmi 146:3, 4 thotë: «Mos kini besim te fisnikët, as te ndonjë bir njeriu, që nuk sjell dot shpëtim. Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.» Gjithashtu, profeti Isaia tha se ‘vdekja i bën të pafuqishëm’ të vdekurit.​—Isaia 26:14.

Prapëseprapë, kushedi sa veta besojnë se, me anë të praktikave spiritiste, kanë arritur të komunikojnë me njerëzit e dashur që u kanë vdekur. Përvoja të tilla hasen dendur, ndaj është e qartë se shumë njerëz kanë folur me dikë nga bota frymore. Por, siç e tregojnë shkrimet e mësipërme, nuk kanë folur me të vdekurit. Me kë kanë folur, atëherë?

Me kë flasin?

Bibla tregon se disa bij frymorë të Perëndisë, ose engjëj, u rebeluan kundër Bërësit të tyre dhe u kthyen në demonë. (Zanafilla 6:1-5; Juda 6, 7) Ata mbështetin idenë e rreme se njerëzit vazhdojnë të jetojnë pas vdekjes. Që të përhapin më tej këtë gënjeshtër, hiqen si të vdekurit duke u folur të gjallëve që nga bota frymore.

Bibla tregon se mbreti i Izraelit, Sauli, që Jehovai e braktisi ngaqë u tregua i pabindur, u përpoq të këshillohej me profetin e vdekur Samuel nëpërmjet një mediumi. Sauli mori një mesazh nga bota frymore, por ai nuk vinte nga Samueli. Në fakt, para se të vdiste, Samueli nuk kishte pranuar ta takonte mbretin dhe kishte qenë kundër mediumeve. Në të vërtetë, Sauli e mori atë informacion nga një demon që hiqej si Samueli.​—1 Samuelit 28:3-20.

Demonët janë armiq të Perëndisë dhe është e rrezikshme të komunikosh me ta. Ja pse Shkrimet urdhërojnë: «Mos iu drejtoni mediumeve dhe mos u këshilloni me ndonjë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve, që të mos ndoteni prej tyre.» (Levitiku 19:31) Te Ligji i përtërirë 18:11, 12 gjejmë paralajmërimin se kushdo që «pyet të vdekurit» po bën diçka «të pështirë për Jehovain». Faktikisht, një nga pabesitë e mbretit Saul për të cilat Jehovai i solli vdekjen, ishte se «kërkoi një medium për ta pyetur».​—1 Kronikave 10:13, 14.

Atëherë, kujt duhet t’i drejtohesh kur gjendesh para vendimeve a pyetjeve pështjelluese dhe mendon se ke nevojë për një drejtim më të lartë? Në Shkrime, Jehovai quhet «Mësuesi yt i Madh». Nëse ti dhe njerëzit e tu të dashur kërkoni këshilla nga Fjala e tij, Bibla, dhe e ndiqni drejtimin e saj, «veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha. Ecni në të!’» (Isaia 30:20, 21) Edhe pse sot nuk presim të dëgjojmë drejtpërdrejt zërin e Perëndisë së vërtetë, ai mund të na prijë me anë të Biblës. Është sikur Jehovai vetë po të thotë: «Lërmë të të drejtoj.»

A DONI TË DINI?

● Si i konsideron Perëndia përpjekjet për të komunikuar me të vdekurit?​—Ligji i përtërirë 18:9-13.

● A munden të vdekurit t’u japin informacione të gjallëve? Pse përgjigjesh kështu?​—Eklisiastiu 9:5.

● Kujt mund t’i kërkojmë drejtim me besim të plotë?​—Isaia 30:20, 21.