Batiku—Pëlhura përrallore e Indonezisë
Batiku—Pëlhura përrallore e Indonezisë
BATIKU është shumë i moçëm, e megjithatë nuk i ka ikur koha. E veshin njerëz të sërës mbretërore nëpër pritje luksoze, e veshin edhe tregtarët në pazar. Është i bukur, me ngjyra të ylberta e larmi të pafundme. Por, çfarë është batiku? Si bëhet? Ku lindi? Dhe, si përdoret sot?
Batiku është një pëlhurë me histori të lashtë. Motivet e tij realizohen me anë të një teknike të veçantë që përdor lëndë të papërshkueshme nga boja. Sot batiku është bërë pjesë e pandarë e jetës dhe e kulturës indoneziane. Pëlhura të ngjashme i gjen anekënd botës.
Bashkëjetesë e bojës me dyllin
Batiku bëhet me një vegël të vogël bakri të mbushur me dyllë të shkrirë, me të cilën vizatohet me dorë në pëlhurë një motiv i ndërlikuar. Pasi thahet dylli, copa ngjyhet. Pjesët me dyllë ruajnë ngjyrën e tyre natyrale, ngaqë nuk depërton boja. Procesi përsëritet shpesh duke përdorur ngjyra të ndryshme për të krijuar modele të gjalla.
Në mes të shekullit të 19-të, mjeshtrat e batikut përdornin stampa bakri për aplikimin e dyllit. Kjo metodë ishte më e shpejtë se të punoje me një vegël që mbahej në dorë dhe, falë saj, mund të bëheshin pëlhura identike. Gjatë shekullit të 20-të, fabrikat filluan t’i vinin motivet mbi tekstil me metodën e kallëpit. Mund të gjesh ende batik të bërë me dorë. Megjithatë, tani tregun e ka pushtuar batiku industrial.
Për batikun zakonisht përdoret basmë ose mëndafsh. Bojërat prodhohen nga gjethet, druri, lëvoret dhe erëza të zonës, por përdoren edhe bojëra sintetikë. Para se të futej në përdorim dylli, motivet bëheshin me brumë zarzavatesh, me dhjamëra shtazorë, e madje edhe me baltë. Në ditët e sotme, në të shumtën e rasteve përdoret dyllë sintetik. Sidoqoftë, ende përdoret një përzierje parafine dhe dylli bletësh.
Histori e moçme, e ardhme e ndritur
Kurrkush nuk e di me saktësi se kur dhe ku u bë batiku për herë të parë. Në Kinë, disa copëza batiku datojnë që nga shekulli i gjashtë i e.s. Mbetet ende e mjegullt se kur hyri kjo teknikë në Indonezi, por ka dëshmi se aty nga shekulli i 17-të ky shtet importonte dhe eksportonte batik.
Dekadat e fundit, batiku ka fituar edhe më shumë famë dhe është bërë simbol i identitetit kombëtar të Indonezisë. Në vitin 2009, UNESCO njohu historinë e gjatë të batikut në Indonezi e ndikimin e tij në kulturën vendëse, prandaj e renditi atë në listën e «Trashëgimisë kulturore shpirtërore e njerëzimit».
Petkat prej batiku
Ka mënyra tradicionale të veshjes, palosjes dhe bërjes së batikut në varësi të bindjeve dhe të besëtytnive të zonës. Shumë provinca të Indonezisë kanë ngjyrat dhe motivet e tyre karakteristike për batikun. Për shembull, batiku nga bregu verior i Javës, është me ngjyra të ndezura, shpesh me modele lulesh, zogjsh dhe
kafshësh. Kurse batiku nga Java Qendrore zakonisht ka më pak larmi ngjyrash dhe motivet përgjithësisht janë figura gjeometrike. Njihen rreth 3.000 modele batikësh.Një veshje tradicionale e bërë me batik është selendangu, një shall që gratë e hedhin në sup dhe shpesh e përdorin për të mbajtur foshnjën ose gjërat e blera në pazar. Gjithashtu, me të mbulohet koka në një ditë zhegu.
Si pjesë të veshjes së tyre tradicionale, burrat mbajnë në kokë një iket kepala. Kjo bëhet duke lidhur si çallmë rreth kokës një copë batiku katrore. Zakonisht, ajo konsiderohet si një veshje formale për ceremoni.
Një tjetër veshje e famshme e bërë me batik është sarongu, një copë drejtkëndëshe që mbështillet rreth trupit. Në disa raste, dy anët e basmës qepen duke krijuar një si tub. Sarongu tipik mbështillet rreth këmbëve, kapet në bel dhe ngjan si fund i derdhur. Atë e veshin si burrat, edhe gratë.
Batiku përdoret gati për çdo lloj veshjeje, që nga pantallonat e përditshme deri te fustanet magjepsëse. Por jo vetëm kaq. Ai përdoret edhe për piktura, zbukurime muri, mbulesa tryezash, mbulesa krevati e kështu me radhë. Turistët që gjezdisin nëpër një treg indonezian mund të gjejnë çanta, sandale, abazhurë, e madje veshje laptopi me stil batiku. Larmia e tij nuk njeh kufij. Pëlhurë vërtet përrallore!
[Figura në faqen 23]
Me një vegël të vogël bakri të mbushur me dyllë vizatohen me dorë motive të ndërlikuara
[Figura në faqen 23]
Pëlhura me motivin prej dylli zhytet disa herë në bojë
[Figurat në faqen 23]
petka prej batiku
1. Selendangu
2. Iket kepala
3. Sarongu