Bibla—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 2
Bibla—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 2
Dilni nga Babilonia!
Në këtë seri me tetë pjesë, «Zgjohuni!» po shqyrton një veçori mbresëlënëse të Biblës—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.
NË ARTIKULLIN e kaluar të kësaj serie, shqyrtuam tri profeci të Biblës për pasardhësit e Abrahamit. Dëshmitë tregojnë se Perëndia i plotësoi ato premtime te kombi i lashtë i Izraelit, që ishin pasardhës të Abrahamit.
Babilonia e lashtë ishte një komb tjetër që luajti rol të rëndësishëm në historinë biblike, sidomos gjatë shekullit të 7-të p.e.s. Le të ndalemi në tri profeci biblike për këtë mbretëri dhe të shohim nëse ka dëshmi se janë të frymëzuara nga Perëndia.
Profeti Moisi e paralajmëroi popullin e lashtë të Izraelit: «Në rast se e harron fare Jehovain, Perëndinë tënd, e shkon pas perëndive Ligji i përtërirë 8:19; 11:8, 9) Prapëseprapë, izraelitët u rebeluan sa e sa herë kundër Perëndisë, duke adhuruar idhujt.—1 Mbretërve 14:22-24.
të tjera, u shërben dhe përkulesh para tyre, . . . do të marrësh fund një herë e mirë.» (Me kohë, Perëndisë iu sos durimi dhe lejoi që populli i tij kryeneç të binte në duart e babilonasve. Nën komandën e mbretit Nabukodonosor—emri i të cilit shqiptohet edhe Nabukodrezar—ushtria babilonase doli kundër Izraelit dhe rrethoi Jerusalemin. A ishte domethënës ai rrethim? Le të shohim çfarë shkroi profeti Jeremia gati 20 vjet para se të ndodhte kjo.—Jeremia 25:1.
Profecia 1: «Meqë [izraelitët] nuk iu bindët fjalëve të mia [të Perëndisë], ja, unë po dërgoj . . . Nabukodrezarin, mbretin e Babilonisë, . . . dhe do t’i sjell [babilonasit] kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij dhe kundër tërë këtyre kombeve rreth e qark. . . I gjithë ky vend do të bëhet një shkreti, për të ngjallur habi, dhe këto kombe do t’i shërbejnë shtatëdhjetë vjet mbretit të Babilonisë.»—Jeremia 25:8-11.
Plotësimi: Pas një rrethimi të gjatë, më 607 p.e.s. Nabukodonosori plaçkiti Jerusalemin. Ai zaptoi edhe qytete të tjera të Judës, si Lakishin dhe Azekahun. (Jeremia 34:6, 7) Shumicën e të mbijetuarve i syrgjynosi në Babiloni, ku u mbajtën robër për 70 vjet.
Çfarë tregon historia:
● Bibla tregon se Nabukodonosori ishte mbret i Babilonisë në kohën kur u shkatërrua Jerusalemi. Provat arkeologjike mbështetin dëshminë biblike për ekzistencën e tij. Në Firence, Itali, është ekspozuar një kameo prej gur oniksi. Në të gjendet një mbishkrim që pjesërisht thotë: «Nabukodonosori, mbret i Babilonisë, e porositi këtë gjatë jetës së vet, për nder të Merodakut, zotërisë së tij.» Nabukodonosori sundoi në vitet 624-582 p.e.s.
● Sipas librit The Bible and Archaeology, gërmimet dhe studimet e bëra në Lakish vërtetojnë se «shkatërrimi përfundimtar ishte i dhunshëm dhe zjarri që rrënoi qytetin [e Lakishit] ishte aq shkrumbues sa gurët gëlqerorë të ndërtesave u kthyen në gëlqere».
Profecia 2: «Kur të mbushen shtatëdhjetë vjetët në Babiloni, unë [Jehovai] do të drejtoj vëmendjen nga ju [mërgimtarët judenj], dhe do të përmbush fjalën time të mirë për t’ju kthyer në këtë vend [në Judë].»—Jeremia 29:10.
Plotësimi: Pas 70 vjetësh mërgim, 607-537 p.e.s., Kiri, mbreti i Persisë, i la të lirë robërit judenj dhe i lejoi të ktheheshin në atdhe që të rindërtonin tempullin në Jerusalem.—Çfarë tregon historia:
● A mbetën robër në Babiloni për 70 vjet izraelitët, siç kishte parathënë Bibla? Vëreni këtë koment të një arkeologu të shquar izraelit, Efraim Sternit: «Nga viti 604 p.e.s. deri më 538 p.e.s. . . . ka një boshllëk absolut provash që tregojnë se vendi ishte i banuar. Në gjithë atë periudhë, nuk u ripopullua as edhe një nga qytetet që shkatërruan babilonasit.» I mbiquajturi boshllëk gjatë të cilit territori i pushtuar mbeti i pabanuar ose nuk u ripopullua, i afrohet shumë periudhës së mërgimit të Izraelit në Babiloni, nga viti 607-537 p.e.s.—2 Kronikave 36:20, 21.
● Kombet e lashta anekënd Mesopotamisë shkruanin në materiale prej argjile të njomë. Një dokument prej argjile të ngurtësuar, i njohur si cilindri i Kirit, daton rreth vitit 539 p.e.s., po ai vit kur Kiri, mbreti i Persisë, përmbysi Perandorinë Babilonase. Në të ka një mbishkrim ku lexojmë: «Unë jam Kiri, . . . mbreti i Babilonisë.» Më tej, i njëjti mbishkrim thotë: «Qyteteve të shenjta [disa qyteteve të përmendura më parë] në anën tjetër të Tigrit, shenjtëroret e të cilave kishin qenë rrënoja prej një kohe të gjatë, unë u riktheva shëmbëlltyrat që ishin (zakonisht) atje . . . (Gjithashtu) i mblodha tërë banorët e tyre (të dikurshëm) dhe (u) riktheva banesat.»
Ky burim historik përputhet me profecinë biblike se mërgimtarët judenj do të riatdhesoheshin—një profeci e shkruar afro 200 vjet para se të ndodhte ngjarja.
Profecia 3: «Babilonia, stolia e mbretërive, ajka e krenarisë së kaldeasve, do të bëhet si Sodoma dhe Gomorra kur i përmbysi Perëndia. Ajo nuk do të banohet më kurrë.»—Isaia 13:19, 20.
Plotësimi: Historia mori një kthesë tronditëse më 539 p.e.s. kur fuqia botërore babilonase ra para ushtrisë së bashkuar të medëve dhe persëve. * Qyteti nuk u rimëkëmb kurrë plotësisht. Përkundrazi, dalëngadalë mori teposhtën gjersa u katandis në një vend të shkretë «pa asnjë banor».—Jeremia 51:37.
Çfarë tregon historia:
● Babilonia ishte fshirë nga faqja e dheut, prandaj studiuesi Tom Boi flet për «historianë e udhëtarë të Perëndimit nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 18-të» që e dinin mirë vlerën simbolike të qytetit, por e kishin të zorshme të përcaktonin «vendndodhjen e saktë» të tij.
● Më 1919, H. R. Holli, kujdestar i Antikiteteve Asiriane e Egjiptiane në Muzeun Britanik, e përshkroi kështu Babiloninë: «Është një katrahurë muresh të shembura . . . të varrosura në rërë.»
Ç’përfundim mund të nxjerrim pasi shqyrtuam plotësimin e këtyre profecive? Duket qartë se Bibla jep vazhdimisht prova se është një libër me profeci të sakta. Mesazhet profetike për Judën dhe për Babiloninë u përmbushën tamam siç u paratha.
Jerusalemi u shkatërrua sepse populli s’ua vuri mendjen paralajmërimeve të Perëndisë që të hiqnin dorë nga sjellja e mbrapshtë. Pas 70 viteve të parathëna të robërisë në Babiloni, izraelitët u lejuan të ktheheshin në Jerusalem, në vendin e tyre. Qyteti i lashtë i Babilonisë u rrënua ashtu siç ishte përshkruar, dhe dergjet i pabanuar sot e kësaj dite. Por këto janë veçse pak nga profecitë e shumta që gjenden në Bibël.
Në numrin vijues do të ndalemi te disa ngjarje të shekullit të parë të e.s. që u parathanë shumë kohë para se të ndodhnin. Edhe ato profeci të plotësuara do të na e forcojnë sigurinë se Bibla është e saktë.
[Shënimi]
^ par. 20 Edhe fakti që Media do të luante rol kryesor në pushtimin e Babilonisë ishte parathënë nga Isaia rreth 200 vjet para se të ndodhte.—Shih Isainë 13:17-19; 21:2.
[Tabela në faqet 12, 13]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
KRONOLOGJIA E BABILONISË
rr. 732 p.e.s.: Isaia parathotë rënien e Babilonisë
(p.e.s.)
647 Jeremia merr detyrën e profetit
632 Babilonia mposht Asirinë
625 Fillon të sundojë Nabukodonosori
617 Danieli dhe Ezekieli çohen në Babiloni
607 Nabukodonosori shkatërron Jerusalemin
582 Mbaron sundimi i Nabukodonosorit
539 Babiloninë e mposhtin medët dhe persët
537 Robërit judenj lejohen të kthehen në Jerusalem
Judenjtë mbahen robër në Babiloni për 70 vjet
[Figura në faqen 12]
Letrat e Lakishit mbështetin përshkrimin që i bën Jeremia pushtimit të Judës nga Babilonia
[Figura në faqen 13]
Në cilindrin e Kirit dokumentohet politika e Kirit që riatdhesonte robërit
[Burimet e figurave në faqen 13]
Faqja 12, Letër e Lakishit: fotografi me mirësjellje nga Muzeu Britanik; faqja 13, cilindri i Kirit: © Administratorët e Muzeut Britanik