Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

EURO 2012​—Një ngjarje historike

EURO 2012​—Një ngjarje historike

EURO 2012​—Një ngjarje historike

A TË pëlqen të shikosh një ndeshje të bukur futbolli ose dhe të luash vetë? Atëherë, ka të ngjarë ta dish se do të zhvillohet kampionati EURO 2012 i organizuar nga UEFA (Bashkimi i Federatave të Futbollit Evropian), që është programuar të hapet më 8 qershor në Varshavë, Poloni, dhe të mbyllet më 1 korrik me ndeshjen finale, në Kiev, Ukrainë. Çfarë është EURO 2012 dhe ç’përgatitje janë bërë për të? Pse është një ngjarje historike?

«Krijojmë historinë së bashku»

Kampionatet evropiane të futbollit janë mbajtur në Evropë çdo katër vjet, që nga viti 1960. Mes vendeve mikpritëse të këtyre ndeshjeve kanë qenë: Anglia, Austria, Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Jugosllavia, Portugalia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

Këtë vit, vendet mikpritëse të turneut janë Polonia dhe Ukraina. Në Poloni ndeshjet do luhen në qytetin e Gdanskut, të Poznanit, të Varshavës dhe të Vroslavit. Ndërsa në Ukrainë ndeshjet do të zhvillohen në Doneck, Harkov, Kiev dhe Lvov.

Sipas UEFA-s, kjo është «hera e tretë që turneu ka dy vende mikpritëse (pas Belgjikë/​Holandë më 2000 [dhe] Austri/​Zvicër më 2008)». Gjithsesi, EURO 2012 është ngjarje historike. Në ç’kuptim? Turneu i këtij viti nuk është vetëm kurorëzimi i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve mikpritëse dhe organizatorëve të kampionatit, por edhe i pari që zhvillohet në Evropën Qendrore dhe Lindore. Prandaj, slogani zyrtar i zgjedhur për ngjarjen e këtij viti është «Krijojmë historinë së bashku».

Përgatitjet

Për çdo ngjarje sportive, një nga përgatitjet më të rëndësishme është të sigurohen ambiente të përshtatshme për lojërat. Për këtë, në qytetet mikpritëse Poznan dhe Harkov janë restauruar stadiumet ekzistuese, ndërsa në gjashtë qytetet e tjera stadiumet janë tërësisht të reja. Këto ambiente do të mbajnë rreth 358.000 spektatorë.

Meqë priten gjithë këta spektatorë, qytetet mikpritëse kanë menduar dhe kanë punuar shumë për masat e sigurisë. Mijëra forca sigurimi janë stërvitur për këtë aktivitet. Sipas agjencisë informative Science & Scholarship in Poland, stërvitja e tyre përfshiu «përdorimin në 140 raste të taktikave të sigurisë të tilla, si . . . mbajtja nën kontroll e turmës, krijimi i zonave të sigurta dhe bashkëpunimi me skuadrat e huaja të sigurimit».

Pse janë të nevojshme masa të tilla? Së pari, autoritetet e dinë se ngjarjet e mëdha sportive janë shënjestra të mundshme të veprimtarisë terroriste. Gjithashtu, ato e kanë të qartë se tifozët sherrxhinj shpesh janë kërcënim për njëri-tjetrin, siç e kanë treguar incidentet e dhunshme dhe huligane në të shkuarën.

Një pikëpamje e ekuilibruar

Mjerisht, shumë spektatorë bëhen tifozë të sëmurë. Një tifoz thotë: «Jeta ime nuk është aq e lumtur dhe e plotë kur skuadra ime [e futbollit] del keq. Sinqerisht mendoj se, sikur lufta bërthamore [të ishte] një mundësi reale, halli im më i madh do të ishte nëse do të pengoheshin apo jo ndeshjet e fundjavës tjetër.»

Në dallim nga kjo, shiko pikëpamjen e ekuilibruar për argëtimin që e gjejmë në një libër të lashtë plot mençuri, në Bibël. Ajo e pranon vlerën e zbavitjes së shëndetshme në jetë, sepse thotë se ka «një kohë për të qeshur . . . dhe një kohë për të kërcyer». (Eklisiastiu 3:1-4) Gjithashtu, Bibla na nxit të jemi të përkorë, pra t’i bëjmë gjërat me karar. (1 Timoteut 3:2, 11) Kështu, kur vendosim çfarë të kemi në qendër të jetës, tregohemi të mençur po të ndjekim këshillën e Biblës që «të dallojmë ndryshimin midis asaj që është e rëndësishme dhe asaj që nuk është», dhe pastaj «të zgjedhim atë që është e rëndësishme».​—Filipianëve 1:10, Easy-to-Read Version.

[Kutia dhe figura në faqen 25]

NDALOHET DUHANI NË EURO 2012

Më 20 tetor 2011, UEFA bëri të ditur se «do të ndalojë rreptësisht pirjen, shitjen ose reklamimin e duhanit në të gjitha stadiumet e përdorura për EURO 2012 të organizuar nga UEFA». Cila është arsyeja e këtij ndalimi? «Ndalimi i duhanit në EURO 2012 tregon respekt për shëndetin e tifozëve dhe të kujtdo tjetër që merr pjesë në turne»,—tha Mishel Platini, president i UEFA-s. Mes përkrahësve të këtij ndalimi është komisioneria e BE-së Andrula Vasilju, që i nxiti qytetet mikpritëse të zgjeronin zonat ku ndalohet duhani e të përfshinin edhe ambiente të tjera, si restorantet dhe transportin publik. Vasilju thotë: «Futbolli dhe sporti lidhen me shëndetin dhe rendimentin, kurse duhani lidhet me të kundërtën: s’kanë të bëjnë fare me njëri-tjetrin.»

[Harta në faqen 24]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

POLONI

VARSHAVË

Gdansk

Poznan

Vroslav

UKRAINË

KIEV

Lvov

Harkov

Doneck

[Figura në faqen 24]

Ndeshja finale në EURO 2008 mes Gjermanisë dhe Spanjës, zhvilluar në stadiumin «Ernst Happel» në Vjenë, Austri

[Figura në faqen 25]

Stadiumi Olimpik në Kiev, Ukrainë

[Burimi i figurës në faqen 25]

Faqet 24, 25, të dyja fotografitë: Getty Images