Insekte të ngrënshme—Një vakt i paharrueshëm
Insekte të ngrënshme—Një vakt i paharrueshëm
DISA miq na kanë ftuar mua dhe gruan për një vakt në shtëpinë e tyre në një lagje të qetë në Bangui, në kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qendrore.
«Hyni! Shpresoj të keni uri!»—na thonë ata sapo vëmë këmbën në shtëpi. Që jashtë ndiejmë aromat ndjellëse të qepës, hudhrës dhe erëzave e dëgjojmë bisedat e zhurmëta të miqve tanë. E zonja e shtëpisë, Ela, na mban me muhabet duke treguar për ushqimin që na pret.
«Insektet janë një burim i rëndësishëm proteinash për mjaft njerëz në Afrikën Qendrore,—thotë ajo,—por ne nuk i hamë sepse duhet, por sepse shijojnë shumë.» Pastaj shton: «Sot do të hamë makongo—larva.»
S’kemi pse të habitemi. Ndonëse një pjatë me insekte nuk ua bën me sy të gjithëve, në më shumë se njëqind vende, disa insekte hyjnë tek ushqimi i preferuar.
Gosti në pyll
Në Republikën e Afrikës Qendrore përdoren si ushqim një shumëllojshmëri insektesh. Gjatë stinës së lagësht, termitet e quajtura bobo vërshojnë rreth foleve të tyre ose rreth dritave elektrike në zonat urbane. Në mbrëmje, pas një stuhie, fëmijët turren të mbledhin termite me grushte dhe shpesh i rrasin në gojë me klithma kënaqësie. Termitet hahen, të pjekura me kripë, të lezetuara me spec djegës e të thara në diell. Mund të bëhen edhe supë ose të përdoren si mbushje në gatimet me brumë.
Kindagozo quhen karkalecat e gjelbër që vijnë në këto vise gjatë stinës së thatë. Në këtë vend, karkalecat piqen ose zihen në zjarr të avashtë pasi u hiqen këmbët e krahët.
Në të katër anët e vendit përdoren si ushqim disa lloje larvash. Ato që do të provonim
ne ishin të fluturës Imbrasia. Kjo flutur nate ngjyrë kafe i shtron vezët në pemët e moganit. Kur çelin larvat, fshatarët i mbledhin dhe i lajnë. Ato gatuhen në zjarr të avashtë me domate, qepë dhe përbërës të tjerë, sipas recetës së familjes. Disa mund të thahen ose të tymosen që të mbahen si zahire. Mund të ruhen edhe për një periudhë tremujore.Ushqim i sigurt dhe i mirë
Jo të gjitha insektet janë të ngrënshme, por shumë prej tyre janë të parrezikshme nëse mblidhen në zona ku nuk janë përdorur pesticide e plehra kimike dhe nëse gatuhen mirë. Kuptohet, ata që janë alergjikë ndaj molusqeve, «binjakëve» ujorë të insekteve, nuk duhet t’i hanë, pasi edhe insektet bëjnë pjesë te këmbënyjëtuarit. Ndryshe nga shumica e molusqeve që rrëmojnë për kalbësira, pjesa më e madhe e insekteve të ngrënshme ushqehen vetëm me gjethe të pastra dhe bimë që njerëzit mund të mos i tretin dot vetë.
Edhe pse duken të vogla, larvat përmbajnë shumë vlera ushqyese. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, larvat e thara përmbajnë më tepër se dyfishin e proteinave që gjendet te mishi i viçit. Ekspertët e ushqimit po rizbulojnë vlerën e insekteve si burim ushqimi në vendet në zhvillim.
Në varësi të llojit, vetëm 100 gramë larva mund të plotësojnë pjesën më të madhe të nevojave të përditshme për minerale të rëndësishme, si kalciumi, hekuri, magnezi, fosfori, kaliumi dhe zinku, si edhe shumë vitamina. Veç kësaj, me miellin e larvave të bluara mund të përgatitet një pure që plotëson dietën e fëmijëve të kequshqyer.
Përveç vlerave ushqyese, përdorimi i insekteve si ushqim (entomofagia) ka edhe dobi të tjera. Nuk është i dëmshëm për mjedisin. Harxhon pak ujë dhe prodhon pak gaze që shkaktojnë efektin serrë. Veç të tjerash, mbledhja e insekteve për ushqim është një metodë natyrore për kontrollimin e insekteve që dëmtojnë të mbjellat.
Gatimi kryesor në sofër
Tek pritnim këtë ushqim të veçantë, u kujtuam që sipas besëlidhjes së Ligjit dhënë kombit të lashtë të Izraelit, karkalecat ishin të pastër. Shërbëtorë të Perëndisë së vërtetë, si Gjon Pagëzori, i hanin. (Levitiku 11:22; Mateu 3:4; Marku 1:6) Sidoqoftë, fillimisht mund të ngurrojmë të hamë një gjë që nuk jemi mësuar.
Ela erdhi nga kuzhina me një pjatë të parë që lëshonte avull e që rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve. Ishim në shoqërinë e tetë afrikanëve që u qeshte fytyra dhe para kishim dy çanakë të mëdhenj me larva. Për të na nderuar si mysafirë, na i mbushën pjatat të parëve, e ç’të mbushur!
Mund të themi vetëm kaq: «Nëse të vjen në derë mundësia për të provuar një vakt të tillë të pakushtueshëm, të ushqyeshëm e që të lëpish gishtat, mos ngurro! Ka për të qenë një vakt i paharrueshëm.»
[Figura në faqen 27]
«Makongo», larva të pagatuara
[Figura në faqen 27]
«Kindagozo», karkaleca të gatuar