Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Jemi thjesht shokë apo diçka më shumë?​—Pjesa 1

Jemi thjesht shokë apo diçka më shumë?​—Pjesa 1

A TË ERDHI NË MEND DIKUSH NË VEÇANTI KUR LEXOVE KËTË TITULL?

PO → LEXOJE MENJËHERË KËTË ARTIKULL. MUND TË TË DUHET MË SHUMË NGA Ç’KUJTON.

JO → GJITHSESI, LEXOJE KËTË ARTIKULL. DO TË TË NDIHMOJË TË MBASH MIQËSI TË ÇILTRA DHE PA PROBLE ME ATA TË SEKSIT TJETËR.

Shëno nëse pohimi i mëposhtëm është i vërtetë apo i rremë.

Nuk duhet të zë shoqëri me persona të seksit tjetër derisa të jem gati për një lidhje serioze që mund të çojë në martesë.

․․․․․ I VËRTETË ․․․․․ I RREMË

Mendo për këtë: Edhe pse s’kishte në plan të martohej, Jezui lidhi miqësi me persona të seksit tjetër. (Mateu 12:46-50; Luka 8:1-3) Siç duket, edhe Timoteu, po ashtu beqar, kishte shoqëri të tilla, pasi apostulli Pavël i tha t’i trajtonte «më të rejat si motra, me plot dëlirësi».​—1 Timoteut 5:1, 2.

Pavli e merrte me mend se, tek shërbente në kongregacione të ndryshme, Timoteu do të takonte mjaft të reja. (Marku 10:29, 30) A do të ishte e gabuar të shoqërohej me to? Jo. Por, përderisa ende nuk kishte synim të martohej, Timoteu duhej t’i vinte vetes disa kufij, që të mos krijonte lidhje romantike, e patjetër të mos flirtonte me ato të reja a të luante me ndjenjat e tyre në ndonjë mënyrë tjetër.​—Luka 6:31.

Po ti? A je vërtet gati të martohesh?

Nëse PO ⇨ Mund të ndodhë që mes miqve të seksit tjetër të gjesh shokun a shoqen e jetës.​—Proverbat 18:22; 31:10.

Nëse JO ⇨ Duhet të vësh kufij. (Jeremia 17:9) S’diskutohet, është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Nia * 18-vjeçare thotë: «S’është kollaj të mbetesh thjesht mik me dikë. Është vështirë të dallosh se ku ta vësh kufirin.»

Po fundja, pse u dashka të vësh kufij? Se po të mos e bësh këtë, është e sigurt se do të lëndohesh ose do të lëndosh të tjerët. Të shohim përse.

FAKT: Kur lidhesh emocionalisht me dikë pa qenë gati për një lidhje serioze, dikush do të lëndohet. Keli 19-vjeçare thotë: «Më ndodhi dy herë. Një herë fillova të ndieja për një djalë, kurse një herë tjetër një djali i lindën ndjenja për mua. Në të dyja rastet dikush u lëndua, e nga kjo m’u hapën plagë që akoma s’janë mbyllur.»

Për të menduar:

Në ç’rrethana do të ishte e përshtatshme të shoqëroheshe me individë të seksit tjetër? Cilat rrethana do të ishte e mençur t’i shmangie?

Pse është e pamend të rrish vazhdimisht me të njëjtin person? Ç’mund të mendojë tjetri? Ç’mund të mendosh ti?

«Nganjëherë kam gënjyer veten, duke menduar: ‘Po hajt se thjesht shokë jemi. Unë e kam si vëlla.’ Por, kur tregonte interes për ndonjë vajzë tjetër, lëndohesha​—a thua se më kishte ndonjë borxh.»​—Denisa.

Bibla thotë: «Njeriu me mend e dallon kur afrohen telashet dhe i shmang, por kush s’e vret mendjen, futet drejt e në to dhe pastaj bëhet pishman.»​—Proverbat 22:3, Good News Translation.

FAKT: Kur lidhesh emocionalisht me dikë pa qenë gati për një lidhje serioze, mund të humbësh një miqësi të mirë. Keti 16-vjeçare kujton: «Komunikoja me mesazhe në celular me një djalë. S’kaloi shumë e ai nisi të flirtonte, dhe i shkruanim njëri-tjetrit gati çdo ditë. Një ditë të bukur, më tha se vdiste për mua dhe se donte të ishim më tepër se shokë. Problemi ishte që s’më tërhiqte fare nga ana romantike. Pasi ia thashë këtë, flitnim tek-tuk, dhe miqësia mori fund.»

Për të menduar:

Kush u lëndua në rastin e Ketit dhe pse? A mund ta kishin shmangur Keti ose djali atë fund të papëlqyeshëm? Nëse po, si?

Kur komunikon me mesazhe, në ç’mënyra mund t’i japësh përshtypjen tjetrit pa dashje se do të të pëlqente të ishit më shumë se shokë?

«Hera-herës e kam detyruar veten të tërhiqem. Djemtë mund të jenë shokë fantastikë, por nuk kam dashur ta prishja miqësinë duke e kaluar kufirin.»​—Laura.

Bibla thotë: «Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.»​—Proverbat 14:15, Diodati i Ri.

Thelbi i çështjes: S’ka ndonjë të keqe të shoqërohesh me persona të seksit tjetër. Por, nëse nuk je gati për një lidhje serioze që mund të çojë në martesë, duhet të vësh kufij.

NË ARTIKULLIN TJETËR «TË RINJTË PYESIN»

Po të lidhesh emocionalisht me dikë pa qenë gati për një lidhje serioze, mund të njollosësh reputacionin tënd. Zbulo se si.

Për më shumë artikuj nga rubrika «Të rinjtë pyesin», mund të shkarkoni numra të tjerë të revistës Zgjohuni! nga adresa e Internetit www.pr418.com

[Shënimi]

^ par. 13 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

[Kutia dhe figura në faqen 16]

Ç’DO TË BËJE TI?

HISTORI REALE: «Komunikoja me mesazhe me një shokun tim që jeton më se 1.500 km larg. I shkruanim njëri-tjetrit pak a shumë një herë në javë. Nuk kisha ndonjë interes romantik për të dhe mendoja se as ai s’kishte interes për mua. Kur një ditë më dërgoi një mesazh që thoshte: ‘Ej, kinge! Më ka marrë malli. Ç’kemi ndonjë gjë?’ Shtanga në vend! I thashë se mendoja se ishim thjesht shokë dhe se nuk ndieja gjë për të. Ma ktheu: ‘Nejse.’ Pastaj s’më shkroi më kurrë.»​—Zhaneta.

● Nëse nuk je gati ose s’ke ndër mend të nisësh një lidhje serioze, si do të përgjigjeshe po të merrje një mesazh si ai që mori Zhaneta?

● Nëse je djalë, a të duken të përshtatshme mesazhet që i dërgonte djali Zhanetës? Pse mendon kështu?

● Sipas teje, është më kollaj të ndiesh për dikë kur komunikon me mesazhe apo kur bisedon sy më sy? Pse mendon kështu?

[Kutia në faqen 17]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Pyeti prindërit ç’mendojnë për pyetjet në pjesët «Për të menduar». A ndryshon opinioni i tyre nga yti? Nëse po, si? A sheh te pikëpamja e tyre ndonjë pikë që të duket se ia vlen?​—Proverbat 11:14.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

Xhoshua​—Sa më shumë kohë të kalosh me dikë, aq më shumë ka të ngjarë të lidhesh emocionalisht.

Natasha​—Nëse ke ndër mend ta mbash thjesht mik tjetrin, por del shpesh vetëm me të, njërit ose të dyve do t’ju lindin ndjenja.

Kelsi​—Edhe nëse në fillim jeni vetëm shokë, ndjenjat mund të ndryshojnë fare kollaj nëse kaloni shumë kohë bashkë. Nuk është e pamundur të jeni thjesht shokë, por për këtë duhet pjekuri dhe gjykim i mirë.

[Figura në faqen 16]

Po të lidhesh emocionalisht me dikë pa qenë gati për një lidhje serioze, do ta pësosh keq