Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Kujdesi paliativ—Çfarë synimi ka? (korrik 2011) Si punonjëse sociale, bëra praktikën në një qendër të kujdesit paliativ dhe nga përvoja ime mund të dëshmoj se ajo që thoni në revistën Zgjohuni! të korrikut 2011 është e vërtetë. Në botën ku jetojmë, janë të nevojshme institucionet e përgatitura plotësisht që të kujdesen për të sëmurët terminalë. Mezi e pres ditën kur do të sundojë qeveria e Perëndisë dhe askush nuk do të thotë «jam sëmurë». Atëherë Perëndia do t’i fshijë lotët nga sytë tanë.—Isaia 33:24; Zbulesa 21:3, 4.
M. R., Itali
Mbeta pak e zhgënjyer dhe s’më erdhi mirë kur pashë se artikulli përmendte «pelenat». Është term mjaft poshtërues për këdo që ndodhet në një situatë ku i duhet të mbajë ndërresa mbrojtëse. Në asnjë pako me «ndihma mbrojtëse» që gjen në treg, nuk përdoret fjala pelena.
Anonime, Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Faleminderit që na e tërhoqët vëmendjen te kjo pikë! Na dhemb në zemër për këdo që po kalon probleme të rënda shëndetësore dhe kurrsesi nuk duam t’ia shtojmë vuajtjet duke përdorur terma që mund të konsiderohen poshtërues. U kërkojmë ndjesë lexuesve tanë për çfarëdo sikleti që mund t’u ketë shkaktuar kjo.
Të rinjtë pyesin . . . Ç’duhet të di për rrjetet shoqërore? (korrik 2011) Ju faleminderit për këtë artikull! Jam 26 vjeçe dhe kisha ndër mend të hapja një profil [në një rrjet shoqëror], jo se doja më shumë miq, por se mjaft veta më nxitnin ta bëja këtë. Ky artikull ishte një ndihmë e madhe. Njeriu s’ka pse të jetë në ndonjë rrjet shoqëror që të zërë miq.
M. P., Filipine
Prisja që artikulli t’i paraqiste rrjetet shoqërore në një dritë negative. Por ishte i ekuilibruar. Vinte në dukje anët pozitive e negative dhe jepte këshilla si të mbrohemi nga rreziqet e mundshme të rrjeteve shoqërore. Më nguliti në mendje sa e nevojshme është të bëjmë kujdes kur futim në Internet informacione personale.
K. U., Shtetet e Bashkuara
Sekrete për një familje të suksesshme (tetor 2009) Ky numër special e ka ndihmuar sa s’thuhet familjen tonë. Më pëlqyen sidomos kutitë «Bëj këtë provë», që shoqëronin secilin nga shtatë sekretet. I kemi përdorur si familje sugjerimet specifike që jepeshin.
H. H., Kore
Bashkëbisedim si familje Shumë faleminderit për këtë rubrikë që del rregullisht! Vajza jonë 6-vjeçare e ka qejf pjesën «Fëmijë: Gjeni figurat», e sidomos i pëlqen të ngjyrosë figurat. Këta artikuj nxjerrin në pah rolin që kanë prindërit për t’i stërvitur fëmijët qysh në moshë të njomë. Puna që po bëni për vogëlushët tanë s’ka të çmuar.
M. P., Poloni