Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Në fund të vitit 2011, popullsia e botës i kaloi 7 miliardë, «nga 6 miliardë më 1999».—FAKULTETI I SHËNDETIT PUBLIK I HARVARDIT, SHBA.
«Gjithsej 58,8% e njerëzve në [Mbretërinë e Bashkuar] thanë se familja e tyre do të kishte dobi po të kalonte një periudhë pa përdorur teknologjinë, kur të gjitha mjetet e komunikimit të fikeshin. . . . Një në tre veta janë ndier sikur mjetet e komunikimit po u zënë frymën aq shumë, sa duan t’ia mbathin prej tyre.»—UNIVERSITETI I KEMBRIXHIT, BRITANI.
«Prej 1976-ës, në konferencën e peshkopëve katolikë të Amerikës janë bërë deklarata . . . para çdo viti zgjedhjesh presidenciale për të ndihmuar katolikët ta përdorin besimin që të mbështetin preferencat e tyre politike.»—UNIVERSITETI FORDHAM, SHBA.
«Nëse një numër i mjaftueshëm kriminelësh duan të krijojnë kaos nëpër rrugë, mund t’ia dalin. . . . Degradimi moral ka mbërthyer një pakicë të rinjsh britanikë, një grup që prapëseprapë mjafton për të terrorizuar dhe për të poshtëruar gjithë vendin.»—THE ECONOMIST, BRITANI.
Sa lloje ka në tokë?
«Jemi akoma në mëdyshje të madhe se sa lloje ekzistojnë, e kjo nxjerr në pah boshllëkun domethënës në njohurinë bazë që kemi për jetën në tokë»,—thonë shkencëtarët, kërkimet e të cilëve i gjejmë në revistën PLoS Biology. Edhe pse ata kanë llogaritur se ekzistojnë rreth 8,7 milionë lloje gjallesash—një shifër që luhatet me afro një milion plus a minus—specialistë të tjerë mendojnë se ky numër mund të jetë diku mes 3 deri në 100 milionë. Gjer tani vetëm 1,2 milion nga këto lloje janë klasifikuar, dhe mendohet se me këtë ritëm mund të duhen mbi 1.000 vjet për të klasifikuar pjesën tjetër. «Me këta hapa të ngadaltë në përshkrimin e llojeve, disa lloje do të zhduken pa e marrë vesh fare se kanë ekzistuar»,—thonë hulumtuesit.
Arkeologji me satelit
Arkeologët po përdorin një metodë të re për të diktuar zonat me interes për ta. Ata po përdorin mjete analitike për të interpretuar fotografitë me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe të bëra nga sateliti. Për shembull, është raportuar se nga imazhet e marra nga një lartësi 700 km mbi Egjipt janë zbuluar vendndodhjet e 17 piramidave të panjohura më parë, 1.000 varreve të lashta dhe gati 3.000 vendbanimeve të zhdukura. Ngaqë fotografitë me rreze infra të kuqe arrijë të depërtojnë sipërfaqen e tokës, me këtë teknologji po zbulohen siluetat e strukturave të harruara prej kohësh e të varrosura që nuk duken mbi dhé.