Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Së shpejti ushqim i shëndetshëm për të gjithë!

Së shpejti ushqim i shëndetshëm për të gjithë!

Së shpejti ushqim i shëndetshëm për të gjithë!

FALË disa hapave praktikë, ushqimi yt mund të jetë më i shëndetshëm. Sidoqoftë, mjaft faktorë nuk i ke në dorë. Për shembull, nuk ke si t’i kontrollosh vetë të gjitha ushqimet para se t’i blesh a t’i gatuash. Mund të të duhet të blesh ushqime që janë përpunuar ose sjellë nga larg. Veç kësaj, disa ushqime që blen mund të jenë ndotur me lëndë kimike të rrezikshme që gjenden në ajër, ujë a dhé.

Në një artikull me titull «Kontrollimi i sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi: një sfidë që i kalon kufijtë shtetërorë», punonjësit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se disa probleme të ndotjes së ushqimit «nuk i zgjidhin dot vetëm qeveritë vendëse; ato kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar». Vërtet, sëmundjet që shkaktohen nga ushqimi janë problem global.

Me të drejtë, shumë veta do të pyesin si mund të themi me siguri të plotë se së shpejti do të ketë ushqim të shëndetshëm për të gjithë. Sepse ‘Jehovai, Zotëria i tërë tokës’ premton një zgjidhje për problemet që lidhen me ushqimin. (Josiu 3:13) Disa mund të pohojnë se ndotja e ushqimeve provon se Perëndisë nuk mund t’i zihet besë. Por mendo pak: nëse një kamerier i shkujdesur lejon të prishet një ushqim i shkëlqyer, a është e drejtë t’i hidhet faji kuzhinierit? S’do mend që jo.

Po ashtu, përgjegjës për prishjen e ushqimeve të shkëlqyera të tokës janë njerëzit, jo Krijuesi. Përhapja e madhe e ushqimeve të ndotura është një problem i krijuar nga njeriu. Por Perëndia premton se ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’.​—Zbulesa 11:18.

Ç’është e vërteta, Perëndia tashmë ka provuar se merakoset për cilësinë e ushqimit tonë. Pikërisht ai e formoi tokën dhe bëri të rriten në të pemë që ishin jo vetëm ‘të dëshirueshme për sytë’, por edhe ‘të mira për ushqim’. (Zanafilla 2:9) Edhe pasi çifti i parë i transmetoi mbarë njerëzimit papërsosmërinë dhe sëmundjet, Perëndia Jehova i dha popullit të vet udhëzime specifike që do të mbronin ushqimin dhe shëndetin e tyre.​—Shih kutinë «Një kod rregullash shëndetësore».

Ç’lloj ushqimesh do Perëndia të shijojmë? Bibla tregon: «[Ai] bën që të mbijë bari i gjelbër për kafshët dhe bimësia që i shërben njeriut; që nga toka të dalë ushqimi, vera që ia gëzon zemrën njeriut, vaji që bën t’i shkëlqejë fytyra dhe buka që ia mban atij zemrën.» (Psalmi 104:14, 15) Bibla thotë edhe se ‘çdo kafshë e gjallë që lëviz, do të na shërbejë si ushqim’.​—Zanafilla 9:3.

Në Fjalën e Perëndisë, gjejmë këtë premtim për të ardhmen tonë: «Ai do të dërgojë shi për farën që ke mbjellë në tokë, dhe toka do të të japë bukë të ushqyeshme që të ngop. Atë ditë bagëtia jote do të kullotë në një livadh të gjerë.» (Isaia 30:23) Titujve të sotëm alarmues të lajmeve, së shpejti do t’ua zërë vendin njoftimi: «Ushqim i shëndetshëm për të gjithë!»

[Diçitura në faqen 9]

Krijuesi na premton një të ardhme të shkëlqyer me bollëk ushqimi të mirë

[Kutia në faqen 8]

«NJË KOD RREGULLASH SHËNDETËSORE»

Afro 3.500 vjet më parë, Izraeli mori Ligjin e Moisiut. Ai Ligj i mbrojti izraelitët prej shumë sëmundjeve që shkaktohen nga ushqimi. Mendoni për udhëzimet e mëposhtme.

● Mos përdor pajisje kuzhine dhe enë të papastra që kanë prekur një kafshë të ngordhur: «Çdo enë që përdoret për diçka, do të futet në ujë dhe do të jetë e papastër gjer në mbrëmje, por pastaj do të jetë e pastër.»​—Levitiku 11:31-34.

● Mos ha mishin e një kafshe që e gjen të ngordhur: «Mos hani asnjë kafshë të ngordhur.»​—Ligji i përtërirë 14:21.

● Ushqimin që tepron, haje brenda një kohe të shkurtër: «Ajo që mbetet, mund të hahet të nesërmen. Ndërsa mishi i flijimit që mbetet akoma deri ditën e tretë, duhet djegur në zjarr.»​—Levitiku 7:16-18.

Dr. A. Rendëll Shorti shprehu habinë që Ligji i Moisiut​—krahasuar me ligjet bashkëkohore të kombeve përreth—​përmbante «një kod rregullash shëndetësore aq të mençura e të arsyeshme».