Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë duhet të ndryshojë?

Çfarë duhet të ndryshojë?

Çfarë duhet të ndryshojë?

«Qeveria nuk është zgjidhja e problemit; qeveria është vetë problemi.»​—Ronald Uilson Regani, gjatë fjalimit të emërimit si presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara.

KANË kaluar më shumë se tri dekada që kur Ronald Regani tha këto fjalë. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara po kalonin një problem kolosal, «një krizë ekonomike me përmasa të mëdha», siç e quajti ai. «Po vuajmë një prej inflacioneve më të gjata dhe më të këqija që ka njohur historia e kombit tonë. . . . Për dekada të tëra, kemi grumbulluar deficit pas deficiti, duke lënë peng të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, vetëm e vetëm për leverdinë e përkohshme të momentit. Nëse kjo prirje vazhdon, me siguri shoqëria, kultura, politika dhe ekonomia do të tronditen që nga themelet»,—shpjegoi Regani.

Ndonëse pikëpamja e tij mund të tingëllojë e zymtë, Regani nuk ishte krejt pesimist. Ai pohoi: «Plagët ekonomike që vuajmë janë krijuar gjatë disa dekadave. Ato nuk do të shërohen brenda ditëve, javëve ose muajve, por me siguri do të shërohen.»​—Kursivi është yni.

Si paraqitet situata sot? Një raport i vitit 2009 nga Departamenti i Strehimit dhe i Zhvillimit Urban i Shteteve të Bashkuara, shkruante: «Gjithnjë e më shumë njerëz . . . po i pengon infrastruktura e vjetruar, strehimi i pamjaftueshëm dhe sistemi shëndetësor i prapambetur. Në të vërtetë, UN-HABITAT-i [agjenci e Kombeve të Bashkuara] parashikon që brenda tri dekadave, një në tre njerëz të jetojë në mjerim të plotë, pa kushte higjieno-sanitare, pa ujë të pastër e i pambrojtur ndaj efekteve të menjëhershme të ndryshimit të klimës, dhe kjo do të ndikojë në përhapjen e sëmundjeve dhe të pandemive të mundshme.»

Problem global

Pavarësisht se ku jeton, mendo për pyetjet e mëposhtme:

● A ndihesh financiarisht më i sigurt se një dekadë më parë?

● A mendon se kujdesi shëndetësor për ty dhe familjen tënde është më se i përshtatshëm?

● A rrethohesh nga një mjedis më i pastër dhe më i qetë?

● Kur mendon për të ardhmen, a ka gjasa që gjërat të përmirësohen gjatë 10, 20 apo 30 viteve të ardhshme?

Kontratë shoqërore

Shumë qeveri kanë bërë atë që quhet kontratë shoqërore, domethënë një marrëveshje të shkruar ose të pashkruar midis qeveritarëve dhe qytetarëve, që përcakton të drejtat dhe detyrat e të dyja palëve. Për shembull, në përgjithësi, pritet që qytetarët t’u binden ligjeve të vendit, të paguajnë taksat dhe të ndihmojnë për ruajtjen e qetësisë publike. Qeveritarët nga ana tjetër, zakonisht premtojnë gjëra të tilla, si: kujdesin e duhur shëndetësor, barazinë dhe sigurinë ekonomike.

Çfarë kanë arritur qeveritë në këto fusha? Shqyrto provat në tri faqet vijuese.

Kujdes i duhur shëndetësor

Çfarë duan njerëzit? Mjekime ekonomikisht të përballueshme dhe të efektshme.

Realiteti:

● Në një raport të Bankës Botërore për kushtet higjieno-sanitare thuhet se «çdo ditë vdesin 6.000 fëmijë prej sëmundjeve që vijnë nga kushtet e këqija higjieno-sanitare dhe uji i ndotur. Vetëm nga diarreja vdes një fëmijë çdo 20 sekonda».

● Në vitin 2008, një studim i rëndësishëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) bëri të qartë se në «vendet e pasura dhe të varfra» ekziston një «mungesë ekuilibri i rrezikshëm» në mënyrën si ofrohet kujdesi shëndetësor. Gjithashtu zbuloi se kjo mënyrë «nuk po u përgjigjet dot kërkesave gjithnjë e në rritje të shoqërisë për një kujdes mjekësor të drejtë, ekonomikisht të përballueshëm, të efektshëm dhe që ka në qendër të tij njeriun».

Dy vjet më vonë, OBSH-ja zbuloi se «qeveritë në mbarë botën mezi e financojnë kujdesin shëndetësor. Ndërsa mosha mesatare e popullsisë rritet, ndërsa njerëzit me sëmundje kronike shtohen dhe ndërsa dalin trajtime të reja e më të shtrenjta, kostoja shëndetësore shkon në stratosferë».

● Në fushën e kujdesit shëndetësor ka lindur një fenomen fatal: të ashtuquajturat ilaçe mrekullibërëse mund të mos bëjnë më efekt. Infeksionet, si lebra dhe tuberkulozi, që vite më parë shkaktonin miliona viktima, janë luftuar me antibiotikë që dolën për herë të parë në vitet 40. Kurse tani, sipas një raporti të OBSH-së në Ditën Botërore të Shëndetit 2011, «shfaqja dhe përhapja e patogjenëve që u rezistojnë mjekimit, është përshpejtuar. Gjithnjë e më pak ilaçe kryesore po bëjnë efekt. Arsenali i mjekimeve po shteron».

Çfarë duhet të ndryshojë? Kemi nevojë të përmbushet profecia biblike që parathotë se do të vijë një kohë kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»​—Isaia 33:24.

Drejtësi dhe barazi

Çfarë duan njerëzit? T’u jepet fund paragjykimeve ndaj grupeve minoritare dhe keqtrajtimit të grave; reduktim të hendekut midis dy ekstremeve: të pasurve dhe të varfërve.

Realiteti:

● Në një raport të një organizate të rëndësishme për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, thuhej: «Dhuna ndaj individëve, vendeve të adhurimit dhe institucioneve komunitare për shkak të paragjykimit ndaj racës, fesë, prirjes seksuale ose kombësisë vazhdon të jetë në një shkallë tepër të lartë dhe problem i rëndë në Amerikë.»

● «Miliona gra janë ende viktima të padrejtësisë, dhunës dhe pabarazisë në shtëpi, në punë dhe në shoqëri»,—thotë një deklaratë për shtyp e Kombeve të Bashkuara e bazuar në raportin Progresi i grave në botë: Në kërkim të drejtësisë. Për shembull, rreth 85 për qind e grave në Afganistan nuk kanë ndihmë mjekësore në dispozicion kur lindin. Në Jemen, nuk ka ligje kundër dhunës në familje. Në Republikën Demokratike të Kongos, përdhunohen mesatarisht më tepër se një mijë gra në ditë.

● Në tetor 2011, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun pohoi: «Bota jonë është një botë tmerrësisht kontradiktore. Ka ushqim me bollëk, por një miliard njerëz vuajnë nga uria. Pak veta jetojnë në luks, kurse shumë të tjerë në varfëri. Mjekësia ka përparuar me hapa gjigantë, por çdo ditë ka nëna që vdesin gjatë lindjes . . . Harxhohen miliarda para për të vrarë dhe jo për të shpëtuar njerëz.»

Çfarë duhet të ndryshojë? Kemi nevojë të shohim që grupet minoritare dhe gratë të trajtohen me drejtësi dhe të marrin fund ata që ‘ua mohojnë drejtësinë të munduarve’.​—Isaia 10:1, 2.

Siguri ekonomike

Çfarë duan njerëzit? Punë për të gjithë; siguri financiare.

Realiteti:

● Instituti Worldwatch raporton se «forcat punëtore në dispozicion për zgjerimin e ekonomisë janë shtuar, por vendet e punës nuk mjaftojnë. Me rënien e tanishme ekonomike, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka llogaritur se numri i të papunëve në vitin 2010 ka arritur në 205 milionë».

● «Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka paralajmëruar se ekonomia botërore është në prag të një krize tjetër më të thellë për sa u përket vendeve të punës, e cila mund të krijojë trazira në shoqëri,—thotë agjencia e lajmeve BBC.—Ngadalësimi i rritjes kohët e fundit tregoi se do të krijoheshin vetëm gjysma e vendeve të nevojshme të punës. . . . Organizata [ILO] gjithashtu llogariti shkallën e pakënaqësisë ngaqë mungojnë vendet e punës dhe ngaqë mendojnë se barra e krizës nuk mbahet nga të gjithë në mënyrë të barabartë. Thoshte se shumë e shumë vende mund të pësojnë trazira, sidomos vendet e BE-së dhe të rajonit arab.»

● Sipas librit The Narcissism Epidemic, që u botua në vitin 2009, në Shtetet e Bashkuara «mesatarja e borxheve të kartave të kreditit ka shkuar më shumë se 11.000 dollarë, domethënë është trefishuar në krahasim me vitin 1990». Autorët e librit mendojnë se mjaft njerëz futen në borxhe vetëm për të krijuar përshtypjen se janë të pasur. «Amerikanët shohin njerëz me makina e veshje të shtrenjta dhe mendojnë se janë të pasur,—thotë libri.—Më saktë do të ishte të mendonin se në të vërtetë janë në borxhe.»

Çfarë duhet të ndryshojë? Duhet të ketë punë për të gjithë dhe një pikëpamje të ekuilibruar për shpenzimet. Bibla pohon se ‘paraja është mbrojtje’, por edhe paralajmëron se «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme».​—Eklisiastiu 7:12; 1 Timoteut 6:10.

Nga ato që u thanë në faqet 4 deri 8, e ardhmja mund të mos duket shumë premtuese. Megjithatë ka shpresë. Bota do të ndryshojë për mirë, por jo falë përpjekjeve të qeverive njerëzore.

[Kutia dhe grafiku në faqen 5]

Çfarë do t’i ndryshonin kësaj bote të rinjtë? Sipas sitit të Internetit 4children.org, një anketë e zhvilluar në Britani me rreth 2.000 fëmijë të moshave 4 dhe 14-vjeçare, zbuloi se do të bënin gjërat e mëposhtme:

[Grafiku]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

100%

DO TË ELIMINONIN URINË

DO T’U JEPNIN FUND LUFTËRAVE

DO TË ZHDUKNIN VARFËRINË

75%

DO TË NDIHMONIN QË NJERËZIT TË TRAJTOHESHIN TË GJITHË NJËSOJ

DO TË NDALNIN NGROHJEN GLOBALE

50%

25%

0%

[Kutia dhe grafiku në faqen 5]

Një sondazh në vitin 2009 i zhvilluar nga Fondacioni Bertelsmann në Gjermani, tregoi se çfarë i shqetësonte më tepër rreth 500 të rinj të moshave 14 dhe 18-vjeçare.

Ndër gjërat më pak të rëndësishme për të rinjtë ishin terrorizmi dhe rritja e popullsisë. Edhe kriza financiare ishte ndër të fundit në listën e përparësive. Sipas shpjegimit të Fondacionit Bertelsmann, kjo mund të ndodhë ngaqë të rinjtë e anketuar nuk janë prekur akoma nga këto probleme të jetës reale.

[Grafiku]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

100%

75% VARFËRIA

NDRYSHIMET E KLIMËS DHE SHKATËRRIMI I MJEDISIT

MUNGESA E USHQIMIT DHE E UJIT TË PIJSHËM

EPIDEMITË DHE SËMUNDJET GLOBALE

50%

25%

0%