Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Insekte deti» për të kënaqur shijen tuaj

«Insekte deti» për të kënaqur shijen tuaj

«Insekte deti» për të kënaqur shijen tuaj

Disa klientë të uritur janë ulur në një restorant në qytetin e Nju-Jorkut. Duke përdorur vegla metalike, çajnë me mjeshtëri koracën e këtyre krijesave të mëdha të ngjashme me insektet. Tek shpërfillin sytë e tyre të vendosura si mbi susta e që duket sikur po i shohin ngultas nga pjata, klientët e paduruar kafshojnë mishin e butë e të ëmbël. Çfarë po hanë? «Insekte deti», që gjerësisht njihen me emrin karavidhe.

PËRSE quhen insekte deti? Peshkatarët s’mund të mos e dallonin ngjashmërinë me insektet kur këto krijesa të detit me koracë të fortë zvarriteshin në kuvertën e peshkarexhave të tyre.

Por ka edhe një ngjashmëri tjetër. Gjatë shekullit të 18-të, karavidhet mbuluan bregun verilindor të Shteteve të Bashkuara si një mori insektesh. Këto krustace i morën dhe i shpërndanë nëpër fusha për plehërim. I përdorën edhe si karrema për peshkim. Me to ushqenin të burgosurit. Në atë kohë, karavidhet ishin kaq të zakonshme atje, sa disa shërbëtorëve me kontratë u kishin ardhur në majë të hundës. Prandaj hapën një çështje gjyqësore dhe e fituan. Sipas vendimit që u mor, nuk duhej t’u jepej ky ushqim më tepër se tri herë në javë.

Kurse për ata që banonin larg oqeanit, karavidhet ishin një gosti e rrallë. Pse? Pasi ngordh, karavidhja prishet shpejt dhe nuk mund të ruhet duke e kripur ose tharë. Por, në mes të shekullit të 19-të, prodhuesit filluan t’i konservonin dhe gjithnjë e më shumë veta mund të provonin shijen e tyre fantastike. Veç kësaj, ndërtimi i hekurudhave bëri të mundur që karavidhe të gjalla të transportoheshin në çdo vend të Shteteve të Bashkuara. Si rezultat, kërkesat për karavidhe u rritën shumë. Gjithsesi, të transportoje karavidhe të freskëta kushtonte, prandaj ishin luks vetëm për të pasurit.

Sot peshkatarët zënë varietete karavidhesh përgjatë brigjeve anekënd botës. Karavidhja amerikane gjendet në Oqeanin Atlantik nga Njufaundlendi deri në Karolinën e Veriut. Një burim kryesor e ndërkombëtar i karavidheve është Mejni, në verilindje të Shteteve të Bashkuara. Që këtu eksportohen anembanë botës karavidhe të gjalla ose të gatuara. Vetëm me një avion, furnitorët transportojnë deri në 36.287 kilogramë karavidhe.

Kompanitë shpesh prodhojnë sasi të mëdha produktesh ushqimore nga të cilat nxjerrin përfitime. Por nuk ndodh kështu me biznesin e karavidheve. Kryesisht gjuajtësit e karavidheve janë vendës të vetëpunësuar. Nuk i kultivojnë karavidhet artificialisht nëpër rezervate, por shkojnë te habitati i tyre, që në këtë rast është Oqeani Atlantik.

Si i zënë karavidhet?

Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, Zgjohuni! bisedoi me Xhekun që vjen nga një familje peshkatarësh prej katër brezash në Bar-Harbër, Mejn. Xheku filloi të gjuante në moshën 17-vjeçare, dhe punon në të njëjtin gji detar ku shkonte stërgjyshi i tij. Edhe gruaja e Xhekut, Aneta, gjuan karavidhe. «Jam martuar edhe me peshkimin,—thotë ajo.—Për dy vjet punova si çirake në peshkarexhën e Xhekut dhe më vonë bleva timen.»

Si i kapin karavidhet Xheku dhe Aneta? «Marrim një çark karavidhesh, pra një kafaz metalik drejtkëndor me një të hapur të vogël,—shpjegon Aneta,—dhe brenda futim një rrjetë plot karrema, kryesisht harenga.» Peshkatarët lidhin çdo çark me një bovë. «Çdo peshkatar i lyen bovat e tij me një ngjyrë të caktuar që t’i dallojë më vonë»,—thotë ajo.

Kur hedhin çarkun në det, ai zhytet deri në fund të oqeanit, ndërsa bova e ngjyrosur pluskon mbi ujë në mënyrë që peshkatari t’i gjejë kollaj çarqet e veta. «I lëmë në det për disa ditë,—thotë Aneta,—dhe pastaj kthehemi e i tërheqim në peshkarexhë. Kur ka karavidhe brenda, i marrim dhe i matim.» Peshkatarë të ndërgjegjshëm si Xheku dhe Aneta i kthejnë karavidhet e vogla në oqean, po ashtu edhe disa karavidhe femra i lëshojnë në det që të lindin të tjera.

Pastaj peshkatarët shkojnë në doket më të afërta për të shitur karavidhet e gjalla. Përveç disa grupeve që punojnë bashkë, në këtë biznes nuk ka kontrata, por vetëm peshkatarë vendës që shesin privatisht. Siç u tha edhe më parë, në biznesin e karavidheve nuk praktikohet kultivimi artificial. «Disa peshkatarëve u është dhënë leje të marrin karavidhe femra që kanë vezë,—thotë Xheku.—Krijojnë kushtet që vezët të çelin, të rriten për njëfarë kohe dhe pastaj i lëshojnë në det. Kjo praktikë rrit mundësinë që sa më shumë karavidhe të mbijetojnë.»

Peshkimi i karavidheve mund të mos jetë mënyra më e lehtë për të siguruar të ardhurat ose për t’u pasuruar. Por, nëse do t’i pyetnim këta peshkatarë, do të na tregonin dobi të tjera: mund të kenë biznesin e tyre të vogël, të vazhdojnë traditën vendëse e familjare ose të provojnë kënaqësinë e të jetuarit dhe të punuarit në bregdet. Mbi të gjitha kënaqen pa masë kur mendojnë që «insektet e detit» që kanë zënë, u shijojnë njerëzve të uritur në mbarë botën.

[Kutia dhe figura në faqen 12]

RREZIQET E PESHKIMIT TË KARAVIDHEVE

Peshkimi i karavidheve mund të duket profesion i parrezikshëm. Por nuk është kështu. Për shembull, sipas Institutit Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (NIOSH), «nga viti 1993 deri më 1997, vdekshmëria në vendin e punës për gjuajtësit e karavidheve në Mejn, ka qenë 14 veta në 100.000 peshkatarë të licensuar, mbi 2,5 herë më shumë se mesatarja e vdekshmërisë (4,8 veta në 100.000 punëtorë) në të gjitha industritë».

Sipas NIOSH-it, një studim nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara zbuloi se «peshkatarët shpesh ngecin nëpër litarët e peshkimit në kuvertën e anijes, pastaj i tërheq çarku në det dhe mbyten kur nuk çlirohen dot nga litarët ose kur nuk janë në gjendje të hipin përsëri në peshkarexhë». Në një anketim të bërë nga 1999 deri më 2000 me 103 gjuajtës karavidhesh, afro 3 në 4 veta raportuan se ndonjëherë kanë ngecur në litarët e çarkut, edhe pse jo të gjithë kanë rënë në det. Janë rekomanduar masa sigurie që peshkatarët të mos ngecin në litarë, si dhe të mbajnë me vete vegla për të prerë litarët.

[Figurat në faqet 10, 11]

1. Xheku tërheq çarkun e karavidheve

2. Aneta dhe Xheku nxjerrin karavidhet nga e hapura në kafazin metalik

3. Matin çdo karavidhe