Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinjtë pyesin

Jemi thjesht shokë apo diçka më shumë?​—Pjesa 2

Jemi thjesht shokë apo diçka më shumë?​—Pjesa 2

NË ARTIKULLIN E MËPARSHËM shqyrtuam dy fakte.

● Kur lidhesh emocionalisht me dikë pa qenë gati për një lidhje serioze, dikush do të lëndohet.​—Proverbat 6:27.

● Kur lidhesh emocionalisht me dikë pa qenë gati për një lidhje serioze, mund të humbasësh një miqësi të mirë. *​—Proverbat 18:24.

NË KËTË ARTIKULL do të shohim:

● Çfarë ndodh tjetër kur lidhemi emocionalisht me dikë?

● Si ta kuptosh nëse e ke kapërcyer kufirin e miqësisë me dikë të seksit tjetër?

FAKT: Kur lidhesh emocionalisht me dikë pa qenë gati për një lidhje serioze, mund të njollosësh reputacionin. Miriami * thotë: «Kam parë çuna që kanë shoqëri me shumë goca. Në të vërtetë, atyre u pëlqen ‘të luajnë’. Gocat mendojnë se ka diçka mes tyre, kurse djali thjesht kënaqet që ka vëmendjen e gocave.»

Për të menduar:

● Qoftë nëse je vajzë apo djalë, si mund të ndikojë në reputacionin tënd afrimiteti i tepërt me seksin tjetër?

«Të shkëmbesh mesazhe me seksin tjetër është një grackë e rrezikshme. Fillon duke i dërguar tek-tuk mesazhe vetëm një personi, por përfundon duke shkruar shumë mesazhe e mjaft vetave. Pa e kuptuar, po njihesh njëkohësisht me tre djem dhe secili prej tyre mendon se është ‘i vetmi’ me të cilin po njihesh më tepër. Kur marrin vesh të vërtetën, ata lëndohen, kurse ty të del nami si flirtuese.»​—Laura.

Bibla thotë: «Një djalë [ose vajzë] njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.»​—Proverbat 20:11.

Thelbi i çështjes: Nuk ka asgjë të keqe të shoqërohesh me seksin tjetër. Por, nëse nuk vë kufij, mund t’i shkaktosh vuajtje vetes dhe tjetrit, të prishësh miqësi të mira dhe reputacionin tënd.

Si ta kuptosh nëse e ke kaluar cakun? Një mënyrë është duke pyetur veten: «A ia besoj gjërat e mia vetëm një shoku të seksit tjetër?» Një vajzë me emrin Erina thotë: «Në qoftë se një djalë e ke thjesht shok, nuk duhet të jetë i pari me të cilin dëshiron të flasësh çdo ditë ose t’i tregosh të rejat e rëndësishme. Dhe absolutisht nuk duhet të jetë ai dera ku troket për mbështetje emocionale.»

Për të menduar:

● Pse mund të të duket e bukur ideja që dikush i seksit tjetër të jetë shoku i besuar? Cilat janë rreziqet?

«Djemtë që njoh nuk i kam shokë të ngushtë. Nuk flas në telefon me ta për orë të tëra siç do të bëja me një shoqe. Dhe ka tema që nuk do t’i bisedoja kurrë me ta.»​—Rakela.

Bibla thotë: «Bëj kujdes me atë që thua . . . Ai që nuk bën kujdes, shkatërron veten.»​—Proverbat 13:3, Good News Translation.

Mendo për këtë: A ka ndonjë problem nëse i tregon shumë për veten dikujt të seksit tjetër? Po sikur miqësia juaj të ftohej me kalimin e kohës? A do të të vinte keq për hollësitë që i ke treguar?

Një adoleshente që quhet Alesia e përmbledh me këto fjalë: «Mos e shmang dikë vetëm sepse është i gjinisë tjetër. Por, as mos gënje veten duke thënë se jeni vetëm shokë kur nuk është ashtu. Mbaji nën kontroll ndjenjat dhe do t’i kursesh vetes shumë dhembje.»

Për më shumë artikuj nga rubrika «Të rinjtë pyesin», mund të shkarkoni numra të tjerë të revistës Zgjohuni! nga adresa e Internetit www.pr418.com

[Shënimet]

^ par. 5 Për më shumë informacion, shih revistën Zgjohuni! të qershorit 2012 në faqet 15-17.

^ par. 9 Në këtë artikull disa emra janë ndryshuar.

[Kutia në faqen 17]

HISTORI REALE: «Kisha një shok dhe shkonim mjaft mirë. Por pastaj vura re se bisedat tona zgjatnin gjithnjë e më tepër dhe kalonin në gjëra personale. Kuptova se po lidheshim ca si shumë, sepse ai më tregonte gjithçka që e shqetësonte. Një ditë më dërgoi një email e më thoshte se ndiente për mua. Nuk dija ç’t’i thosha. Nga njëra anë më vinte mirë; është bukur kur dikush mendon se je e veçantë. Por kisha frikë. E dija se nuk mund të vazhdonim të ishim ‘thjesht shokë’, pasi ai mendonte se ishim diçka më shumë. Po t’i thosha se jemi të vegjël për t’u lidhur, do të lëndohej. Ua tregova prindërve gjithë historinë. Ata më bënë të qartë sa e rëndësishme ishte të kontaktonim më pak me njëri-tjetrin. Nga kjo përvojë mësova sa kollaj mund të kthehet një miqësi e padjallëzuar në diçka tepër serioze. Që atëherë bëj mjaft kujdes dhe e kufizoj shoqërimin me seksin tjetër, sidomos kur komunikoj me mesazhe. Gjithashtu kam parë se është mirë kur shoqërohesh në grup e nuk veçohesh me ndonjërin. Kështu bisedat nuk kalojnë në gjëra personale dhe lidhja me personin tjetër nuk bëhet e fortë.»​—Elena.

[Kutia në faqen 18]

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Pyeti prindërit ç’mendojnë për pyetjet në pjesët «Për të menduar». A ndryshon opinioni i tyre nga yti? Nëse po, si? A sheh te pikëpamja e tyre ndonjë pikë që të duket se ia vlen?​—Proverbat 1:8.

[Kutia dhe figurat në faqen 18]

JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU

Andrea​—Sa më tepër kohë kalon me një vajzë, aq më kollaj zhvillohen ndjenjat dhe aq më shumë ajo do të mendojë se ke ndër mend të nisësh një lidhje romantike. Nëse nuk ke synim të lidhesh me dikë për momentin, atëherë mos u sill sikur do.

Kesidi​—Jam tip i hedhur dhe, ngaqë jam rritur me çuna, ndihem shumë rehat me ta, por kjo nuk është gjithmonë e përshtatshme. Nuk është mirë ta trajtoj një djalë siç do të bëja me një shoqe, kjo mund të japë përshtypje të gabuar. Kur e shoh si vëllanë tim, e kam më të lehtë ta trajtoj si duhet.

[Kutia në faqen 19]

DY FJALË PËR PRINDËRIT

Në rrethana të përshtatshme, nuk është e gabuar që të rinjtë të shoqërohen me ata të seksit tjetër. Por të rinjtë që nuk janë gati të nisin një lidhje që çon në martesë, duhet të vendosin kufij. * Për ta, shoqëritë me seksin tjetër duhet të jenë vetëm shoqëri dhe asgjë më tepër.

Çfarë ndodh kur dy njerëz lidhen emocionalisht para se të jenë gati për një lidhje serioze? Çdo emocion i fillimit shpejt mund të kthehet në zhgënjim. Është si të jesh në një makinë pa rrota. Herët a vonë djali dhe vajza kuptojnë se kjo lidhje nuk mund të shkojë gjëkundi. Disa fillojnë të njihen fshehurazi, por kjo është një situatë plot gracka morale. Të tjerë ndahen, dhe të dy ndihen të mashtruar, të lënduar e madje të dëshpëruar. Si ta mbroni fëmijën adoleshent nga udhët tinëzare të lidhjeve të parakohshme?​—Eklisiastiu 11:10.

Çelësi është ta mbani të hapur derën e komunikimit me fëmijën adoleshent kur bëhet fjalë për miqësitë me seksin tjetër. Kështu do të jeni në dijeni dhe në gjendje t’i ndihmoni nëse një miqësi fillon të kthehet në diçka më shumë.

Disa prindër pa dashje e mbyllin këtë derë. Shikoni çfarë i kanë thënë disa të rinj revistës Zgjohuni!

«Gjithmonë kam dashur të flisja me mamin për ndonjë djalë që më pëlqente, por nuk e bëja nga frika se do të reagonte keq.»—Klara.

«Kur i tregoja mamit se më pëlqente një djalë, ajo më thoshte: ‘Mos prit të të vij në dasmë!’ në vend që të më thoshte: ‘Atëherë më trego pak për të. Çfarë të pëlqen më tepër tek ai?’ Po të më bënte pyetje të tilla, do ta kisha më të lehtë t’ia dëgjoja këshillat.»​—Nadia.

Shikoni sa ndryshojnë gjërat kur prindërit më parë kanë dëgjuar me durim dhe pastaj kanë dhënë këshilla praktike.

«Prindërit e mi nuk alarmoheshin kur u tregoja për ndonjë djalë që më pëlqente. Më jepnin këshillat për të cilat kisha nevojë, por edhe më kuptonin si ndihesha. Prandaj e kisha të lehtë t’ua dëgjoja këshillat dhe të hapesha më shumë me ta.»​—Karolina.

«Kur prindërit më tregonin për ata që pëlqenin kur ishin të rinj, madje edhe duke shpjeguar pse ndonjë lidhje nuk kishte funksionuar, kuptoja se mund të flisja pa problem me ta kur kisha ndjenja për dikë.»​—Lina.

Gjithashtu duhet të kuptoni se ndonjëherë ka ca arsye të tjera pse disa të rinj dëshirojnë të kenë një lidhje të parakohshme.

«Po njihesha fshehurazi me një djalë, sepse më bënte të lumtur dhe më dëgjonte.»​—Anita.

«Ishte një djalë me të cilin kisha shumë qejf të rrija. Më kushtonte gjithmonë vëmendje, dhe kjo është pika ime e dobët. Vdes të kem vëmendjen e të tjerëve, e mirë a e keqe qoftë.»​—Ami.

«Kur prindërit më thonë sinqerisht që jam e bukur ose që një veshje më shkon, nuk e ndjej shumë nevojën të marr komplimente të tilla nga një djalë.»​—Kiara.

Pyet veten:

Si t’ia bëj më të lehtë fëmijës të më afrohet?​—Filipianëve 4:5.

A jam «i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur»?​—Jakovi 1:19, Diodati i Ri.

Çfarë të bëj që fëmija të mos e kërkojë ngrohtësinë dhe vlerësimin jashtë shtëpisë?​—Kolosianëve 3:21.

Thelbi i çështjes: Ndihmojeni fëmijën të mbajë miqësi të çiltra me seksin tjetër dhe që u qëndron larg problemeve. Kjo është një aftësi që do t’i duhet kur të rritet.​—Kolosianëve 3:5; 1 Selanikasve 4:3-6.

[Shënimi]

^ par. 37 Shih këtë artikull, si edhe artikullin «Të rinjtë pyesin» në revistën Zgjohuni! të qershorit 2012.

[Tabela në faqen 17]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

KUFIJTË

PO

Shoqërohu në grup

Njihu me të tjerët

Përfshihu në biseda

JO

X Mos u veçoni

X Mos u hap me të për gjëra personale

X Mos flirto

[Diagrami në faqen 18]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

SHOQËRIMI

FLIRTIMI

PREKJET E LEHTA

MBAJTJA PËR DORE

PUTHJET