A është projektuar?
Kristalini rigjenerues i salamandrës
● Salamandra shquhet për aftësinë që të rigjenerojë pjesë të trupit, si: organet, indet, gjymtyrët dhe bishtin. Por, a janë pjesët zëvendësuese po aq cilësore sa origjinalet? Kur bëhet fjalë për kristalinin e syrit të salamandrës, studiuesit thonë se po.
Shqyrtoni faktet: Salamandra e rigjeneron kristalinin e syve duke i kthyer qelizat e irisit në qeliza kristalini. Për të kuptuar më shumë rreth këtij procesi, biologët studiuan për 16 vjet disa salamandra japoneze. Secilës salamandër ia hoqën 18 herë kristalinin dhe çdo herë, ashtu siç pritej, nxorën kristalin të ri.
Në fund të studimit, salamandrat ishin rreth 30 vjeçe, pesë vjet më shumë se jetëgjatësia e salamandrave në natyrë. E megjithatë ishin në gjendje të përtërinin kristalinin po aq shpejt sa e përtërinin kur ishin të reja. Përveç kësaj, Universiteti i Dejtonit në Ohajo, SHBA, raporton se kristalini i rigjeneruar «ishte pothuajse identik me kristalinin e padëmtuar që u ishte hequr salamandrave të rritura, të cilat nuk e kishin rigjeneruar asnjëherë kristalinin». Biologu Panajotis Tsonis, pjesëtar i grupit të studimit të salamandrave, pranon: «Edhe unë u habita paksa.» Ai e cilësoi kristalinin e ri si «të përsosur».
Shkencëtarët shpresojnë që aftësia e salamandrës për të rigjeneruar pjesët e dëmtuara të trupit, t’i ndihmojë të kuptojnë si të rigjenerojnë indet e dëmtuara në trupin e njeriut. «Salamandra është një çelës i shkëlqyer për të gjetur përgjigjet rreth rigjenerimit,—thotë Tsonisi,—sidomos kur kemi të bëjmë me të moshuarit.»
Si mendoni? A erdhi me anë të evolucionit kristalini rigjenerues i salamandrës apo është projektuar?
[Diagrami në faqen 25]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Kristalini «zëvendësues» është pothuajse identik me origjinalin
[Burimet e figurave në faqen 25]
Fotografia sipër: © Vibe Images/Alamy; fotografia në mes: © Juniors Bildarchiv/Alamy