Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për fëmijët e pikëlluar

Ndihmë për fëmijët e pikëlluar

Ndihmë për fëmijët e pikëlluar

Sigurisht nuk është e lehtë t’i thuash një të rrituri se i ka vdekur një i afërm. Imagjinoni sa më e vështirë është t’ia thuash një fëmije.

PËR shumë fëmijë humbja e një familjari ose e një shoku mund të jetë pështjelluese, madje frikësuese. Të ndihmosh një fëmijë gjatë kësaj periudhe mund të jetë mjaft e vështirë, sidomos për prindërit që janë edhe vetë të pikëlluar. Në fund të fundit, edhe ata kanë nevojë për mbështetje emocionale.

Disa prindër përpiqen ta zbutin lajmin duke i thënë fëmijës se i ndjeri i ka lënë ose ka ikur. Por këto shprehje janë mashtruese dhe e bëjnë të mendojë gjëra të gabuara. Po atëherë, si mund t’ia shpjegoni fëmijës vdekjen?

Renatoja dhe Izabela hasën një situatë të tillë. Kur u vdiq vajza tre vjeçe e gjysmë, Nikola, duhej të ndihmonin djalin e tyre, Filipin, në atë kohë pesë vjeç, që të përballonte humbjen.

Zgjohuni!: Si ia shpjeguat Filipit vdekjen e Nikolës?

Izabela: U përpoqëm të ishim të sinqertë dhe mjaft të hapur me të. E nxitnim që të na pyeste dhe gjithmonë përpiqeshim t’i përgjigjeshim me fjalë që një fëmijë i moshës së tij mund t’i kuptonte. Nikola vdiq nga një infeksion bakterial, prandaj i thamë se i ishte futur në trup një mikrob i vogël që doktorët nuk e vranë dot.

Zgjohuni!: A folët me Filipin për bindjet tuaja fetare rreth vdekjes?

Renatoja: Ne jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe e dinim se do t’ia bënim më të lehtë Filipit po t’i flitnim për bindjet tona biblike rreth vdekjes. Bibla flet qartë kur mëson se të vdekurit janë të pavetëdijshëm. (Eklisiastiu 9:5) Menduam se, po t’ia tregonim Filipit këtë, do t’i largonim çdo frikë që mund të kishte, si për shembull frika që të rrijë vetëm natën.

Izabela: Bibla mëson edhe se ata që kanë vdekur do të ringjallen në një tokë parajsore. Ne e besojmë këtë dhe menduam se kjo shpresë do ta ndihmonte edhe Filipin. Prandaj i shpjeguam se çfarë mëson Bibla. I treguam për Jezuin që ringjalli vajzën 12-vjeçare të Jairit. Pastaj i thamë se edhe Nikola do të ringjallej. Këtë mëson Bibla.​—Marku 5:22-24, 35-42; Gjoni 5:28, 29.

Zgjohuni!: Mendoni se Filipi arriti t’i kuptonte të gjitha këto?

Renatoja: Po, besojmë se i kuptoi. Fëmijët e përballojnë më lehtë vdekjen e një të afërmi kur u jepen shpjegime të sakta, të thjeshta, të qarta dhe të sinqerta. Nuk është e nevojshme t’u mbash sekrete. Vdekja është realitet. Fatkeqësisht është pjesë e jetës. Prandaj prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët si ta përballojnë vdekjen e dikujt, siç bëmë edhe ne më vonë me djalin e vogël, Vinisjusin. *

Zgjohuni!: A e morët Filipin me vete në varrimin e Nikolës?

Renatoja: Pasi peshuam të mirat dhe të këqijat, vendosëm që të mos e merrnim me vete. Në këtë moshë fëmijëve u ngelen në mendje gjërat që shohin. Kuptohet, disa prindër mund të vendosin t’i marrin me vete, por fëmijët janë të ndryshëm, njëri mund ta përballojë e tjetri jo. Nëse i marrin, do të ishte mirë t’i parapërgatitnin për atë që do të shihnin.

Zgjohuni!: Vdekja e Nikolës duhet të ketë qenë e dhimbshme për ju. A kishit merak mos ju shihte djali duke qarë?

Izabela: Nuk u përpoqëm asnjëherë t’i fshihnim ndjenjat para Filipit. Nëse vetë Jezui «nuk i mbajti dot lotët» kur i vdiq një njeri i dashur, pse duhet t’i mbajmë ne? (Gjoni 11:35, 36) E pse u dashka që Filipi të mos na shohë duke qarë?! Fakti që ne e shfaqnim pikëllimin, e ndihmoi Filipin të kuptonte se nuk është e gabuar të shpërthesh në lot. Është thjesht një mënyrë për të shprehur si ndihesh. Donim që Filipi të kuptonte se edhe ai mund t’i shprehte ndjenjat lirshëm dhe jo t’i mbante përbrenda.

Renatoja: Kur në familje ndodh një tragjedi, fëmijët kanë prirjen të ndihen të pasigurt. Prandaj, nëse ne si prindër tregojmë hapur dhe me sinqeritet si ndihemi, edhe fëmijët do të jenë të hapur. Kur i dëgjojmë me kujdes se çfarë i shqetëson, jemi në gjendje t’u japim siguri dhe t’u largojmë frikën.

Zgjohuni!: Po të tjerët ju ndihmuan?

Renatoja: Po, pjesëtarët e kongregacionit na ndihmuan jashtë mase. Gjithë ato vizita, telefonata dhe kartolina i treguan Filipit sa shumë na donin dhe interesoheshin për ne.

Izabela: Edhe pjesëtarët e familjes na qëndruan shumë afër. Pasi vdiq Nikola, babai im vendosi të vinte çdo ditë të hante mëngjesin me ne. Kështu na dha mbështetjen e tij të dashur. Prania e gjyshit i dha zemër Filipit.

Renatoja: Inkurajimi që merrnim nga Fjala e Perëndisë në mbledhjet e krishtere s’kishte të paguar. Përpiqeshim të mos i humbitnim mbledhjet, megjithëse ndonjëherë s’i mbanim dot lotët, sepse na kujtohej Nikola. Por e dinim se duhej të bëheshim të fortë, sidomos për hir të Filipit.

[Shënimi]

^ par. 12 Për më shumë informacion, shihni artikullin «Ndihmoje fëmijën të përballojë hidhërimin» në faqet 18-20 të revistës Kulla e Rojës, 1 korrik 2008, dhe broshurën Kur të vdes një njeri i dashur . . . , botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figurat në faqen 14]

Librat e renditur më poshtë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, mund t’u sjellin ngushëllim atyre që u ka vdekur një njeri i dashur.

PËR TË RRITURIT:

Çfarë mëson vërtet Bibla?

Kapitulli 6: Ku janë të vdekurit?

Kapitulli 7: Shpresë reale për njerëzit e afërt që na kanë vdekur

PËR FËMIJËT E VEGJËL:

Libri im i tregimeve biblike

Tregimi 92: Jezui ringjall të vdekurit

PËR MOSHAT PARA ADOLESHENCËS:

Të mësojmë nga Mësuesi i Madh

Kapitulli 34: Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

Kapitulli 35: Njerëzit mund të zgjohen nga vdekja!

Kapitulli 36: Kush do të ringjallet? Ku do të jetojnë?

PËR ADOLESHENTËT:

Të rinjtë pyesin . . .​—Përgjigje praktike, Vëllimi 1

Kapitulli 16: A është normale të hidhërohem kaq shumë?

[Kutia dhe figura në faqen 15]

SI T’I NDIHMOJMË?

● Nxiteni të bëjë pyetje. Krijoni një atmosferë që do ta ndihmojë fëmijën të flasë për vdekjen dhe të kuptojë domethënien e saj.

● Përpiquni të mos përdorni shprehje të mjegullta, abstrakte, si për shembull, i ndjeri «na la» ose «iku».

● Shpjegojani vdekjen me fjalë të thjeshta, pa nënkuptime. Disa thonë thjesht se trupi i atij që ka vdekur «ndaloi së punuari» dhe «nuk mund të rregullohej më».

● Parapërgatiteni fëmijën për atë që do të shohë gjatë varrimit; shpjegojini se i ndjeri nuk do të jetë në gjendje të shohë ose të dëgjojë atë që do të ndodhë.

● Mos i fshihni ndjenjat. Në këtë mënyrë fëmija do të kuptojë se është më se e natyrshme të pikëllohesh.

● Kini parasysh se nuk ekziston një mënyrë «e duhur» për të shprehur pikëllimin. Çdo fëmijë dhe çdo rrethanë ndryshon nga të tjerat.

[Burimi]

Burimi: www.kidshealth.org

[Figura në faqen 15]

Në drejtim të akrepave të orës duke filluar nga e majta: Filipi, Renatoja, Izabela dhe Vinisjusi