Atje ku paratë ecin me katër këmbë
Atje ku paratë ecin me katër këmbë
«NË ZONËN tonë, derri konsiderohet pasuri e madhe e familjes, prandaj të rritësh një derr është goxha përgjegjësi,—thotë Enmari Kani, një 17-vjeçare që jeton në viset malore të Papua Guinesë së Re.—Kur babi më tha të kujdesesha për një derrkuc, isha e emocionuar, por edhe e shqetësuar. Ishte aq i vogël, sa kisha frikë se mos ngordhte.»
Si u kujdes Enmaria për derrkucin e saj? Pse derrat janë po aq të rëndësishëm sa paratë për ata që jetojnë në fshatrat e Papua Guinesë së Re? Ja çfarë tha ajo për revistën Zgjohuni!
Të lutemi, na thuaj ku jeton?
Jetoj bashkë me prindërit, dy motrat e dy vëllezërit e mi më të vegjël, në një shtëpizë prej kashte në një fshat të largët në Malësinë Perëndimore. Fshati ka rreth 50 banorë, e të gjithë janë të afërmit e mi. Banojmë pranë një lumi të vogël që gjarpëron përmes kodrave të valëzuara me pyje të dendura.
Shumica e banorëve të fshatit merren me bujqësi e blegtori. Familja ime ka një kopsht të madh ku rritim patate të ëmbla, kunguj, kastraveca,
kafe e të tjera. Më pëlqen shumë të rris perime dhe e kam qejf punën fizike. Merrem edhe me punë të tjera: pastroj shtëpinë, laj rrobat dhe, sigurisht, kujdesem për derrin e familjes.Si kujdesesh për derrin?
Ishte aq i vogël kur e solli babi një vit më parë, sa mund ta mbaja në duar. Çdo ditë, e ushqeja me pluhur peshku të përzier me pure patatesh të ëmbla, ujë, kripë dhe lëng kallamsheqeri. Gjatë natës, kur në malësi freskohet shumë, flinte pranë oxhakut në një thes orizi bosh të varur në tavan. Unë flija në dysheme pranë tij. Kështu, derri jo vetëm mbijetoi, por edhe u bë i shëndetshëm!
Nuk i vura ndonjë emër të veçantë. E thërritja thjesht Derrkuc dhe kështu i mbeti emri. Jam kujdesur për të si ta kisha fëmijë—e kam ushqyer, e kam larë dhe kam luajtur me të për orë të tëra. Derrkuci u lidh shumë me mua e më ndiqte kudo që shkoja.
Që kur u rrit, ia kam ndryshuar programin. Tani e marr me litar dhe e çoj te kopshti i perimeve që është rreth 15 minuta në këmbë nga shtëpia. Pastaj e lidh te një pemë dhe e lë të gërmojë në ngastër gjithë ditën. Me qafën dhe feçkën e fortë, rrëmon për rrënjë e krimba dhe ndërkohë lëron e plehëron dheun. Në fund të ditës e çoj në shtëpi, i jap për të ngrënë patate të gjalla ose të gatuara para se ta sistemoj për të fjetur në tharkun e tij prej druri.
Pse janë kaq të rëndësishëm derrat për malësorët?
Ne këtu kemi një shprehje: paraja është derri dhe derri është para. Shumë kohë para se të vendosej sistemi monetar në malësi, njerëzit përdornin derra në vend të parasë, praktikë që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Për shembull, dikur një agjenci makinash, ofronte një derr me blerjen e një automjeti të ri. Fiset shpesh i zgjidhin mosmarrëveshjet duke shkëmbyer para e derra. Gjithashtu, shumë dhëndurë u japin derra prindërve të nuses ose fisit të saj si pjesë e çmimit të nuses.
Duket sikur po të hash një derr, po çon dëm pasurinë.
Po, kështu është! Ngaqë kanë kaq shumë vlerë, ne hamë mish derri vetëm për raste, si për shembull në funerale dhe ceremoni të rëndësishme. Megjithatë, disa fise malësore shtrojnë gosti me qindra derra në ceremoni të stërmëdha, për t’u mburrur me pasurinë e fisit ose për të shpërblyer ndonjë nder të së kaluarës.
Çfarë do të bëjë familja jote me derrat?
E the mirë «derrat», sepse Derrkuci ka bërë disa të vegjël, një prej të cilëve e shitëm kohët e fundit për 100 kina (afërsisht 30 euro). Me ato para paguam autobusin për në qytetin e Banzit këtu afër, ku ndoqëm kongresin e përvitshëm krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndoshta babi do të shesë edhe të vegjlit e tjerë për të plotësuar nevojat e përditshme të familjes.
Pse nuk rritni më shumë derra, që të fitoni më shumë para?
Synimi ynë nuk është të pasurohemi, por thjesht të sigurojmë gjërat e nevojshme, si ushqimin, veshjen dhe strehimin. Familja jonë është më e përqendruar në adhurimin e Perëndisë. Kjo përfshin t’i shërbejmë Perëndisë tonë, Jehovait, të ndjekim mbledhjet, të ndihmojmë të tjerët kur kemi mundësi—ose nga ana materiale, ose që të njohin Perëndinë—dhe të kalojmë kohë së bashku si familje. Bëjmë jetë të thjeshtë, por jemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe të lumtur.
Në fakt, tani kam një punë me orar të shkurtuar, ku merrem me kopshtari dhe rris derra. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj në shërbimin e krishterë duke u folur të tjerëve për të vërtetat biblike. Angazhohem për disa ditë në javë në këtë vepër që Jezui ua caktoi dishepujve të tij. (Mateu 28:19, 20) Shpresoj që një ditë të punoj në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Port-Moresbi, ku përkthehet literaturë biblike në gjuhët vendëse. Por, edhe po të mos e arrij këtë synim, e di që gjithmonë do të jem më se e lumtur duke i shërbyer Jehovait e duke mbajtur në vend të parë adhurimin e tij. Ndërkohë, jam mirënjohëse për mbështetjen materiale që më ka siguruar paraja me katër këmbë.
[Kutia dhe figura në faqen 12]
FAKTE
● Në ishullin e Guinesë së Re ka të paktën dy milionë derra të butë, gati një në tre banorë.
● Më shumë se gjysma e popullsisë në fshatra kanë derra.
[Hartat në faqen 10]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
INDONEZI
PAPUA GUINEJA E RE
AUSTRALI
INDONEZI
PAPUA GUINEJA E RE
PORT-MORESBI
MALËSIA PERËNDIMORE
AUSTRALI
[Figura në faqet 10, 11]
Rrugës për në kopsht
[Figura në faqen 11]
Koha për t’u larë
[Figura në faqen 11]
Ora e lojës