Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cerma​—Shkaqet dhe faktorët e rrezikut

Cerma​—Shkaqet dhe faktorët e rrezikut

Cerma​—Shkaqet dhe faktorët e rrezikut

CERMA, ose ndryshe podagra, është një nga llojet më të zakonshme të artritit dhe mund të shkaktojë dhembje të tmerrshme. «Cerma shkaktohet kur trupi nuk shpërbën siç duhet acidin urik»,—thuhet në librin Arthritis. Për më tepër, «është një çrregullim, shkaku i të cilit dihet mirë​—prania e kristaleve të acidit urik në lëngun sinovial të kyçeve . . . , sidomos në gishtin e madh të këmbës».

Acidi urik është një lëndë e mbetur nga shpërbërja e disa substancave të quajtura purina dhe qarkullon në gjak. Kur acidi urik grumbullohet, zakonisht ngaqë nuk eliminohet plotësisht me urinën, kristale të mprehta si gjilpëra formohen në kyçin rrëzë gishtit të madh të këmbës. Por mund të formohen edhe në kyçe të tjera. Kyçi mund të skuqet e të ënjtet, është i nxehtë kur e prek dhe shkakton dhembje torturuese. * «Edhe një prekje e lehtë të sjell dhembje therëse të padurueshme»,—thotë Alfredi që vuan nga cerma.

«Pa u kuruar, një krizë cerme zakonisht zgjat rreth një javë,—thuhet në një buletin të botuar nga organizata Arthritis Australia.​—Kriza mund të mos përsëritet për muaj, madje për vite të tëra. Nëse cerma nuk kurohet siç duhet, koha mes krizave mund të shkurtohet, mund të rikthehet me më shumë dhembje dhe kyçet mund të dëmtohen përgjithmonë. Ndonjëherë, sëmundja mund të përparojë deri aty sa të bëhet kronike (e vazhdueshme).»

Cerma është një nga format më të kurueshme të artritit. Shpesh kurohet me ilaçe josteroide antiinflamatore ose në rastet kur sëmundja përsëritet dhe është shumë e dhembshme përdoret alopurinoli, i cili pengon formimin e acidit urik. A mund të parandalohet përsëritja e cermës? Po, nëse ai që vuan nga kjo sëmundje është në dijeni të faktorëve të rrezikut.

Faktorët e rrezikut që ndikojnë në përsëritje

Ndër faktorët kryesorë të rrezikut janë mosha, gjinia dhe prejardhja gjenetike. Sipas disa specialistëve, mbi 50 për qind e të prekurve e kanë të trashëguar këtë sëmundje. «Edhe babai, edhe gjyshi im kanë vuajtur nga cerma»,—thotë Alfredi i përmendur më parë. Veç kësaj, cerma prek kryesisht burrat, sidomos ata të moshës 40 deri 50-vjeçare. Në fakt, burrat janë tri ose katër herë më të prirur se gratë të preken nga kjo sëmundje. Ato rrallë vuajnë nga cerma para menopauzës.

Dhjamosja dhe dieta: Sipas një enciklopedie, «kurimi i cermës me anë të dietës duket se nuk përqendrohet më tek eliminimi i ushqimeve me përqindje të lartë purinash, por te trajtimi i çrregullimeve të metabolizmit që zakonisht shkaktojnë cermën: dhjamosja, sindroma e rezistencës ndaj insulinës dhe dislipidemia», që është niveli jonormal i lipideve në gjak, si kolesteroli.​—Encyclopedia of Human Nutrition

Gjithsesi, disa specialistë rekomandojnë edhe shmangien e ushqimeve me sasi të lartë purinash, të tilla si majaja, disa lloje peshqish dhe disa lloje mishi të kuq. *

Pijet: Konsumimi me tepri i alkoolit mund të pengojë sekretimin e acidit urik, dhe kështu ai grumbullohet.

Sëmundjet: Sipas klinikës «Mejo», në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cerma mund të shkaktohet nga disa sëmundje. Këtu futen «tensioni i lartë kur nuk kurohet (hipertensioni) dhe sëmundje kronike si diabeti, niveli i lartë i yndyrnave e i kolesterolit në gjak (hiperlipidemia) dhe ngushtimi i arterieve (arterioskleroza)». Cerma lidhet edhe me «sëmundje ose dëmtime të papritura a të rënda, me qëndrimin pa lëvizur në shtrat» dhe me sëmundjen e veshkave. Me sa duket, gishti i madh i këmbës është shënjestra kryesore, sepse aty gjaku nuk qarkullon shumë dhe temperatura është më e ulët​—dy gjendje që nxitin grumbullimin e acidit urik.

Mjekimet: Ndër produktet që rritin rrezikun e cermës janë: diuretikët tiazidikë (ilaçe që ndihmojnë për shkarkimin e ujit nga trupi, që zakonisht përdoren për të trajtuar hipertensionin), disa aspirina me doza të vogla që merren vazhdimisht, ilaçet që u jepen pacientëve pas një transplantimi që trupi të mos e flakë transplantin, si edhe ilaçet e kimioterapisë.

Pesë sugjerime për të pakësuar rrezikun e përsëritjes

Ngaqë cerma shpesh lidhet me mënyrën e jetesës, sugjerimet e mëposhtme mund t’i ndihmojnë ata që vuajnë nga kjo sëmundje të pakësojnë rrezikun e përsëritjes së krizave. *

1. Meqë cerma është çrregullim i metabolizmit, të prekurit me këtë sëmundje duhet të përpiqen fort të mbajnë peshën e duhur duke kufizuar kaloritë. Veç kësaj, mbipesha u shton trysni kyçeve që mbajnë gjithë peshën.

2. Kujdes nga dietat drastike me të cilat humbet shumë kile në pak kohë, sepse përkohësisht ato rritin nivelin e acidit urik në gjak.

3. Mos e teproni me proteinat shtazore. Sipas disa studiuesve, në një ditë nuk duhet marrë më tepër se 170 gramë mish pa dhjamë, si mish shpendësh dhe peshk.

4. Përdorini me masë pijet alkoolike. Nëse keni një krizë cerme, mos pini fare alkool.

5. Pini shumë lëngje joalkoolike, sepse ndihmojnë në hollimin e acidit urik dhe në sekretimin e tij nga trupi. *

Këto masa parandaluese na kujtojnë urdhrin biblik që të jemi ‘të përkorë në zakone’ dhe jo të dhënë «pas verës së shumtë». (1 Timoteut 3:2, 8, 11) Sigurisht që Krijuesi ynë i dashur e di çfarë është më e mira për ne.

[Shënimet]

^ par. 3 Simptoma të ngjashme mund të shfaqen edhe kur kristalet e pirofosfatit të kalciumit formohen në kyçe, sidomos në kërcin e butë që mbështjell fundet e kockave. Megjithatë kjo «pseudocermë» është një sëmundje tjetër që kurohet me ilaçe të tjera.

^ par. 9 Sipas një artikulli të botuar në revistën Australian Doctor, konsumimi i kërpudhave dhe perimeve të pasura me purina, siç janë fasulet, thjerrëzat, bizelet, spinaqi dhe lulelakra, «nuk është vërtetuar se shton drejtpërdrejt rrezikun e prekjes nga cerma akute».

^ par. 14 Ky artikull nuk ka për qëllim të jetë një udhëzues mjekësor. Çdo person që vuan, mund të kërkojë ndihmë mjekësore për rastin e tij. Gjithashtu, nuk duhet të lërë ilaçet e rekomanduara ose të bëjë ndryshime të mëdha në zakonet e të ngrënit pa u konsultuar më parë me mjekun.

^ par. 19 Ky informacion bazohet në rekomandimet e Fondacionit «Mejo» për Arsimim dhe Kërkime në Mjekësi.

[Diagrami dhe figura në faqen 24]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Kyç i mahisur

Membranë sinoviale

[Figura]

Kristale të grumbulluara të acidit urik