Lulja më e madhe në botë
Lulja më e madhe në botë
«HAJDE pak, zotëri, hajde shpejt! Një lule shumë e madhe, e bukur, e mrekullueshme!»—i tha i emocionuar udhërrëfyesi Xhozef Arnoldit, një botanist britanik, që kishte shkuar në një ekspeditë për të mbledhur bimë në ishullin indonezian të Sumatrës. Arnoldi e ndoqi dhe para syve i doli diçka «vërtet mahnitëse», siç e quajti ai. Ishte një lule magjepsëse. Sot, gati 200 vjet më vonë, varieteti i lules që pa ai në ekspeditën e vitit 1818—raflesia spektakolare—njihet ende si lulja më e madhe në botë.
Ka me dhjetëra lloje raflesiash, e të gjitha rriten vetëm në xhunglat e Azisë Juglindore. Megjithatë, identifikohen vazhdimisht lloje të reja. Varieteti me lulen më të madhe është Rafflesia arnoldii, që e mori emrin nga Xhozef Arnoldi dhe shoku i tij i ekspeditës, sër Tomas Stamford Raflesi, themelues dhe guvernator i Singaporit. Por, me gjithë bukurinë që ka kjo lule, zor se do ta mblidhje për buqetë.
Së pari, është problemi i madhësisë. Raflesia mund të ketë një diametër deri në rreth 1 metër, pra sa një rrotë autobusi, dhe mund të peshojë afro 11 kile. * Lulja ka pesë petale të trasha, të tulta, me ngjyrë të trëndafiltë në kafe, plot me njolla të çelëta si xhunga të vockla. Petalet përfundojnë në një zgavër të madhe e cila ngjason si kusi që mund të mbajë deri në 6 litra ujë.
Së dyti, mendo pak për kundërmimin. Sipas një përshkrimi të sinqertë, raflesia bie erë si «kërma e një bualli në fazë të përparuar dekompozimi», ndaj edhe ka marrë emrat që i shkojnë për shtat: lulja kufomë ose zambaku * Pjalmuesit kryesorë të këtyre luleve janë insektet që ushqehen me kërma, pasi era e qelbur është një joshje e parezistueshme për to.
kufomëkutërbues.Lulja e raflesias nuk ka kërcell, gjethe a rrënjë dhe rritet përtokë në xhungël si parazite e disa bimëve kacavjerrëse. Kur raflesia lëshon syth në lëvoren e bimës mikpritëse, sythit i duhen rreth dhjetë muaj të rritet dhe shpesh bëhet sa një lakër e madhe. Pastaj, në një proces që zgjat disa orë, petlat e tulta hapen, duke shpalosur gjithë hijeshinë e tyre. Brenda zgavrës qendrore ka zgjatime si gjemba. Ende nuk dihet mirë ç’funksion kanë, ndonëse disa studiues mendojnë se mund të shërbejnë për të përhapur nxehtësinë, e kështu era e qelbur bëhet edhe më e rëndë.
Sidoqoftë, bukuria e pazakontë e lules është jetëshkurtër. S’kalojnë veçse pak ditë dhe lulja vyshket e zë të kalbet, duke lënë pas një masë veshtullore të zezë.
Rafflesia arnoldii është bimë e rrallë që rrezikon të zhduket. Pse? Lulet mashkullore e femërore duhet të çelin pranë e pranë që të bëhet pjalmimi i kryqëzuar, por shumica e sythave nuk e arrijnë kurrë pjekurinë ose nuk mugullojnë. Kjo ndodh ngaqë mjaft sytha mblidhen që të përdoren në mjekësinë tradicionale ose të serviren në tryezë si ushqim i zgjedhur. Si pasojë, është pakësuar goxha numri i bimëve që rriten në natyrë. Një kërcënim tjetër serioz është shkatërrimi i pareshtur i pyjeve të shiut, habitatit të lules.
Të shohësh një raflesia është përvojë e rrallë. Madhësia e saj të lë gojëhapur. Kundërmimi s’do mend që është i paharrueshëm. Forma dhe ngjyra janë mbresëlënëse. Natyrisht, lulja më e madhe në botë është veç një nga veprat e pafundme magjepsëse të Krijuesit tonë. Psalmi 104:24 thotë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.»
[Shënimet]
^ par. 4 Lulet e disa lloje raflesiash e kanë diametrin vetëm 10 cm.
^ par. 5 Edhe lulja e arumit titanik (Amorphophallus titanum) është quajtur lulja kufomë dhe nganjëherë e ngatërrojnë me raflesian.—Shih Zgjohuni! të 22 qershorit 2000, faqja 31.
[Harta në faqen 17]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
MALAJZI
SUMATËR
[Figura në faqen 17]
Syth i raflesias gati të çelë