Fundi i botës ngjall tmerr
PËRVEÇ teorive imagjinare për fundin e botës që u thanë në artikullin e mëparshëm, ka edhe faktorë të tjerë që meritojnë vëmendje të veçantë. Shumë shqetësohen për mbipopullimin dhe për pakësimin e ujit e të ushqimit që vijnë si pasojë. Të tjerë shqetësohen për pasojat e rënies financiare botërore. Ç’të themi për katastrofat natyrore, epidemitë ose luftën bërthamore? A mund të shkaktojnë një katastrofë globale?
Le të shohim shkurtimisht disa fenomene që shpesh mendohet se mund të sjellin fundin e botës. Jo të gjitha kërcënojnë vdekjen e çdo njeriu mbi tokë, por, me sa duket, do të jenë aq të fuqishme, sa do t’i japin fund jetës së tanishme. Ato mund të jenë:
Supervullkanet
Më 1991, shpërtheu mali vullkanik Pinatubo në Filipine, vrau mbi 700 veta e la rreth 100.000 të pastrehë. Një re e madhe hiri u ngrit 30 km lart në qiell dhe pastaj zbriti në tokë. Ajo mbuloi e dëmtoi të mbjellat dhe rrëzoi çatitë e ndërtesave. Pinatubo dhe vullkane të tjera si ai, sjellin ndryshime në klimë për vite me radhë pas shpërthimit.
Në të kaluarën e largët kanë ndodhur shpërthime gjigante. Nëse do të ndodhte një i tillë në ditët e sotme, do të ishte qindra herë më i fuqishëm, më shkatërrimtar dhe me dëme shumë më të mëdha se çdo vullkan në histori. Përveç fuqisë së menjëhershme shkatërrimtare të vullkaneve, edhe ndryshimi global i klimës do të dëmtonte prodhimet bujqësore, do të ndërpriste furnizimin me ushqime, dhe këto do të çonin në vdekje masive nga uria.
«Vullkanet dëmtojnë florën dhe faunën e zonës përreth për shumë kilometra; supervullkanet kërcënojnë zhdukjen e specieve të tëra duke ndryshuar klimën në mbarë planetin.»—«National Geographic».
Asteroidët
Një mëngjes herët më 1908, një burrë ishte ulur në verandën e një dyqani në Vanavara të Siberisë kur një shpërthim e flaku tej nga karrigia. Nxehtësia ishte aq e madhe sa iu duk sikur i mori zjarr këmisha. Epiqendra e këtij shpërthimi ishte rreth 60 km larg. Ai u shkaktua nga një asteroid me diametër rreth 35 metra që peshonte afro 100 milionë kg. Pasi hyri në atmosferën e tokës, asteroidi shpërtheu nga presioni dhe nxehtësia e fituar gjatë rënies. Shpërthimi çliroi një energji të barabartë me 1.000 bomba si ajo e Hiroshimës dhe rrafshoi gati 2.000 kilometra katrorë në pyjet e Siberisë. Sigurisht, një asteroid më i madh do të shkaktonte më shumë dëme e zjarre gjigante, do të pasohej nga një rënie drastike e temperaturës globale dhe nga zhdukja e shumë bimëve e kafshëve.
«Gjatë gjithë historisë së saj, toka është bombarduar nga kometa e asteroidë nga hapësira. Këto ndodhnin më shpesh në të kaluarën, por do të ndodhin përsëri. Është veçse çështje kohe.»—Kris Palma, kryelektor i astronomisë dhe i astrofizikës në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë.
Ndryshimi i klimës
Shkencëtarët besojnë se ngritja e temperaturës mesatare të tokës, moti ekstrem, shkrirja e sipërfaqeve të akullta dhe e akullnajave, shkatërrimi i shkëmbinjve koralorë dhe ngordhja e specieve të rëndësishme, tregojnë se klima po ndryshon. Megjithëse ka mendime të ndryshme për këtë, shumë mendojnë se shkaku është djegia e qymyrit, e naftës dhe e gazit natyror—lëndë djegëse që çlirojnë në atmosferë sasi të mëdha dyoksid karboni—nga makinat dhe industritë.
Disa ekspertë besojnë se çlirimi i dyoksidit të karbonit krijon efektin serrë, ngadalëson largimin e nxehtësisë nga toka në hapësirë dhe bën që të ngrihen temperaturat. Ngaqë pemët thithin dyoksidin e karbonit, edhe shpyllëzimi në masë mund të ndryshojë klimën.
«Shumë shkencëtarë besojnë se, nëse ngrohja globale vazhdon me ritmin e tanishëm dhe nëse nuk reduktohet prodhimi i dyoksidit të karbonit, temperaturat mesatare të Tokës do të vazhdojnë të rriten. Kjo do të sjellë luhatje klimatike më të tmerrshme e të paparashikueshme dhe rritjen e nivelit të oqeaneve, që përbëjnë kërcënim për zonat bregdetare ku banon shumica e njerëzimit.»—Libri «A Mind for Tomorrow: Facts, Values, and the Future».
Pandemitë
Në shekullin e 14-të, murtaja shfarosi një të tretën e popullsisë evropiane brenda dy vjetësh. Nga viti 1918 deri në vitin 1920, gripi spanjoll shkaktoi të paktën 50 milionë të vdekur. Ngaqë nuk kishte mjete udhëtimi të shpejta, këto sëmundje nuk përhapeshin kollaj. Por sot, ngaqë qytetet janë zgjeruar dhe udhëtohet më kollaj në mbarë globin, sëmundje të tilla do të përhapeshin shpejt në të gjitha kontinentet.
Sëmundje të tilla pandemike kanë shkaqe natyrore. Por njerëzit po i frikësohen më tepër armëve biologjike, pra sëmundjeve të shkaktuara nga njeriu. Specialistët e kësaj fushe thonë se një numër i vogël njerëzish me njohuritë e nevojshme mund të blejnë pajisje në Internet dhe të prodhojnë armë biologjike vdekjeprurëse.
«Sëmundjet me shkaqe natyrore mbeten një kërcënim i madh biologjik. Por një armik inteligjent i armatosur me këto patogjenë—me patogjenë sintetikë ose [rezistentë ndaj shumë ilaçeve]—mund të shkaktonte një katastrofë.»—The Bipartisan WMD Terrorism Research Center.
Zhdukja e specieve me rëndësi jetësore
Në pesë vitet e kaluara, bletërritësit në Shtetet e Bashkuara kanë humbur çdo vit rreth 30 për qind të bletëve, për shkak të një fenomeni global, gjatë të cilit, koloni të tëra bletësh zhduken nga kosherja menjëherë dhe në mënyrë të mistershme. Bletët nuk na japin vetëm mjaltin. Ato pjalmojnë prodhime të rëndësishme bujqësore, si rrush, mollë, sojë dhe pambuk. Jeta jonë varet nga bletët.
Jeta varet edhe nga fitoplanktonet. Pa to, nuk do të kishim peshq. Pa krimbat që shkriftojnë dheun, do të kishim shumë më pak prodhime bujqësore. Zhdukja e specieve të tilla thelbësore do të pakësonte rezervat ushqimore e do të sillte zi buke, dhe kjo do të nxiste dhunë e revolta. Ndotja, mbipopullimi, shfrytëzimi i tepërt i burimeve të tokës, prishja e habitatit dhe ndryshimi i klimës ndikojnë në zhdukjen e kafshëve ndoshta 1.000 herë më shumë se pa këta faktorë.
«Çdo vit zhduken 18.000-55.000 specie. Dhe shkaku është veprimtaria njerëzore.»—Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara.
Lufta bërthamore
Një shpërthim bërthamor mund të rrafshojë sa hap e mbyll sytë një qytet të madh, një fakt i trishtueshëm që u vërtetua dy herë në gusht të vitit 1945. Shpërthimi bërthamor është tmerrësisht i fuqishëm, shkatërron dhe vret me anë të presionit të fortë, të stuhisë, të nxehtësisë, të zjarrit dhe të rrezatimit. Rrezatimi ndot edhe ushqimin e ujin. Lufta bërthamore do të ngrinte me tonelata pluhur në ajër, duke bllokuar dritën e diellit dhe duke ulur temperaturat globale. Të mbjellat dhe bimët e tjera do të thaheshin. Pa ushqim, njerëzit dhe kafshët do të vdisnin urie. Thuhet se rreth nëntë vende kanë potencialin të nisin sulme bërthamore. Me sa duket, disa kombe të tjera janë në punë e sipër për të krijuar armët e tyre bërthamore. Dhe organizatat terroriste mezi presin t’i shtien në dorë.
«Armët bërthamore mbeten kërcënimi më i madh dhe më i shpejtë për njerëzimin. . . . Ka ende rreth 25.000 armë bërthamore në mbarë botën . . . Herët a vonë, terroristët do ta shtien në dorë një bombë.»—Lidhja e Shkencëtarëve Aktivistë.