Organizohu
Organizimi nuk kërkon shumë përpjekje, por shpërblimi është i madh—më shumë kohë, më pak stres dhe nota më të mira.
IMAGJINO sikur hyn në një market për të blerë diçka, por artikujt janë të shpërndarë gjithandej pa pikë rregulli. Sa kohë do të të duhet të gjesh atë që po kërkon? A nuk do ta kishe më të lehtë nëse do të ishin organizuar me rregull dhe nëse nëpër korridore do të kishte tabela? E njëjta gjë vlen edhe për shkollën. Në ç’kuptim?
Bëj një program.
«Njëherë i harrova fare detyrat dhe nuk bëra punët e shtëpisë që më ishin caktuar, sepse isha te një shok gjithë fundjavën,—thotë Zakaria 18-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara.—Të hënën, më duhej t’u lutesha mësuesve që ta dorëzoja detyrën më vonë. Tani mbaj një listë të gjërave që kam për të bërë, që të mos i harroj.»
Lista e ndihmoi goxha edhe Selestinën, një vajzë nga Papua Guineja e Re. Duke menduar për kohën e shkollës, ajo thotë: «Bëja një program për gjithë veprimtaritë e mia, ku përfshija detyrat e shtëpisë, provimet dhe aktivitetet shoqërore. Kjo më ndihmonte të kuptoja çfarë ishte më e rëndësishme dhe t’i bëja gjërat brenda afatit.»
Këshillë: Shkruaj çfarë duhet të bësh në një bllok të vogël ose në celular a në një pajisje tjetër elektronike.
Mos i zvarrit gjërat.
Është kollaj të thuash: «Do ta bëj më vonë.» Është më mirë t’i bësh sa më shpejt, sidomos detyrat e shtëpisë.
Këshillë: Vër synim që t’i bësh detyrat sapo të hysh në shtëpi, para se të ndezësh televizorin ose të fillosh ndonjë aktivitet tjetër zbavitës.
Organizo mjetet e shkollës.
A të ka ndodhur që të shkosh në shkollë e të kujtohesh se ke harruar bllokun e shënimeve, stilolapsin ose librat? Mund t’ia kursesh vetes këtë siklet. Si? Aung Mio Miati, një djalë nga Mjanmari, thotë: «Gjithmonë e bëja gati që më përpara çantën.»
Këshillë: Mbaje të pastër dhe të rregullt çantën e shkollës që t’i gjesh gjërat kollaj.
Përfundimi: Organizimi do të të kursejë stresin që vjen kur harron gjërat, kur je me vonesë dhe kur duket sikur nuk ke kurrë kohë për gjëra të tjera të rëndësishme.
Pse të mos fillosh që tani? Mendo për një fushë ku ke nevojë të jesh më i organizuar. Pastaj fol me një prind ose shok për disa mënyra si të përmirësosh.