Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kurrë nuk hoqën dorë nga unë

Kurrë nuk hoqën dorë nga unë

Isha shumë i dhënë pas alkoolit dhe dhunës. Por, një ditë, mora një lajm tragjik që më bëri të mendoja për jetën time. Më lejoni t’jua shpjegoj.

LINDA më 1943 në Rubatom të Oklahomës, SHBA. Gjatë fëmijërisë, problemet i zgjidhja gjithnjë me dhunë. Në vitin e fundit të shkollës së mesme, fillova të pija. Meqë edhe im atë ishte pijanec i dhunshëm, krijuam një shoqëri të çuditshme me njëri-tjetrin. Shkonim në mbrëmje vallëzimi e në aktivitete të tjera vetëm për të pirë e për t’u zënë me të tjerët.

Më 1966 u martova me Shirlin dhe patëm dy fëmijë, Anxhelën dhe Shonin. Prapëseprapë vazhdoja të abuzoja me alkoolin. Fillova të kultivoja e të shisja marihuanë që të fitoja më shumë para. Gjithashtu punoja si sampist nëpër lokale. Ajo punë ma shuante etjen për alkool dhe dhunë. Në atë moment të jetës, nuk kisha frikë nga askush dhe asgjë, si dhe nuk më bëhej shumë vonë për ndjenjat e të tjerëve.

«Mos më sill asnjë që të më flasë!»

Kushëriri i Shirlit, shkoi në Kaliforni. Atje studioi Biblën dhe u bë Dëshmitar i Jehovait. Kur u kthye në Oklahomë, i tregoi Shirlit çfarë kishte mësuar, dhe ajo e dalloi shpejt tingullin e së vërtetës. Pas një studimi rrënjësor të Biblës, edhe Shirli vendosi të bëhej Dëshmitare dhe u pagëzua në vitin 1976. Kurse unë nuk doja të kisha fare lidhje me fenë e saj. «Mos më sill asnjë që të më flasë!—i thashë.—Nuk do të arrish gjë.»

Shirli u qëndroi gjithnjë besnike parimeve të Biblës dhe vazhdoi të shfaqte dashuri për mua. Në fakt, para se të shkonte me fëmijët në Sallën e Mbretërisë për të ndjekur mbledhjet, me mirësi më ftonte edhe mua. Po ashtu, edhe Anxhela më thoshte: «Babi, do të donim të vije edhe ti me ne.»

Ngaqë merresha me punë të paligjshme, shpesh mbaja pistoletë. Veç kësaj, kishte raste që zhdukesha për ditë të tëra nga shtëpia, dhe kjo shkaktonte tension mes meje dhe Shirlit. Kur kthehesha, ndiqja disa mbledhje që ta merrja me të mirë Shirlin. Dëshmitarët gjithmonë më trajtonin me dashamirësi dhe dukej që mësimet e tyre kishin logjikë.

Pas ca kohësh, një plak kongregacioni më ofroi një studim biblik. Pranova. Mjerisht, ajo që mësoja nuk ndikonte shumë tek unë,  kryesisht sepse vazhdoja të shoqërohesha me miqtë e mëparshëm. Duke e ditur këtë, plaku më tregoi disa parime nga Bibla që flitnin për rrezikun e shoqërive të këqija. (1 Korintasve 15:33) Edhe pse ato këshilla bazoheshin në Bibël, unë u ofendova, ndërpreva studimin e u zhyta edhe më thellë në aktivitetet e mëparshme. Sa shumë i lëndoi krenaria ime prej budallai Shirlin dhe fëmijët!

«Të duam akoma»

Në vitin 1983, mora një lajm tragjik. Nipi im, me të cilin isha shumë i lidhur, vdiq. Kjo më preku thellë dhe më bëri të mendoja për jetën time. Kuptova se po shkatërroja martesën dhe familjen​—po shkatërroja gjithçka që e kisha të shtrenjtë. Kjo më solli në vete dhe ishte pika e kthesës për mua. Në varrimin e nipit, Xhoni, një plak Dëshmitar, me butësi më hodhi krahun në qafë e më tha: «Dije se të duam akoma.» Pikërisht për këto fjalë inkurajuese kisha nevojë! I telefonova Xhonit të nesërmen dhe i thashë se doja të rifilloja studimin e Biblës, me shpresën se kësaj here do të bëja ndryshimet që duhej të kisha bërë kohë më parë.

Që herën e parë, folëm për lutjen dhe i thashë Xhonit se do të provoja të lutesha. Të nesërmen fillova të kërkoja punë të ndershme, por nuk gjeta gjë. Ndërsa po i jepja kamionçinës, u luta me zë: «Jehova, nëse do që të rri në këtë zonë, bën mirë të më gjesh punë.» Pastaj mendova: «Ky është budallallëk, po ngas makinën e po flas me vete.» Është e qartë se më duhej akoma shumë për të besuar se Perëndia është ‘Dëgjuesi i lutjes’ dhe për të përmirësuar cilësinë e lutjeve të mia. (Psalmi 65:2) Megjithatë, për habinë time, gjeta punë fiks të nesërmen.

Kur kuptova fuqinë e lutjes, m’u rrit dashuria për Jehovain dhe besimi te drejtimi i tij

Pas kësaj, fillova të lutesha më shpesh e më me zjarr. Pashë mjaft herë bekimin e Jehovait. Gjithmonë kisha besuar te Perëndia, por këto përvoja më ndihmuan të kuptoja sa të vërteta janë fjalët e 1 Gjonit 5:14: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» Kur kuptova fuqinë e lutjes, m’u rrit dashuria për Jehovain dhe besimi te drejtimi i tij.​—Proverbat 3:5, 6.

Nisa të ndiqja mbledhjet përsëri dhe Dëshmitarët më mirëpritën me ngrohtësi. Pashë se ata vërtet ‘kishin dashuri të zjarrtë nga zemra për njëri-tjetrin’, dhe kjo më preku thellë. (1 Pjetrit 1:22) Gjithashtu kuptova vërtetësinë e Proverbave 13:20, që thotë: «Kush  ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»

Për vite të tëra i kisha shkaktuar vuajtje e probleme familjes, kurse tani po përpiqesha të isha paqësor, si dhe bashkëshort, baba e komunikues më i mirë. Fillova t’i zbatoja këshillat e Biblës që «burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre» dhe që baballarët nuk duhet ‘t’i pezmatojnë fëmijët, që të mos i lëshojë zemra’.​—Efesianëve 5:28; Kolosianëve 3:21.

Sigurisht, ndryshimet që po bëja ndikuan shkëlqyeshëm te familja. Kuptova se fjalët e Jezuit te Mateu 5:3 ishin më se të vërteta: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» Më në fund gjeta lumturinë e vërtetë.

Në qershor të 1984-ës, vajza ime, Anxhela, u intervistua në një asamble të Dëshmitarëve të Jehovait. Ajo tregoi si isha unë njëherë e një kohë, e pastaj foli për ndryshimet që kisha bërë. Në fund tha se ishte tepër e emocionuar tek më shikonte të ulur në rreshtin e parë, mes atyre që do të pagëzoheshin atë ditë.

Me gruan time, Shirlin

Sa mirënjohës i jam Jehovait që nuk heq dorë nga njerëz si unë. I jam shumë mirënjohës edhe Shirlit e fëmijëve që nuk i humbën shpresat për mua. Si një e krishtere e vërtetë, Shirli zbatoi me besnikëri këshillën te 1 Pjetrit 3:1: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj.» Besnikëria, durimi dhe sjellja e saj e shkëlqyer gjatë gjithë viteve që isha problematik, mbajtën derën hapur derisa më në fund erdha në vete.

Që kur jam pagëzuar, e kam përdorur shpesh shembullin e saj për të inkurajuar ata që e kanë bashkëshortin jobesimtar të mos dorëzohen. «Në kohën e duhur,—u them,—Jehovai mund të përdorë fuqinë e Fjalës së tij, Biblës, dhe sjelljen tuaj të shkëlqyer për ta ndihmuar bashkëshortin të ndryshojë, edhe pse në fillim mund të duket e pamundur.»